LDK e VV thonë se nuk do të bojkotojnë seancat e Kuvendit në këtë sesion

Aktuale

LDK e VV thonë se nuk do të bojkotojnë seancat e Kuvendit në këtë sesion

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 13:34
Kuvendi i Kosoves

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse në sesionin vjeshtor kanë bojkotuar shumicën e seancave të Kuvendit, në sesionin pranveror kanë paralajmëruar pjesëmarrje në seancat plenare.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thekson se do të jenë të pranishëm në seancat plenare, por që do të marrin pjesë në votim vetëm në marrëveshjet ndërkombëtare.

Partia më  madhe opozitare në vend, vazhdon të kërkon që kjo Qeveri të shkojë në shtëpi dhe të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Hoti: Marrim pjesë vetëm në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

“Ne marrim pjesë në të gjitha seancat e Kuvendit, por qëndrimi jonë si LDK është i qartë kjo Qeveri nuk ka legjitimitet për të udhëhequr më tutje. Ne do të marrim pjesë vetëm në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligjeve që lidhen me agjendën e integrimeve evropiane, është në interesin më të mirë të vendit që kjo Qeveri sa më parë të lëshojë rrugën”, ka thënë ai.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje do t’i kthehet punës së Kuvendit, duke lënë bojkotin. Kështu konfirmon shefi i deputetëve të kësaj partie, Glauk Konjufca.

Konjufca: Ne do të marrim pjesë

“Po ne do të marrim pjesë, do të përgatitemi që të prezantojmë mendimet tona për ligjet dhe për pikat që aty do të sillen nga Qeveria e Kosovës, por edhe për shumë ligje në të cilat kanë punuar komisionet përkatëse dhe do të japim qëndrimet dhe mendimet tona për secilën pikë”, ka deklaruar ai.

Edhe deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka bërë të ditur se do të marrin pjesë në seanca.

Pantina: Ne natyrisht se do të marrim pjesë

“Ne patjetër do të marrim pjesë dhe shpresojmë që rekomandimet tona do të mbështeten nga Kuvendi, gjegjësisht deputetët”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Memli Krasniqi nga PDK-ja, u ka bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare që t’i kthehen punës në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në seanca për të dhënë kontributi në çështje që kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve të vendit.

Krasniqi: Po shpresojmë që do të jetë një qasje tjetër nga sesioni i kaluar

“Është një çështje që u takon atyre të vendosin, por do të ishte jashtëzakonisht pozitive për Kuvendin, për përfaqësimin e interesave qytetarë , pra janë mandate që secili prej nesh si deputet i ka qoftë në pozitë apo në opozitë që t’i kryejmë obligimet dhe detyrat tona. Pra, që të marrim pjesë në seanca pavarësisht qëndrimeve që mund t’i kemi për pika të caktuara pro ose kundër. Unë besoj që kontributi jepet duke qenë pjesëmarrës në seancë, duke kontribuar në debate dhe duke marrë pjesë në votim. Kështu që nuk e dimë, nuk i kam dëgjuar qëndrimet e tyre për këtë sesion, por po shpresojmë që do të jetë një qasje tjetër nga sesioni i kaluar”, tha ai.

Në anën tjetër, organizatat që merren me monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës, kanë vërejtjet e tyre sa i përket numrit të madh të pikave në rend të ditës.

Blerta Aliu nga KDI, ka thënë se edhe ky sesion po vazhdon me avazin e vjetër ku agjenda e një seance është tejet e ngarkuar.

Sa i përket pjesëmarrjes së partive opozitare në seanca, Aliu thotë se do të duhej të vazhdonte puna e rregullt e Kuvendit.

Aliu: do të duhej të vazhdonte puna e rregullt e Kuvendit

“Është një numër i madh i pikave të rendit të ditës të cilat kanë mbetur të papërmbushura nga shtatori i vitit të kaluar dhe ne e patëm thënë edhe deklaratën tonë përmbledhëse të punës së Kuvendit të Kosovës, punës një vjeçare që e kemi monitoruar që është mjaftë problematike kjo çështje e stërngarkimit të seancave. Pasi që nuk po arrijnë që për muaj të tërë të kryhet një seancë e vetme. Ne kemi bërë thirrje që të ketë një strukturim më të mirë të rendit të ditës... Partitë politike i zgjedhin format e tyre për t’i shprehur pakënaqësitë dhe për të dhënë qëndrimet e tyre politike në Kuvend, normalisht që do të duhej të vazhdonte puna e rregullt e Kuvendit”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, analisti Rasim Alija, thotë se në Kuvend do të duhej të kthehej debati i mirëfilltë për tema të caktuara dhe të mos vazhdohet si në sesionin e kaluar me akuza ndërmjet deputetëve.

Alija: Kjo legjislaturë ka pasur probleme të theksuara me arritjen e kuorumit

“Duhet thënë që kjo legjislaturë ka pasur probleme të theksuara me arritjen e kuorumit dhe me procedimin e ligjeve tutje. Ajo çka kemi pa gjatë gjithë sesionit i cili tashmë ka marrë fund, sesionit vjeshtor, ka qenë një anemi e tej madhe e Kuvendit të Kosovës. Ajo çfarë kemi pa tutje mandej ka qenë një grumbull i ligjeve të cilat kanë shkuar tutje pa u stërholluar mirë, pa u debatuar rreth atyre ligjeve dhe si të tilla vihet në dyshim edhe cilësia e vet atyre ligjeve që janë proceduar tutje... Ajo çfarë do të duhej të ndodhte në fakt do të ishte që opozita të jetë një bllok i bashkuar dhe si e tillë ta paraqesë në Kuvendin e Kosovës një platformë karshi qeverisjes aktuale. Një platformë që qytetarët të mund të dinë për çështje të caktuara se çfarë qëndrime kanë vet partitë opozitare, sepse e shohim që gjatë gjithë kohës edhe cilësia e debateve në Kuvend devijon nga temat të cilat trajtohet, fokusoh et komplet në akuza dhe kundërakuza”, ka thënë ai.

Ndërkohë që me 2 shkurt do të mbahet seanca ku do të votohet për buxhetin e këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat