Mësimi që ia dhanë njëri-tjetrit partnerët e koalicionit përmes SBAShK-ut

Aktuale

Mësimi që ia dhanë njëri-tjetrit partnerët e koalicionit përmes SBAShK-ut

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 19:06
Krerët e vendit dhe SBASHK-u

Nën gëzimet për rifillimin e mësimit, greva trijavore në arsim që u ndërpre sot si dhe grevat në sektorë të tjerë po shihen edhe si karta në duart e lojtarëve politikë.

Në anën tjetër pas kompromisit të arritur, të vetmit që u dëmtuan po konsiderohen të jenë nxënësit që humbën një pjesë të rëndësishme të gjysmëvjetorit të dytë.

Nuk u desh më shumë se një ditë me takim intensiv shefit të PDK-së për të bindur sindikatën e punëtorëve të arsimit ta ndërprejnë grevën që ishte këmbëngulëse tash e tre javë.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Kulturë e Shkencë nga fillimi i këtij viti la në shtëpi rreth 300 mijë nxnëës në arsim parashkollor, shkolla fillore e të mesme.

Të revoltuar nga Ligji për Nivelizimin e Pagave që i la punëtorët arsimorë kah fundi i tabelave të pagave që do t’i marrin punëtorët e sektorit publik,  SBAShK përmbushi ultimatumin duke filluar grevë me afat të pacaktuar.

Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Rrahman Jashari gjate takimit te sotme Foto: ZKM

Greva e u shpall më 10 janar të këtij viti.

Që nga fillimi i saj kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj kishte filluar vizitën në të gjitha shkollat në vend, për të shprehur përkrahjen e tij për mësimdhënësit. Ai madje u bënte thirrje që të mos dorëzohen pavarësisht presioneve të ndryshme.

Në mënyrë që të arrihet një konsesues për këtë grevë u mblodh edhe komisioni parlamentar për Arsim, por se as aty nuk u gjet një gjuhë e përbashkët që të ndërpritet ajo.

SBAShK nuk kishte pranuar as edhe një ofertë të kryeministrit për një rritje të pagave.

Ndërsa përfundimisht, SBAShK pranoi një ofertë më të ulët se 30 për qind, më saktësisht rreth 20 për qind rritje të koeficientit të pagës.

Me këtë vendim që pritet të votohet në Kuvend të shtunën, u pezullua greva.

Koeficienti politik i grevës

Qëndrueshmëria e SBAShK duke mos pranuar të bijnë nën kërkesën e tyre fillestare ishte admiruar dhe mbështetur në publik fillimisht.

Lidhur me grevën më së paku kishte komentuar vetëm Partia Demokratike e Kosovës.

Megjithatë kjo parti pati rolin kryesor në ndërprerjen e grevës, sipas deklaratës edhe të kryeministrit Ramush Haradinaj i cili tha se marrëveshja u arrit saje Kryekuvendarit, Kadri Veselit.

Loja politike brenda përbrenda grevës ishte e vërejtshme edhe për njohës të fushës së arsimit.

Sipas Dukaxhin Pupovcit në grevat në përgjithësi kishte tendencë për ‘matje fuqish’, brenda koalicionit qeverisës.

“ Në përgjithësi, procesi i përcaktimit të koeficientëve në kuadër të Ligjit për paga prej fillimit është karakterizuar me jotransparencë dhe politizim. Si duket, ka pasur garë në mes të ministrave nga partitë anëtare të Koalicionit se kush po siguron paga më të larta për sektorin e vet. Kështu, në një nga versionet e fundit e kemi pasur propozimin ku një konsull ka koeficient më të ulët se një drejtor shkolle, ndërsa një fizioterapeut koeficient më të lartë, që paraqet absurd të llojit të veçantë.  E të mos flasim për koeficientët e truprojeve dhe shoferëve të zyrtarëve të lartë”, tha Pupovci.

Ai tha se partitë luajtën me pakënaqësitë e sektorëve për përfitime politike.

“Kohëve të fundit doli në pah se brenda Koalicionit PAN ka mjaft dallime rreth disa çështjeve kyçe siç janë taksa për produktet serbe dhe procesi negociator me Serbinë. Në kushte të tilla nuk është e pazakonshme që palët ta “sabotojnë” njëra-tjetrën, duke nxitur pakënaqësi tek kategoritë e caktuara të qytetarëve. Në këtë rast, pakënaqësia është nxitur tek mësimdhënësit, duke i lënë me koeficient nënçmues, gjë që ka pasur implikime të gjera, pasi pothuaj se çdo familje ka një nxënës ose një student.  Unë nuk mund të spekuloj se kush çfarë roli ka pasur në këtë proces, por shihet se ka një farë gare brenda Koalicionit për të treguar se kush është shefi”, tha Pupovci.

Ai shtoi se nga kjo situatë janë dëmtuar nxënësit sepse sipas tij, pushimi vjetor u është zgjatur nga dy javë në pesë dhe tani do të duhet të punojnë të shtunave ose në javët e para të verës për t’i kompensuar orët e humbura”.

Paradoksi i marrëveshjes së SBAShK-ut me qeverinë ishte edhe fakti se u bë pa prezencën e Ministrisë së Arsimit.

Përderisa vetë ministri nuk është deklaruar për këtë çështje, këshilltari i tij, Valmir Gashi ka bërë të ditur se ministria kishte ofruar këtë ngritje pagash që nga fillimi i grevës.

“Sigurisht që nuk është arritur asgjë më shumë nga ajo që ne propozuam që në fillim, para se të fillohej të dëmtohej me greva sistemi ynë arsimor”, shkroi Gashi.

Bilall Sherifi, deputeti nga partia prej të cilës vjen edhe Ministri i Arsimit ka reaguar ndaj SBAShK-ut për shkak të ofertës që ata sot pranuan nga qeveria.

“Në funksion të informimit të drejtë të publikut, më duhet të sqaroj se këtë ofertë të cilën sot e pranoi kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jashari dhe e shpalli si fitore të grevës, e ka pasur ne tavolinë qysh gjatë javës së parë të grevës. Mirëpo kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jashari, as që ka pranuar ta merr në konsideratë këtë ofertë, duke thënë se jo vetëm që është e pa pranueshme një gjë e tillë, por kjo ofertë përbën ofendim për mësimdhënësit”, shkroi Sherifi.

Ai shtoi se kryetari i SBASHK-ut e ka për detyrë t’ua sqarojë qytetarëve të Kosovës, se me urdhër të kujt e filloi grevën dhe me urdhër kujt e ndërpreu atë”.

Në anën tjetër, analisti politik Ramush Tahiri tha se kjo marrëveshje është pozitivë pa u menduar se çka janë prapavijat.

“Është mirë që është gjetur zgjidhja dhe që është tejkaluar kriza. Edhe sindikata, qeveria e Kuvendi që kanë arritur t’i bashkojnë qëndrimet. Kjo është mënyra më e mirë për shtetet demokratike. Nuk mundemi me paragjyku pse u dasht Kadri Veseli si parti ma e madhe ose si kryeparlamentar. Me rëndësi që janë marrë vesh Kuvendi, Qeveria e Sindikata. Nuk e dimë kush u dorëzu sepse ajo shihet kur të bëhet ligji por me rëndësi u arrit marrëveshja”, tha Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat