Kuvendi i Kosovës miraton buxhetin për vitin 2019, aprovohet statuti për Trepçën

Aktuale

Kuvendi i Kosovës miraton buxhetin për vitin 2019, aprovohet statuti për Trepçën

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 18:40

(E plotësuar) -  Pika e fundit e rendit të ditës së seancës së sotme maratonike, e nisur në orët e hershme të së shtunës, ajo për shqyrtimin e Propozim-Statutit të Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A., ka kaluar me 80 vota për, 2 kundër 3 abstenime.

Pika e fundit e rendit të ditës  e seancës maratonike, ishte draft-statuti i “Trepçës”.

Kuvend i Kosovës, ka votuar pro draft-statutit të “Trepçës”, sh.a,  me 80 vota për, 2 kundër dhe 3 abstenime.

Rikujtojmë se Ligji për “Trepçën”, ka kaluar po ashtu pas mesnate në tetor të vitit 2016-të.

Njëlloj ndodhi dhe me draft-statutin.

Ndërkaq, ligjvënëseve në Kosovë i’u deshën 18 muaj që ta emëroj Bordin mbikëqyrës, përkatësisht deri në prill të vitit të kaluar.

E që nga atëherë s’u arrit që të kalojë draft-statuti.

Kuvendi i Kosovës miraton buxhetin

Kuvendi i Kosovës me shumicën e votave e ka votuar buxhetin për vitin 2019.

Me 65 vota për është miratuar buxheti për vitin 2019.

Pas një seance maratonike, PDK, AAK, Nisma, PSD dhe minoritetet e kanë votuar buxhetin.

Shumica e këtoj buxheti do të shkoj në paga, mëditje dhe pensione, derisa pjesa tjetër në asfallat dhe fare pak do të shkoj për projekte të rëndësishme.

Kuvendi formon Komisionit Ad Hoc për rregullimin e fushës së skemave sociale

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjatë votimit të mbajtur në mesnatë kanë miratuar propozimin për formimin e Komisionit Ad Hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social.

Pro Komisionit Ad Hoc kanë votuar 61 deputetë, ndërsa 2 kanë abstenuar.

Deputetët i thonë ‘PO’ ligjit që mundëson kontrollin financiar të partive 

Deputetët e Kuvendit kanë votuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit lidhur me financimin e subjekteve politike.

Me 61  për, 1 kundër dhe tri abstenime është votuar projektligji në fjalë.

Përmes këtij ligji po synohet kontrolli financiar i subjekteve politike.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ky projektligj konsiston në nevojën për qartësimin e dispozitave ligjore dhe kontrollin financiar të subjekteve politike.

Sipas tij, miratimi i këtij ligji do të thotë kontroll financiar, raporteve financiare që dalin nga Auditori i Brendshëm.

Pas shumë përplasjeve, Kuvendi voton Projektligjin për dialogun me Serbinë

Kuvendi i Kosovës për disa orë më radhë ka shqyrtuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetërorë të Republikës së Kosovës, në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Pas shume orë debati, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për këtë  Projektligji.

Pro këtij Projektligji kanë votuar 61 deputetë. Në sallë gjatë votimit ishin të pranishëm 91 deputetë.

***

Pak para hedhjes në votim të Projektligjit për dialogun me Serbinë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë atë.

Në një fjalim para deputetëve, Veseli ka thënë se kur ata fillojnë të rebelohen, mundohen ta bëjnë llom njëri-tjetrin.

Më poshtë pjesë nga fjalimi i Veselit:

Besoj se ky debat do ti shërbej transparencës para qytetarëve tanë. E kam parë nga përvoja ime, gjatë këtyre viteve sa herë i marrim gjërat seriozisht dhe orientohemi nga përgjegjësitë tona, jemi më serioz. Në momentin që fillojmë të rebelohemi, virusi, kur na rrok sherri, mundohemi me e bo llom njëri-tjetrin, mundohemi as mos me lënë të marr frymë. Kjo nuk do ta dëmtoj askë më shumë se vet neve dhe vendin që e përfaqësojmë.

Sonte kemi një temë debati, i kaluam disa ligje të administratës, që për disa dekada kanë qenë në pritje, por kemi pjesë të debatit edhe dialogun, që për nëntë muaj na ka marr shumë energji.

Për këtë kohë secili e quajtëm njëri tjetrin të ligë e tradhtar. Nne duhet të marrim një vendim, nuk është çështja e dialogut e dëshirës, rrotacioni i pushtetit do të ndodh, por gjendjen reale që e kemi në vend nuk do të na ndërroj asnjëherë.

Tani këtë vit do të kremtojmë çlirimin e vendit tonë, kemi arritur progres ,sukses, liri ,e kemi shpall shtetin, por e kemi një situatë reale, kur agresioni i Serbisë është demonstrues në shumë pjesë të vendit tonë.

Dikush do të thoshte po të jemi më burra do ta kryenim, por kjo është situata reale. Ka një situatë shumë reale dhe qëndrim të bashkësisë ndërkombëtare, e thirremi në partneritet me ta. E kemi plot gojën SHBA, dalim këtu gjermani, italiani e francezi, por edhe ata kanë një qëndrim bukur të vendosur: duhet të futeni edhe ju në këtë provës.

Nuk është dëshirë e jona të shkojmë atje e të takohemi me Vucicin. Ne pas tri dekadash pothuajse s’jemi as për dialog, as për luftë, nuk e di për çka jemi. Më e mira do të ishte të hyjmë të gjithë bashkë, të ndërtojmë një platformë, një qëndrim, përmes së cilit do të ballafaqohemi me agresionin e Serbisë.

Në vend që të përgatitemi për hapat e mëtutjeshëm, po i frikësojmë qytetarët. Nuk po lëmë trima në Kosovë, po i frikësojmë nga agresioni i Serbisë në veri. Presidenti i vendit se ka zor me i jep Serbisë tokë. Po të ishit luftëtarë të UÇK-së s’do të mund të flinit natën. Mos u bëni qyqarë, marre ju koftë kush mendon se po tutemi nga Specialja. Prej ditës së parë kam qenë në UÇK, çdokënd kam luftuar, ku ka qenë kërkesa e popullit tim. I përgjigjem në çdo sekondë historisë së vendit tonë, e kështu ia bën edhe presidenti. A e dini se ka prind, fëmijë.. Çka nëse nesër u del se jeni gabim? Marre, turp!

O qytetarë të vendit tim, nuk ka me dal kërkush nga kjo botë me krenarinë apo marren që e ka. Vendim marrja ndaj procesit që ndërlidhet me dialogun, do ta vendosësh ti vet. Le të shkoj në delegacion kush të don, të flas çka të don, por duhet të vije dhe të tregoj këtu çka u fol.

Pse nuk shkojmë edhe me referendum pra, mos e frikësoni popullin sepse janë më trima se ne.

Quani çka të doni, fyna çka të doni, por ne e kemi vetëm një kundërshtar: Ajo është Serbia, e cila ka promovu politikat e gjenocidit mbi Kosovën, e ai është Vucici.

Mund të iu respektoj, e të mos pajtohem me mendimin tuaj, por secili ka mendimin e vet që e përfaqëson.

Borxh kërkush nuk ia ka askujt me ia fy gjenin, familjen e veprimtarinë, sepse populli jonë ka një fjalë: dy duar janë për një kokë, e secili duhet të ruaj krenarinë e dinjitetin e vet.

Po shkojmë në votim, mirë do ishte të jemi bashkë, Serbia përfiton nga ndarja jonë.

Unë e ai (Thaçi) do të jemi të parët që do të japim jetën.

Molliqaj-Zybës: Në protesta ju i keni gjuajt dy molotova e ja keni fut gjumë, mos i jep zor tash

Sërish janë përplasur në Kuvend deputetët e PSD-së e Vetëvendosjes.

Ishte deputeti Dardan Molliqaj, i cili i ka reaguar deputetit Salih Zyba, i cili sërish ka akuzuar deputetët e dorëhequr se po ia bëjnë argatin Thaçit me propozimin e këtyre ligjeve.

“S’di pse po të munojnë me të shti me fol e mos me mujt me i thanë ato që të thonë. Mos i jep zor. Edhe në këto protestat e fundit s’jeni kanë në burg. Jeni ardh qaty i keni gjuajt nja dy molotova, e keni shku në shpi ja keni fut gjumë. Unë ju thom lëne, ju vazhdoni. A po doni folim edhe për pare, edhe folim. Se jeni kanë në mbledhje. Folni për politika e grahni punës”, i ka thënë Molliqaj Zybës.

Salih Zyba: Dardan Molliqaj e ka keqpërdorur arkivin e Vetëvendosjes

Kuvendi i Kosovës është duke debatuar me orë të tëra rreth Projektligjit për Dialogun.

Ndërkohë aty është hapur një temë tjetër, jo e panjohur për këtë kuvend, ajo e ish Shërbimit Informativ të Kosovës. Veçse kësaj radhe protagonistë janë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe Partisë Socialdemokrate.

Dardan Molliqaj nga PSD ka akuzuar Glauk Konjufcën se ka shërbyer për një vit në këtë shërbim.

Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, ka thënë se Molliqaj sa ka qenë në këtë lëvizje ka keqpërdorur arkivin.

“Nëse ke diçka për mua dhe secilin nga ne publikoj. Ky e ka keqpërdorur arkivin”, ka thënë Zyba.

“Sa ka qenë në organizatën tonë e ka pasur rrogën sa të ministrit edhe pa qenë deputet”, ka shtuar ai.

Paraprakisht, vet Konjufca për akuzën që i është bërë, është përgjigjur: “I pranoj pretendimet e Dardanit, nëse ka argument”.

Haradinaj-deputetëve: Gjysma e parlamentit ishit SHIK, marre ju koftë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj ka kritikuar kolegët deputetë se nuk po e respektojnë seancën, duke mos folur për atë që është thirr seanca.

Ai në fjalimin e tij tha se shumë pak kush po ndërlidhet me temën, derisa në seancë po flitet për ligjin.

Sipas tij, ligji për delegacion shtetëror nuk i ka dhënë besim atij, ligji është votu pikërisht në Kuvendin e Kosovës dhe i  është dhënë e drejta edhe opozitës për tu bërë pjesë e saj.

Image

“E arritura më e madhe sot është e PSD-së pasi ka arrit sukses qoftë me ligjin për pagat, dialog, e shumë të tjera. Do të ishte shumë e udhës që edhe VV e LDK të jenë pjesë e dialogut, sepse në të do të vendoset për republikën e Kosovës. Nuk po diskutohet këtu a jemi pro apo kundër shkëmbimit të territoreve, e po shoh që ka edhe deputetë që po filtrojnë me presidentin. Nuk i dëgjova a janë pro apo kundër taksës, a janë pro apo kundër dialogut”, ka thënë tutje Haradinaj.

Ai tutje ka komentuar akuzat e disa deputetëve për shërbim ndaj Putinit, duke thënë se një gjë e tillë është shumë e pandershme të thuhet.

Në fund, Haradinaj u ndërlidh edhe me akuzat e deputetëve mes vete se kush ishte pjesë e SHIK-ut.

“Boll shumë ishit SHIK, gjysma e parlamentit ishit SHIK, marre ju koftë”, ka përfunduar Haradinaj.

Bilall Sherifi – Glauk Konjufcës: Vërtetë paske mësuar mirë në SHIK

Shefi i Grupit Parlamentar të Nisma-s, Bilall Sherifi ka replikuar me shefin e deputetëve të Vetëvendosjes për Projektligjin për Dialogun.

Ndër të tjera, Sherifi është lidhur për akuzës së Dardan Molliqajt ndaj Konjufcës se ka qenë pjesë e SHIK-ut për një periudhë një vjeçare.

“Vërtet paske mësuar mirë në SHIK. Ju ikë përballjeve në mënyrë diplomatike”, ka thënë Sherifi.

“Fola për përballje diplomatike dhe luftë politike. “Luftë” përdoret edhe për zgjedhje, edhe në futboll, por gjaku s’del”.

“Mos e dëshmo se vërtet ke punuar”, është shprehur Sherifi.

Konjufca i kundërpërgjigjet Molliqajt për pretendimin e tij se ishte pjesë e SHIK-ut

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca i është përgjigjur, Dardan Molliqajt për pretendim e tij ku thotë se Konjufca ka qenë për një vit pjesë e Shërbimit Informativë të Kosovës (ShIK).

“I pranoj pretendimet e Dardanit nëse ka fakte për këtë shpifje”, i është përgjigjur Konjufca, Molliqajt.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj thotë se ka bërë një zbulim për ish- partiakun e tij Glauk Konjufcen. Molliqaj thotë se Konjufca ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës.

“Glauku prin sdi sa e dini po Glauku u kanë në PDK në AAK tash është në VV, unë e ftojë Glauk Konjufcen qysh 1 vjet ditë ka qenë në ShIK këtë e kam marr vesh. Mirë është me kallxu ti edhe tjerët një ka një që jeni kanë në ShIK e po du me ta pa moralin edhe etikën”, ka thënë Molliqaj. 

***

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca i është kundërpërgjigjur deputetit të PSD-së, Dardan Molliqajt, duke i thënë se ndërrimin e partive nuk e ka problem tash, meqë sipas tij, zor është vetëm hera e parë.

Kjo e ka nxitur të kundër-reagoi Molliqaj, i cili ka thënë se Konjufca ka qenë edhe anëtar i PDK-së edhe i AAK-së.

“Meqënëse flet për ektikë, guxim dhe moral, unë e ftoj me marrë përgjegjësi, e jo mu mshef si shefi i tij. Kallxo qysh ke qenë anëtar i SHIK-ut për 1 vit të plotë”, ka thënë Molliqaj.

“Këtë e kam marrë vesh dy javë para se me dalë prej Vetëvendosjes. 1 vit ka qenë në SHIK. Glauku le ta merr guximin dhe le të kallxon qysh ka qenë në SHIK, atëherë nuk ka qenë në VV”, ka thënë Molliqaj.

“Edhe për Devollët flasim ndaq këtu ose seancën tjetër, po ma mirë ndaleni këtu se nuk ju del mirë”, ka thënë në fund Molliqaj.

E përgjigjja e Konjufcës ishte e butë.

“I pranoj pretendimet e Dardanit me një kusht, nëse ka ka naj argument”, ka thënë Konjufca.

Dardan Molliqaj, deputetëve të VV-së: Mos më detyroni, se ua bëj si Klani Pronto!

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj ka qenë i ashpër me deputetët e ish partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, derisa në Kuvend po diskutohet për projektligjin për dialogun me Serbinë.

“Merruni me temën që po flasim, e mos u merrne me mashtrime”, ka thënë Molliqaj.

Ky reagim i Molliqajt ka ardh pasi që deputeti i VV-së, Liburn Aliu ka thënë se projektligji për dialogun është mashtrim, sepse kjo i shkon në të mirë të Serbisë.

“Ju njoh mirë, mos me shtini me i marrë altroparlantat sikur në rastin e Prontos dhe me ua lëshu qëtu në Kuvend”, ka thënë Molliqaj.

“Po i qesim krejt. E ju kallxoj kush prej juve e ka pas shef atë atje (Kadri Veselin). Edhe këtij klanit tjetër do t’ju qesim me autoparlant me e pa edhe çka ka ndodh te ju. Me e pas kush është me proserb e kush është më kombëtar. Ua boj si Klanit Pronto”, ka thënë Molliqaj. 

Përplasen me pozitën, VV e dërgon në Kushtetuese Projektligjin për dialogun me Serbinë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka njoftuar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për detyrat e dialogut shtetëror për bisedimet me Serbinë.

Në debatin që është duke u zhvilluar në Kuvend, Haxhiu ka pasur shumë vërejtje për këtë Projektligj, ndërsa ka thënë se PSD duke iu bashkuar dialogut me votat e Vetëvendosjes dhe “e ka nxjerr Thaçin nga vetmia e madhe”.

“Ata që i kanë marr votat e Vetëvendosjes, nuk kanë të drejtë me hy në pazare dhe nuk kanë të drejtë ta legjitimojnë Thaçin. Nëse duan ta legjitimojnë atë, hajde lë ët shkojmë në zgjedhje. Nuk ka të drejtë që askush të marrë vendime të tjera, për sa kohë është deputet me votat e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ky projektligj është skandaloz në aspektin politik, por po ashtu edhe kundërkushtetues. Në emër të grupit parlamentar, ju njoftoj se ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Haxhiu.

Frashër Krasniqi për Vetëvendosjen: Këta duan vetëm t’i dalin fjalët profetit të tyre

Deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi, derisa po debatohet në Kuvend për Projektligjin për Dialogun, ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje që të nxjerr një plan se si të ndalet Presidenti Hashim Thaçi në procesin e Brukselit.

Por sipas tij halli i kësaj lëvizje nuk është Thaçi.

“Këta kanë dashur që mos të bëhet Ligji për Dialogun dhe mos të ketë përfshirje të Kuvendit në dialog dhe të shkojë Thaçi vet e të bëhet marrëveshje e keqe, vetëm që t’i dalin fjalët profetit të tyre, të sektit të Vetëvendosjes”, ka thënë Krasniqi.

“Sot nëse keni një plan si ta ndalet Thaçi ne jemi pro”.

Më tutje ai ka thënë se për gjashtë muaj si subjekt politik kanë prodhuar më shumë gjëra sesa që Vetëvendosje ka prodhuar për 5-6 vjet.

Krasniqi ka theksuar se për herë të parë Kosova ka ligj për dialog dhe platformë për dialog.

Hoxhaj prezanton Projektligjin për Dialogun, thotë se Kuvendi do ta ketë rolin primar

Zëvendëskryeministëri Enver Hoxhaj, ka prezantuar para deputetëve projektligjin për dialogun, në seancën e sotme. Hoxhaj tha se Kuvendi i Republikës së Kosovës bëhet pikënisja e dialogut dhe pikarritja e tij.

“Deri më tash ka qenë një kërkesë e të gjitha partive në kuvend që Kuvendi të jetë bartës i procesit të dialogut dhe të ketë Projektligj. Kuvendi bëhet pikënisja e dialogut dhe pikarritja e tij. Çdo kërkesë që kanë pasur të gjitha partitë, grupet parlamentare, çdo shqetësim është i përfshirë në këtë rrebesh”, deklaroi Hoxhaj.

Hoxhaj shpjegoi se si rregullohet përbërja e delegacionit shtetëror dhe marrja e vendimeve në procesin e dialogut. Hoxhaj tha se roli i Kuvendit të Kosovës në këtë process është i patjetërsueshëm.

“Kryefjala e këtij Projektligji sa i përket dialogut është Kushtetuta dhe mbrojtja e interesave strategjike të Kosovës. Së dyti ky projektligj i jep mandate delegacionit shtetëror të Kosovës, e mbikëqyr këtë delegacion dhe me këtë të rregullohet llogaridhënia politike para qytetarëve. Së treti ky Projektligj e rregullon përbërjen e barabartë të të gjitha subjekteve politike të atyre në pozicionin qeveritar dhe atyre në opozitë sikurse mundëson të ketë edhe një përfaqësues nga shoqëria civile. Së katërti e rregullon hierarkinë e procesit të dialogut dhe atë çka mund e të mos mund të rregullohet, funksionimin e dialogut shtetëror, strukturën dhe përgjegjësit e tij dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës, duke përfshi Kuvendi, presidentin dhe Qeverinë”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Hoxhaj tha se delegacioni shtetëror tashmë e ka të gatshme platformën për dialogun me Serbinë, të cilën u zotua që do ta sjellin në parlament kurdo që deputetët e kërkojnë një gjë të tillë.

“Në bazë të rezolutës, kemi hartuar edhe platformën shtetërore për dialog. Jemi të gatshëm ta prezantojmë kurdo që kuvendi kërkon”, tha Hoxhaj, duke shtuar se në projektligjin për dialog janë dhënë parametrat e duhur që cështja e përfaqësimit të Kosovës të bëhet në mënyrë të mirëfilltë.

LDK dhe VV kundër projektligjit për dialogun

Aktualisht po diskutohet për Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Kosovës në negociatat me Serbinë.

Kundër këtij projektligji kanë dal Vetëvendosje dhe LDK.

Kryetari i VV’së, Albin Kurti ka thënë se ekipi dialogues është një instancë jashtë shtetit që e përfaqëson Kosovën në dialog.

Kurti tutje ka thënë se vendimmarrja në këtë delegacion nuk do të jetë unanime. Sipas tij nuk mund të ketë unanimitet kur me 5 anëtarë nga 12 sa janë gjithsej mund të merren vendimet.

Ndërkohë nga Partia Socialdemokrate kanë thënë se me këtë projektligj sigurohet se ekipi dialogues do të jetë llogaridhënës ndaj Kuvendit të Kosovës.

Sipas tyre, pas çdo faze të negocimit, ekipi do t’i raportojë Kuvendit.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se me këtë Projektligj, Kuvendi bëhet pikënisja e dialogut dhe pikarritja e tij.

“Deri më tash ka qenë një kërkesë e të gjitha partive në Kuvend që Kuvendi të jetë bartës i procesit të dialogut dhe të ketë Projektligj. Kuvendi bëhet pikënisja e dialogut dhe pikarritja e tij. Çdo kërkesë që kanë pasë të gjitha partitë, grupet parlamentare, çdo shqetësim është i përfshirë në këtë rrebesh”, ka thënë ai.

Pas përfundimit të debatit pritet të hidhet në votim Projektligji në fjalë, i cili është kusht tjetër i PSD’së, për votimin e buxhetit.

Zeka: ‘No comment’ për ata që e krahasojnë Thaçin me Vuçiqin

Kuvendi i Kosovës po debaton për Projektligjin për Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Ekipit Dialogues.

Duke iu përgjigjur parafolësve të tij, dhe deklaratave për presidentin Thaçi nga deputetët e VV-së, Milaim Zeka i Nismës tha se ka ‘no comment’ për ata që e krahasojnë presidentin e Kosovës me atë serb.

Sipas Zekës, askush nuk mund ta ndalojë Thaçin të takohet me Mogherinin në Bruksel.

Madje ai pati një epitet për ata që e mendojnë të kundërten.

“Një thirrje publike për LDK-në dhe VV-në, hajde të bëhemi bashkë në politikën tonë të jashtme të dialogut”, tha ai.

“Ata që mendojnë që munden me e stopu presidentin Thaçi të takohet me Mogherinin, ata janë njerëz që politikisht mendojnë si beba jem që i ka tri vite”, përfundoi ai.

Thaçi, Kurtit: Je njeri paranojak, nuk do ta drejtosh kurrë Kosovën

Kuvendi i Kosovës po vazhdon me punimet e seancës plenare.

Deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha duke iu kundërpërgjigjur kryetarit të VV-së, Albin Kurti lidhur me votimet për ekipin dialogues, ka thënë se ai është person paranojak.

Sipas Thaçit, Kurti nuk do të jetë kurrë lider i vendit.

“Albin Kurti është paranojak, hin kqyr lista se kush cka ka votu. Shyqyr që s’ka me i ardhe rradha me e drejtu këtë vend dhe s’do të bëhemi pjesë e paranojave. Unë jam mbesë krenare e presidentit Thaçi dhe partisë e cila i ruan raportet me aleatët tanë strategjik”, ka thënë ajo.

Kujtojmë se më herët, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Paga.

Kurti këmbëngul në shqyrtimin e 33 marrëveshjeve me Serbinë

Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kritikuar përfaqësimin e delegacionit në negocitat me Serbinë.

“Përfundimisht, qysh është i papranueshëm ky delegacion dhe i pavlefshëm, unë besoj se ky projektligj do të duhej të konsiderohej i tillë dhe të kundërshtohet. Në këtë rast, unë besoj se pati të drejtë në  ofertën e tij zëvendëskryeministri, i cili tha që duhet të përfundojë në shkurt,” është shprehur Kurti.

***

Kuvendi i Kosovës po shqyrton Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetërorë të Republikës së Kosovës, në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka prezantuar Projektligjin para deputetëve, ku ka thënë  se kryefjala e këtij projektligji është Kushtetuta e Kosovës dhe mbrojtja strategjike e vendit.

Hoxhaj tha se projektligji i jep mandat të plotë delegacionit shtetëror, dhe me këtë rregullohet llogaridhënia politike para Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës.

Hoxhaj: Projektligji rregullon se çka mund dhe çfarë nuk mund të negociohet

“Rregullon atë se çfarë mund dhe nuk mund të negociohet, cilat janë vijat e kuqe të Kosovës në këtë proces, funksionimin e delegacionit shtetëror, strukturën dhe përgjegjësitë e tij, sikurse edhe koordinimin në mes të delegacionit shtetëror të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës, duke përfshi Kuvendin, Presidentin dhe qeverinë e Kosovës”, tha ai.

Tutje, ai tha se projektligji e rregullon përbërjen e barabartë të të gjitha subjekteve politike, se si të përfaqësohen në delegacion, dhe krijon mundësi të ketë edhe një përfaqësues nga shoqëria civile.

Por, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani tha se ligji në fjalë do të legjitimonte ndarjen e vendit.

Osmani: Ligji për dialogun legjitimon ndarjen e vendit

“Sot para nesh e kemi një ligj që i jep legjitimitet, e mbështetje të plotë politike presidentit dhe legalizon planet e tij për copëtim të vendit që deri tani nuk gjenin aleatë në Kosovë por ngelin thjeshtë si plane ruso-serbe për ndarjen e Kosovës. Ligji në kundërshtim me të që tha zv. Kryeministri, lëre që nuk pozicionohet në raport me negociatat e deritanishme të udhëhequra herë në mënyrë të fshehtë herë publike në nivel presidentësh, por hap rrugë që negociatat për territor të vazhdojnë duke mos vendosur asnjë kufizim të vetëm dhe asnjë vijë të kuqe për asnjë temë. Pra, ky ligj lejon edhe negociim të ndarjes edhe të shkëmbimit, edhe të korrigjimit edhe të Asociacionit të Komunave Serbe edhe ekstra territorialitetit e çka jo tjetër. Por ky ligj e ka një kusht, e ai është që kur Thaçi të shkojë në Bruksel t’i marrë edhe disa të tjerë me vete, por disa  të tjerë që nuk do ta ndalojnë copëtimin e vendit, por me ketë ligj thjeshtë do ta legjitimojnë atë”, tha ajo.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca kërkoi që Kuvendi të nxjerr një dokument, i cili do t’i ndalonte presidentit të vendit negociatat me Serbinë.

Konjufca: Kuvendi duhet të nxjerr dokument që i ndalon Thaçit negociatat me Serbinë

“Mendoj që për dy arsye Kuvendi i Kosovës duhet me nxjerr një dokument i cili ia ndalon negociatat me Serbinë, Hashim Thaçit, ajo për të cilën kemi nevojë në këtë Kuvend është një dokument që ia ndalon atij çfarëdo negociata me Serbinë. Janë dy argumente shumë të fuqishme pse duhet kjo me ndodh, e para ka të bëjë me  temat që ai po i hap në dialog me Serbinë, e kemi një president i cili, më falni, por në muajin shtator të vitit të kaluar ka thënë që është duke negociuar me Vuçiqin kufirin e gjatë 430 kilometra mes Serbisë dhe  Kosovës, siç e thotë edhe shkenca e Gjeografisë kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është rreth 370 km katorë, kah i dolën 60 km më shumë presidentit tonë. Qysh mundet me shku presidenti deri në këtë pikë të negociatave me Serbinë”, tha ai.

Debati për projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës pas miratimit të projektligjit për pagat në sektorin publik.

Image
Glauk Konjufca

Glauk Konjufca: Qeveria po i mashtron qytetarët me ekipin për dialogun me Serbinë

hefi i grupit parlamentarë të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se Qeveria është duke i mashtruar qytetarët e Kosovës me ekipin e zgjedhur për të dialoguar me Serbinë.

Ai këto komente i bërë në seancën e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se ekipi dialogues është vetëm një ekip mbështetës i Presidentit Hashim Thaçi dhe se nuk e kufizon në asnjë mënyrë punën e tij.

“Kur flasim për dialogun me Serbinë, më kujtohen debatet e atëhershme lidhur me këtë ligj. Gjithmonë motiv për krijimin e një projektligji të tillë ka qenë parandalimi i aventurave të Presidentit Hashim Thaçi, për të hapur tema të paparashikueshme”.

“Ironia në këtë ligj qëndron se në ditën kur u zgjodh delegacioni për dialog me Serbinë nga Qeveria, Kryeministri Haradinaj pati thënë se në asnjë mënyrë nuk cenohet roli që Presidenti Thaçi e ka në raport me Serbinë”.

“Ky ligj me formulimet e tij nuk e ka prekur fare punën e Presidentit Thaçi dhe se çka ai përfaqëson”.

“Unë mendoj se ky delegacion i zgjedhur nga Qeveria është ekip mbështetës i Presidentit Thaçi dhe kështu mendon edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini”.

“Për shkak se kur u zgjodh ekipi negociues, të nesërmen Federica Mogherini e dërgoi një letër ku e theksoi se si ajo e konsideron këtë ekip”.

“Letra e Mogherinit tregonte se ky delegacion është një ekip mbështetës i Presidentit Hashim Thaçi”.

“Prandaj duhet të konstatojmë se Qeveria po i mashtron qytetarët sa i përket kufizimit të Presidentit Thaçi me ekipin dialogues. Presidenti Thaçi nuk karrfar kufizimi nga ky ekip”.

“Ky ekip shtetërorë nuk e zgjodhi rrugën e konfrontimit të Presidentit Thaçi, por përkundrazi  zgjodhi rrugën e bashkëpunimit me të”.

“Unë mendoj se Kuvendi duhet të nxjerrë një dokument që ia ndalon negociatat Thaçit me Serbinë. Kuvendi duhet ta formuloi një qëndrim të qartë ku theksohet se Presidenti Thaçi nuk duhet të merr pjesë në dialogun me Serbinë”.

Enver Hoxhaj e quan të dështuar Pakon e Ahtisaarit që i dha vendit Pavarësinë

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës me emrin Enver Hoxhaj së fundi doli në foltoren e Kuvendit për të folur për projektligjin për dialog.

Hoxhaj ka amnistuar punën e bërë nga qeveritë e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë e deri më tash, duke thënë që Pakoja e Ahtisaarit dështoi t’i siguronte vendit ulësen në OKB dhe shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit.

Kritikat ndaj Pakos së Ahtisaarit kanë qenë brenda diskursit opozitar të Lëvizjes Vetëvendosje deri më tash. Duket se PDK-ja kohët e fundit është rreshtuar krejtësisht në fjalët dhe ligjërimet e partisë së udhëhequr nga Kurti.

Vjosa Osmani: Projektligji për Dialogun legalizon planet e presidentit për copëtim të vendit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, në emër të grupit parlamentar të kësaj partie, ka pasë shumë kritika për Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Ajo tha se ky projektligj po i jep legjitimitet presidentit të vendit dhe legalizon planet e tij për copëtimin e vendit.

“Para nesh kemi një ligj që i jep legjitimitet presidentit dhe legalizon planet e tij për copëtim të vendit që deri tani nuk gjenin aleat por mbetnin nën plane ruso-serbe.  Ky projektligj hap rrugë që negociatat për territor të vazhdojnë duke mos lënë asnjë vijë të kuqe për asnjë temë. Ky ligj lejon negocim edhe të shkëmbimit, asociacionit të komunave serbe etj”.

“Ky ligj ka një kusht, që kur Thaçi të shkojë në Bruksel ti marrë edhe disa me vete, por disa të tjerë që nuk do lejojnë copëtim por që e legjitimojnë atë”.

Ajo ka shtuar se ky projektligj është jotransparent.

“Gjithçka sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare përfshirë ato potenciale që mund të lidhen me Serbinë janë të rregulluara me nenin në kushtetutën e Kosovës. Pra me këtë po mundohet të bëhet materie kushtetuese. Sa i përket transparencës, kemi dëgjuar qeverinë të flas por ky ligj e bënë të kundërtën. E vranë transparencën, kësaj radhe edhe me ligj”.

Deputetja e LDK-së, kërkoi të dinte se me kë negociohet, cili është roli i presidentit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pyetja ime është me kë do negociojë ky ekip derisa e përligj rolin e presidentit nëpërmjet këtij ligji dhe garanton që mund të vazhdojë negociatat për vendin. Me kë do negociojë, që në ligj thuhet 11 anëtarë por në fakt ka 12 anëtarë. A është presidenti anëtari i 12 që nuk është përmend”.

Si është e mundur që kemi përmend 8 emra të opozitës kurse në ligj flisni për emra krejt të tjerë. U tha që timoni do ti jepet kuvendit por nëse lexojmë timonier është një zëvendëskryeministër dhe një kryetar komune. Madje po tentoni me eliminuar rolin e kuvendit. Po tentoni me formu një komision ad hock që të marr kompetenca që I takojnë grupeve parlamentare”, tha deputetja e LDK-së.

Ajo pohoi se ka shumë gjëra që duhet të eliminohen në këtë ligj, përderisa shtoi se duhet të fillohen me ndryshimet e amdandmenteve një nga një.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat