Ndasitë e projektligjit për paga, kërkohet që ai të kthehet në pikën zero

Aktuale

Ndasitë e projektligjit për paga, kërkohet që ai të kthehet në pikën zero

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 11:13
Pamje nga takimi

Dallimet në koeficientet e projektligjit për paga ka krijuar një pakënaqësi të madhe te punëtorët e sektorit publik. Grevat e mësimdhënësve, kirurgëve dhe paralajmërimet e shërbyesve civil, kanë shtyrë LDK-në dhe njohësit e çështjeve ekonomike të kërkojnë që ligji të tërhiqet prapa dhe të kthehet në pikën zero.

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se projektligji për paga nuk ka një shpërndarje të drejt. Sipas tyre, ka ardhur një pikë ku nuk mund të përmirësohet ky ligj.

Për shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, problemi më i madh në projektligjin e pagave është pabarazia ndërmjet pagës minimale dhe asaj maksimale.

Hoti shprehet se të gjitha kërkesat e mësimdhënësve duhet të respektohen sepse janë të drejta.

Hoti: Ligji duhet të kthehet në pikën zero

“Problemi fundamental që ka ky ligj është pabarazia e madhe që ka ky ligj ndërmjet pagës minimale dhe maksimale. Sigurisht me rritjen e nivelit të përgjegjësisë rriten koeficienti, rritet edhe paga. Brenda sektorit publik duhet të ketë një shpërndarje më të drejt. Unë jam i bindur tani më tek analizat që i kemi bërë këtij draftligji, parimi pagën e njëjtë për punë të njëjtë nuk është duke u respektuar fare në këtë ligj...tash me kërkesat e arsimtarëve ku ata kërkojnë rritje të koeficientit me të drejt. Unë besoj që duhet të respektohen kërkesat e tyre. Mendoj se kemi ardhur në pikën ku nuk mund të përmirësohet ky ligj para se të kthehet në pikën zero dhe pastaj të rishkruhet duke u konsultuar me gjitha kategoritë në sektorin publik”, deklaroi Hoti.

Ndërsa, partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje thotë se projektligji për paga i qeverisë ka qenë i pa harmonizuar dhe për këtë arsye ka pasur dallime të mëdha ndërmjet sektorëve.

Deputeti nga radhët e kësaj partie, Valon Ramadani tha se janë munduar që përmes amendamenteve sado pak të përmirësojnë ligjin.

Sipas tij, në punëtorin që komisioni për Administratë Publike ka mbajtur, kanë arritur që sado pak të ulet hendeku mes pagës minimale dhe asaj që është paraparë me ligj.

Ramadani: Nëpërmjet kësaj ulje të koeficienteve, është ulur hendeku mes të pagës minimale

“Presim që në seancat e radhës, në seancën që do të mbahet, do të kalojë edhe në lexim të dytë ky amendament dhe koeficienti që ka qenë i paraparë 1:12, gjatë kësaj punëtorie është ulur në 1:10. Kjo ka qenë meritë e atyre që kanë punuar në këtë punëtori dhe nëpërmjet kësaj ulje të koeficienteve, është ulur sado pak hendeku mes të pagës minimale dhe asaj që është paraparë me ligj”, tha ai.

Kurse, për njohësin e çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa, ky projektligj duhet të tërhiqet nga Kuvendi.

Sipas tij, ka probleme të shumta dhe në një periudhë më afatgjate do të ishte problem për buxhetin e shtetit.

Mustafa thekson se pas arritjes së një konsensusi bazik social të aprovohet ligji brenda dy muajve.

Mustafa: Projektligji duhet të tërhiqet dhe të aprovohet brenda 2 muajve

“Unë mendoj se me vet faktin se ka probleme, me vet faktin se mundet me ç’rregullu buxhetin në një periudhë më të gjatë, me vet faktin se është krijuar një mjegulli, një paqartësi dhe në opinion dhe në sektor të caktuar ky duhet të tërhiqet të shihet sa është në përputhje me këto parime që unë i përmenda. Mandej duhet të diskutohet në opinion, të m’rrihet një konsensus bazik social dhe të aprovohet ligji brenda 2 muajve”, u shpreh Mustafa.

Ndërsa nga Oda Ekonomike Amerikane shprehen se projektligji si i tillë po krijon dhe më shumë ndasi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

Pavarësisht kësaj, drejtori i kësaj ode, Arian Zeka u shprehet se dhe tek sektori publik ka hendeqe dhe ndasi në nivelin e pagave.

Në lidhje me zgjidhjen eventuale që mund të ofrohet, ai thotë se nuk duhet të rrezikohet deficiti buxhetor sepse do të rrezikohet stabiliteti i shtetit.

Zeka: Projektligji si i tillë krijon ndasi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat

“Projektligji si i tillë krijon ndasi ose boshllëk në nivelin e pagesave ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Ky ka qenë shqetësimi ynë që ne si Odë Amerikane e kemi shprehur shumë më herët dhe në vazhdimësi. Megjithatë, atë që po shohim si pasojë dhe e grevave dhe para lajmërimeve të tjera për greva nga ana e punonjësve të sektorit publik është që ka realisht ndasi ose krijohen hendeqe dhe në nivelin e pagesave brenda sektorit publik...zgjidhja nuk duhet të dëmtoj në rend të parë sektorin privat si bartës të mbushjes së buxhetit të shtetit, zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës. Po ashtu, zgjidhja çfarëdo që ofrohet nuk duhet të rrezikoj rritjen e deficitit buxhetor, megjithëse herët a vonë do të rrezikohet stabiliteti i tërë shtetit”, është shprehur, kryetari i Odës Amerikane, Arian Zeka.

Projektligji për paga shpeshherë është tërhequr nga qeveritë e kaluara, pikërisht për shkak të reagimeve të mëdha dhe mospajtimeve nga punëtorët e sektorëve publik.

Ndërsa, ka kaluar në disa komisione dhe pritët që të shkoi në kuvend për aprovim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat