Kuvendi miraton Projektligjin për pagat

Aktuale

Kuvendi miraton Projektligjin për pagat

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 07:41

(E plotësuar) - Deputetja nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina ka thënë se pas votimit të projektligjit për pagat në sektorin publik, kanë synim që të barazojnë pagën minimale në sektorin privat me atë të sektorit publik. Ndërkohë që votimin e projektligjit për pagat në sektorin publik e ka konsideruar fitore.

Pantina tha se me ligjin e votuar për pagat në sektorin privat nuk do të mund të abuzohet më me çështjen e pagave për këtë sektor.

Pantina: Ligji nuk është më i miri i mundshëm, ka disa mangësi

“Ndonëse ligji nuk është më i miri i mundshëm, ka disa mangësi, megjithatë për herë të parë në Kosovë çështja e pagesave nga buxheti i shtetit për të punësuarit në sektorin publik po rregullohet me ligj dhe ai nuk po i lihet siç ka qenë më herët kur secili subjekt politik dhe kryesisht ato që kanë qenë në pushtet e kanë përdorur pretekstin, gjegjësisht rritjen e pagave si instrument për të tregtuar me vota. Tani e tutje ky mjet i është hequr nga dora atyre partive që duna apo kanë dashur të abuzojnë me ceshtj4n e pagave në sektorin publik”, tha ajo.

Ajo tha se fitore tjetër e konsiderojnë uljen e dallimit në mes të pagës më të lartë në sektorin publik dhe asaj më të ulët.

Pantina: Paga minimale në sektorin privat të rritet dhe të barazohet me atë të sektorit publik

“Fitore të dytë që e konsiderojmë është se ndonëse nuk kemi arritë në masën që e kemi dëshiruar, megjithatë e kemi ulur dallimin në mes pagës më të lartë në sektorin publik dhe asaj më të ulët, tani dallimi është 1 m e1 10 dhe jo siç ka qenë më herët 1 me 17. Beteja jonë nuk do të ndalet këtu, e ardhshmja në fushë ne pagesave është që paga minimale në sektorin privat të rritet dhe të paktën të barazohet me atë të sektorin publik që është 239 euro. Besojmë që gjatë ditës do të plotësohen edhe kushtet tona të tjera, siç është ligji i dialogut që është aktualisht duke u diskutuar në seancë”, tha ajo.

***

Në shqyrtimin e dytë të Projektligjit për pagat e shërbyesve civilë, pas votimit për amendamentet e këtij projektligji, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë dhënë mbështetje tekstit përfundimtar.

Projektligji mori 62 vota për, asnjë kundër dhe vetëm një abstenim.

Haradinaj: Urime Kosovë, 70 për qind të punonjësve u rriten pagat

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Ligji për Pagat do të vendos rregull në sistemin e pagave dhe se rreth 70 për qind të punonjësve në sektorin publik do të kenë rritjen më të madhe të pagave të tyre.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, e ka quajtur ditë historike për punonjësit në sektorin publik. 

I pari i ekzekutivit tha se ky ligj do të vendosë rregull në sistemin e pagave. Derisa shtoi se me votimin e Ligjit për Pagat, rreth 70 përqind të punonjësve në sektorin publik po e përjetojnë rritjen më të madhe të pagave të tyre.

Ky është postimi i tij i plotë:

Ditë historike për punonjësit në sektorin publik. Sot për herë të parë Kosova u bë me ligjin e pagave, që vendosë rregull në sistemin e pagave dhe rreth 70 përqind të punonjësve në sektorin publik po e përjetojnë rritjen më të madhe të pagave të tyre.

Poashtu, me kalimin e pakos së ligjeve për administratën shtetërore dhe për zyrtarët publik Kosova ka shënuar një arritje të madhe, duke përmbyllur një punë intensive të të gjitha institucioneve të vendit, në zbatim të programit të punës së Qeverisë, Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Agjendës së Reformave Europiane dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim.

Falënderoj deputetët për përmbylljen e kornizës ligjore, që konsiderohet si shtyllë e shtetit dhe funksionimit të tij që i jep vendit qeverisje të mire, zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit, si dhe përafron Kosovën me Bashkimin Europian.

RH

Kuvendi ua rrit pagat profesorëve për 24 euro

Kuvendi i Kosovës ka vendosur t’ua rrisë pagat profesorëve, asistentëve, ligjëruesve, lektorëve e bashkëpunëtorëve shkencorë për 24 euro. Llogaritur në koeficient i bie që pagat janë rritur për o.1 për qind të koeficientit. Kjo rritje e pagave është bërë nga PDK’ja.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash kanë miratuar amendamentin e propozuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që punëtorëve të arsimit në universitete publikuar t’iu rritet koeficienti i pagës për 0.1.

Veseli ka thënë se kjo rritje e koeficientit prej 0.1 ka qenë një premtim që u është dhënë profesorëve të universiteteve.

Pas miratimit të këtij amendamenti profesorët e universiteteve do të marrin 24 euro më shumë në pagën e tyre.

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ndërkohë ka thënë se një propozim i tillë është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

Ndërkohë nuk kaluar edhe amendamenti i dytë i propozuar nga Veseli që t’i rritet paga edhe kryetarit të Agjencisë Anti-korrupsion.

Veseli ka thënë se paga e tij duhet të jetë sa e një deputeti të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Zemaj: LDK e përkrah Gjyqësorin

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën që po mbahet për Buxhetin 2019 dhe Ligjin e Pagave, kanë debatuar edhe për Gjyqësinë, përcjell Bota Sot.

Prokurorëve dhe gjyqtarët të Kosovës nuk do iu ulen pagat, për këtë ka folur edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj dhe i ka përkrahur.

Zemaj tha se  jemi të përgjegjshëm ndaj kësaj situate dhe LDK e përkrah Gjyqësori .

"Parimin e mos diskriminimit ta kemi për të gjithë njëjtë. LDK dëshiron ta dëgjoj komisionin funksional se çfarë kanë menduar. Këta sigurisht e kanë pasur që t’i ulen pagat Qeverisë e kjo në mënyrë analoge ka ndikuar tek Gjyqësori. Ne jemi të përgjegjshëm ndaj kësaj situate dhe LDK e përkrah Gjyqësorin”, tha  Zemaj.

Image

Veseli: Kosova po bën hap historik me Ligjin për Pagat

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka propozuar dy amandamente  në kuadër të Ligjit për Paga.

Të njëjtat kanë të bëjnë me pagat e punëtorëve në universitete, koeficentët e të cilëve do të rriten prej 0.1 për qind.

Veseli po ashtu ka thënë se Kosova po e merr një hap historik me votimin e Ligjit për Paga.

“Dëshiroj t’i bëj dy propozime apo dy amandamente. Dëshiroj t’i falënderoj deputetët dhe ministrin e Adminsitratës Publike dhe minstrin e Financave si dhe Komisionin Parlamentar. Pas 20 viteve po e bëjmë një hap që mund të quhet një hap historik. Kjo është fitorja më e madhe e drejtësisë për Pagat”, ka thënë ai.

“Mjekët, profesorët, arsimtarët, ushtarët, shumica do të kenë rritje të pagave”, ka shtuar ai.

E propozimi i dytë i Veselit kishte të bënte me rritjen e pagës së drejtorit të Agjencisë Anti Korrupsion.

“Amandamenti 58 a, ka të bëjë me punëtorët në universitete. Nga pika 133 deri 144, propozoj shtim linear prej 0.1 për qind”, ka thënë ai.

“Propozimi i dytë 58 b ka të bëjë me Agjencionin Anti Korrupsion. Drejtorit të AKK-së iu ka ul paga dhe ky nuk është lajm i mirë. Pra paga t’i bëhet sa e deputetëve”, ka thënë ai.

Ismaili – deputetëve: Votojeni ligjin që garanton rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismali, edhe një herë u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të votojnë ligjin që siguron rritjen e pagave për profesionistët shëndetësorë.

Ismaili i ka ftuar deputetët që të mos i qesin pengesa këtij ligji duke rrezikuar që gjithçka të kthehet në pikën zero.

“Mos krijoni një fontanë dëshirash e në fund të mos mund t’ia rrisim pagën askujt”, ka thënë ministri Ismaili.

“Ju ftoj që të votoni këto amandamente që janë të realizueshme. Ne tashmë kemi një ligj që siguron pagat më të mëdha për mjekët dhe infermierët në 20 vitet e fundit. Nëse këtyre propozimeve u qitet pengesë, gjithçka rrezikon të kthehet në pikën zero”, ka thënë ai.

***

Deputetë e Kuvendit të Kosovës e kanë kaluar amandamentin i cili u jep pagë zëvendësministrat edhe pas përfundimit të mandatin.

Ky propozim është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, por që ma pas me mbi 40 vota ka kaluar si i miratuar.

Rikujtojmë që në Qeverinë e Kosovës momentalisht kemi të emëruar rreth 70 zëvendësministra.

Nuk votohet amendamenti për heqjen e shtesave të deputetëve 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën që po mbahet për Buxhetin 2019 dhe Ligjin e Pagave, kanë debatuar.

Në këtë seancë të sotme ka shprehur paknaqësit e tij edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ai ka thënë se në Bashkimit Evropian një zyrtar shtetëror nuk e ka pagën sa 15-fishi i pagës mesatare
.
Ai tha se jemi rasti i vetëm në Evropë, ku po e lejojmë 15-fishin e pagës mesatare, përcjell Bota Sot

“…Sa i përket rrogës 5 mijë e 500, unë e kam një pyetje. Ma gjeni një vend në BE, ku një zyrtar e ka pagën sa 15-fishi i rrogës mesatare. Na jemi rasti i vetëm në Evropë, ku po e lejojmë 15-fishin e pagës mesatare…”, ka thënë Konjufca.

Sejdiu: Nuk dua të mendoj që ligjet shkruhen për një mandat qeverisës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën që po mbahet për Buxhetin 2019 dhe Ligjin e Pagave,kanë debatuar.
 Në këtë seancë deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu u shpreh se ligji e përcakton se Qeveria mund të marrë vendime sa i përket tavanit dhe minimumit,përcjell Bota Sot.
 .
Ai tha se si PSD jemi tepër të interesuar që stafin profesional në ndërmarrje me interes strategjik t’i mbajmë në ndërmarrje publike dhe të mos krijojmë hapësirë

“Si PSD jemi tepër të interesuar që stafin profesional në ndërmarrje me interes strategjik t’i mbajmë në ndërmarrje publike dhe të mos krijojmë hapësirë dhe kokëçarje sa i përket tavaneve të përcaktuara. Unë nuk dua të mendoj që ligjet shkruhen për një mandat qeverisës. As nuk dua të mendoj që si deputet duhet të argumentojë mbi një mandat qeverisës… Pra ne jemi kundër këtyre amandamenteve”, përfundoi Sejdiu.

Bajrami: 5 mijë e 500 euro ka qenë paga e kryeshefit të Trust-it, kjo është anomali

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën që po mbahet për Buxhetin 2019 dhe Ligjin e Pagave,kanë debatuar.

Edhe  deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se paga 5 mijë e 500 euro në muaj për kryeshefin e Trust-it është anomali.

Gjithashtu ajo ka  thënë se ai e ka pasur këtë pagë edhe kur i ka fituar 200 milionë euro edhe kur i ka hup shumë të mëdha të pareve,përcjell Bota Sot.

“...5 mijë e 500 euro ka qenë paga e kryeshefit të Trust-it. Kjo është anomali. Ai e ka pasur këtë pagë edhe kur i ka fituar 200 milionë euro edhe kur i ka hup shumë të mëdha të pareve. Kërkoj shpjegime sepse sapo votuam që ndërmarrjeve publike t’u caktohen tavanet e pagave, ndërkohë që për trustin pensional këtu kemi bërë një përjashtim dhe unë nuk e kuptoj pse është bërë një përjashtim i tillë, pse duhet ta privilegjojmë një institucion të tillë. Nëse jemi për të caktuar parime, për të caktuar kufijtë minimal dhe maksimal atëherë duhet t’i trajtojmë të gjithë në mënyrë të barabartë....”, tha Bajrami.

Zëvëndësministrat do të paguhen edhe pasi t'iu përfundojë mandati

Deputetët e Kuvendit kanë miratuar një amandament sipas të cilit zëvëndësministrat do të paguhen edhe pasi t'iu përfundoj mandati.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kaluar një amandament të propozuar nga Komisioni funksional që përpiloi Projektligjin për pagat në sektorin publik, i cili “shpërblen” zëvendësministrat edhe pas përfundimit të mandatit të tyre.

Me mbi 40 vota, deputetët kaluan amandamentin i cili i shpërblen me pagë kalimtare zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës.

Për këtë amandament, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që të hiqej pasi e konsideroi si të padrejtë. Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu deklaroi se zëvendësministrat nuk mund të krahasohen me pozitat e presidentit, kryeministrit apo deputetëve të “zgjedhur nga populli”.

***

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar amendamentin i cili kërkon heqjen e shtesave deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

"Qëllimi i këtij amendamenti është që mos të ketë shtesa për kuvendarët. Ta zëmë deputetët e Kosovës përveç pagës bazë marrin edhe shtesa në komisionet parlamentare , shtesa edhe për seancë. Prandaj ne kemi propozuar që këtë shtesë ta kenë vetëm anëtarët e Kuvendit Komunal sepse paga e tyre është e vogël por me këtë u është rritur koeficienti. Me koeficientin që kemi paga e deputetit është e madhe që i bie mbi 2 mijë euro. Nuk kemi nevojë për shtesa. Në qoftë se deputetët e kanë pagën bazë ata nuk shkojnë në seanca pasi e marrin, por qëllimi ka qenë që nëse nuk e merr pjesë në seanca atëherë t’i hiqet nga paga bazë”, ka thënë ajo propozuesja e amendamentit Albulena Haxhiu.

________________________________________________________________

Pas miratimit të projektligjit për administratë shtetërore dhe agjenci të pavarura, dhe projektligjit për zyrtarët publik, Kuvendi i Kosovës ka filluar shqyrtimin e projektligjit për pagat në sektorin publik.

E votimi i 77 amandamenteve sa edhe ka ky projektligj, u përcoll me disa komente, ku pati edhe tërheqje të disa amandameneteve.

Ndryshe, për projektligji për zyrtarët publik 62 deputetë kanë votuar për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Miratohet ligji për Zyrtarët Publik

Ka kaluar në Kuvendin e Kosovës projektligji për Zyrtarët Publik.

Ky projekt ligj ka kaluar me 62 vota për, kurse deputeti Nait Hasani në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Administratë Publike ka konsideruar se ky projektligj është mjaft i rëndësishëm për zyrtarët publik.

“Ky projektligj është mjaft i rëndësishëm për zyrtarët publik, rregullohet qasja më e mirë e institucioneve” është shprehur Hasani.

Miratohet projektligji për administratën publike dhe agjencitë e pavarura

Kuvendi i Kosovës ka votuar projektligjin për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura.

Në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet seanca në të cilët pritet të votohet edhe buxheti për vitin 2019.

Ndërkohë është votuar pika e parë e rendit të ditës me 65 amandamente të cilat u votuan një nga një.

Pika e parë e rendit të ditës ishte votimi i projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës dhe Agjencive të Pavarura.

__________________________________________________________________________________________

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën në të cilën do të shqyrtohet projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Gjithashtu do të shqyrtohet për herë të dytë projektligji për pagat në sektorin publik, projektligji mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, si dhe projektligje tjera.

__________________________________________________________________________________________

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu ka thënë se nuk do të jenë pjesë e qeverisë, por janë në opozitë.

Këtë koment e ka bërë para se të fillojë seanca e Kuvend, e cila ishte paraparë të nis nga ora 10:00.

“Jo, ne kemi thënë PSD ka sjell një frymë të re të opozitarizmit, ku në mundësitë e veta por këtë mandat ne nuk do të jemi pjesë e qeverisë” ka thënë ai.

Sipas Sejdiut, ligji për pagat definon detyrat e secilit institucion duke përfshirë edhe delegacionin shtetëror për bisedimet me Serbinë.

Ndërkaq Sejdiu ka potencuar se të gjitha kërkesat e tyre si subjekt drejtuar qeverisë janë plotësuar, duke përfshirë edhe shkarkimin e ministrit Rikalo. Por, tashmë mbetet vetëm edhe ligji sa i përket minimizimit të shpenzimeve partiake.

“Kushti i fundit është minimizimi i shpenzimeve sa i përket pozicioneve që janë partiake, si numri i zëvendësministrave të reduktohet në dy. Ky ligj tashmë është në përpunim, aty flitet edhe për reduktimin e numrit të ministrive. Më të mos shihet qeveria si vend për punësim të militantëve” është shprehur Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së.

***

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka arritur në sallën ku do të mbahet seanca e Kuvendit dhe ndër të tjera, për disa minuta ka komunikuar edhe me Dardan Sejdiu nga PSD.

Haradinaj ka përmbushur sot një kusht të PSD-së për t’ia votuar buxhetin, megjithatë Sejdiu ka shkruar në facebook se pret përmbushjen e kritereve tjera, të cilat kanë mbetur edhe katra.

Image

____________________________________________

Kuvendi i Kosovës po mban seancë, ku do të shqyrtohet projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Gjithashtu do të shqyrtohet për herë të dytë projektligji për pagat në sektorin publik, projektligji mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, si dhe projektligje tjera.

Kuvendi voton sot për buxhetin dhe projektligjin për pagat në sektorin publik

Kuvendi i Kosovës sot mban seancë, ku do të shqyrtojë Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Rendi i ditës:

1.      Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura,

2.      Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për zyrtarët publik,

3.      Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për pagat në sektorin publik,

4.      Shqyrtimi i parë i Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë,

5.      Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-122 si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256,

6.      Propozimi për formimin e Komisionit Ad Hoc  për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social,

7.      Shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019,

8.      Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt të vitit 2019, të përcaktuar me Ligjin nr.06/L-20 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018,

9.      Shqyrtimi i Propozim-Statutit të Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat