Urojnë për fillimin e mësimit, askush nuk tregon cila është marrëveshja e saktë

Aktuale

Urojnë për fillimin e mësimit, askush nuk tregon cila është marrëveshja e saktë

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 10:30
Pamje nga Konferenca

(E plotësuar) - Pas tri javë grevë, të hënën fillon gjysmëvjetori i dytë mësimor, por për përmbajtjen e marrëveshjes së arritur në mes të krerëve shtetëror dhe SBASHK-ut, askush nuk foli, vetëm sa dolën para gazetarëve për të uruar njëri tjetrin.

Vendimi për ndërprerjen e grevës erdhi pas një takimi që u zhvillua në kabinetin e kryeparlamentarit, Kadri Veseli, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesit e SBASHK-ut.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli  ishte i pari që dha lajmin se të hënën fillon mësimi në të gjitha shkollat e Kosovës.

Sipas tij, punëtorëve arsimor u janë rritur pagat, ashtu siç u janë premtuar.

Veseli ka garantuar se miratimi i Projektligjit për Paga mundëson të rriten pagat për më shumë se 70 mijë punonjës të sektorit publik.

Veseli:  Do i mbajmë premtimet që të jemi afër punëtorëve të të gjitha sektorëve

“Gjithë punëtorëve në sistemin e arsimit u janë rritur pagat dhe ashtu siç kemi premtuar me kryeministrin e Kosovës, do të mbajmë premtimet që të jemi afër tyre, për aq sa për të gjithë sektorët tjerë siç janë policia, ushtria , shëndetësia, artistët, administrata publike,asamblistët e komunave, pensionistëve dhe gjithë punëtorëve të tjerë. Në se në Kuvendin e Kosovës do të votojmë ligjin për pagat i cili do të mundësoj rritjen e pagave për më shumë se 70 mijë punonjësve të sektorit publik”, ka theksuar ai.

Kryeparlamentari në këtë konferencë të jashtëzakonshme ka siguruar punëtorët e Doganës së Kosovës dhe asaj të Administratës Tatimore të Kosovës se statusi i tyre nuk do të preket.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh i vetëdijshëm që Projektligji për Pagat i ka shqetësuar të gjitha kategoritë, por ai thotë se interesimi i koalicionit qeverisës është që të respektojë dinjitetin e të gjithëve.

Tutje, ai ka theksuar se marrëveshja me SBASHK-un do të ishte e pamundur pa ndihmën e Kadri Veselit, Sindikatës së SBASHK-ut dhe kryetarit të Komisionit për Administratë Publike, Nait Hasani.

Haradinaj: Qeveria e interesuar tu jep përgjigje të gjitha kategorive

“Jam i vetëdijshëm se përgatitja për këtë ligj edhe puna që ka ndodhur rreth këtij ligji i ka shqetësuar të gjitha kategoritë, pra të gjithë ata që paguhen nga buxheti. Ne asnjëherë nuk i kemi keqkuptuar shqetësimet e tyre, por i kemi mirëpritur ato shqetësime, e tha kryetari me të drejtë se ne sot e kemi arritur atë maksimumin, pra finalen e këtij ligji. Nuk ka qenë e mundur pra as marrëveshja me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit pa ndihmën e kryetarit...Qeveria e vendit është e interesuar me iu dhënë përgjigje të gjitha kategorive që paguhen prej buxhetit, prej parasë së popullit, e kemi edhe ndonjë sfidë aty këtu, por unë iu siguroj që jemi të interesuar që të respektohet dinjiteti i të gjithëve në Kosovë“, ka deklaruar kreu i Qeverisë.

I lumtur për marrëveshjen e arritur u shpreh edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj i cili tha se marrëveshja e re i afron shumë me kërkesat e tyre.

Por, as ai nuk sqaroi se çka parasheh marrëveshja.

Jasharaj: Marrëveshja e re na afron shumë tek kërkesat tona

“Dje e filluam një raund të ri të takimeve dhe pastaj sot u takuam dhe arritëm një marrëveshje ashtu siç e thanë edhe krerët e institucioneve tona, pra marrëveshja e re, lëvizja e re na ofron shumë tek kërkesat tona dhe pra urime të gjithëve viti shkollor, gjysmëvjetori i dytë po fillon të hënën”, ka thënë Jasharaj.

Ndryshe, mësimdhënësit për tre javë rresht nuk kanë mbajtur mësim me kërkesë që koeficienti i tyre të rritet ndërmjet 2 - 3.

Të hënën fillon mësimi, Jasharaj: Marrëveshja e re na afron shumë te kërkesat tona

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, tha se gjysmëvjetori i dytë i këtij viti shkollor fillon të hënën. Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, Jasharaj tha se janë afër arritjes së marrëveshjes.

“Marrëveshja është afër për çfarë kemi kërkuar. Gjysmëvjetori i dytë fillon të hënën”, tha Jasharaj.

Ndër kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, tha se koalicioni qeverisës ka mbajtur premtimet e dhëna për punëtorët e arsimit duke bërë rritjen e pagave për këtë kategori.

Ai  u shpreh i bindur se nga nesër do të miratohet ligji për pagat, i cili mundëson rritjen e pagave në sektorin publik.

"Jam i lumtur që nxënësit dhe mësimdhënësit nga e hëna do tu kthehen shkollave. Të gjithë pemëtoreve të arsimit u janë rrit pagat, dhe ashtu siç u kemi premtuar me kryeministrin, do e mbajmë fjalën. Nesër në kuvend do të miratojmë ligjin për pagat që do të mundësojë rritjen e pagave për punonjësit e sektorit publik", tha Veseli.

E kryeministri Ramush Haradinaj, tha se qeveria është e interesuar t’u japë përgjigje të gjitha kategorive në sektorin publik.

“Ne asnjëherë nuk i kemi keqkuptuar shqetësimet e tyre, i kemi mirëprit shqetësimet e tyre. Qeveria është e interesuar tu jap përgjigje të gjitha kategorive të sektorit publik dhe nuk është në interesin e qeverisë që cilado kategori të mos respektohet. Mendoj jemi gati për nesër për votimin e projektligjit për paga”, tha Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat