Këtë vit do të bëhet hapja e shërbimit të ri për brahiterapi

Aktuale

Këtë vit do të bëhet hapja e shërbimit të ri për brahiterapi

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 15:05
Ali Berisha

Në Kosovë, në vitin 2018 janë rreth 1500 raste të reja me kancer në Klinikën e Onkologjisë në SSHKUK, që është një trend i njëjtë me vitin 2017 që dominon sëmundja kancerit të gjirit, kanceri i mushkërive dhe kanceri i zorrës së trashë.

Kështu u tha në tryezën me temë “Sëmundjet malinje, sfidat e menaxhimit të tyre në vendin tonë dhe në botë”, me rastin e Ditës Botërore të Kancerit, e cila u organizua nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës dhe Klinika e Onkologjisë.

Drejtori i SSHKUK-ut, Basri Sejdiu, ka thënë se si menaxhmenti është i përkushtuar për trajtimin e sëmundjeve me kancer për të gjithë pacientët.  Ai theksoi se do ta mbështesin Klinikën e Onkologjisë me të gjitha pajisjet e nevojshme.

Sejdiu: Për pajisje mjekësore nuk do të ketë asnjë kursim

“Ajo çka është shumë me rendësi është se në këtë ditë, një vit më herët ka filluar shërbimi 24 orë që është ndihmesë mjaft e madhe për pacientet, për xhepin e tyre për buxhetin e shëndetësisë dhe SSHKUK-së. Gjithmonë duhet të mendojmë për përmirësim e sipër të kushteve. Është një mbështetje edhe prej qeverisë, edhe prej ministrisë, por edhe ne si SSHKUK jemi të përkushtuar që pacientin ta kemi në qendër dhe krejt ata që i shërbejnë  pacientit duhet të kenë një përkrahje. Uroj për ligjin e pagave, është një motivim shtesë për stafin, mirëpo nga aspekti i pajisjeve mjekësorë të cilat juve ju duhen nuk do të ketë asnjë kursim”, ka thënë Sejdiu.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha, tha se sëmundja e kancerit kërkon trajtim multidisiplinar, andaj në të gjitha drejtimet duhet të ketë përkushtim në luftën kundër kancerit.

Ai tha se shumë pacientë është dashur të trajtohen jashtë vendit, ndërsa kërkoi  rritjen e kapaciteteve profesionale, pasi kjo sëmundje kërkon kujdes më të madh.

Berisha: Institucionet përkatëse për parandalimin e kancerit duhet të jenë sa më efektive

“Të gjitha institucionet që merren me parandalimin e kësaj sëmundjeje duhet të jenë sa më efektivë, pasi që jemi dëshmitarë që çdo ditë e më tepër ka shumë faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në sëmundshmërinë prej sëmundjeve të kancerit. Duhet t’i rrisim kapacitetet profesionale, duhet të kemi bashkëpunim me shumë mekanizma të ndryshëm, në mënyrë që përvojat e vendeve të zhvilluara me tretman të kancerit të vijnë edhe te ne”, tha Berisha.

Ndërsa, Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në SSHKUK, ka treguar lidhur me rastet e trajtuara në këtë klinikë, duke thënë se vitin e kaluar janë shënuar rreth 1500 raste.

Kurtishi: Këtë vit do të bëhet hapja e shërbimit të ri për brahiterapi

“Në total shërbimet e Onkologjisë mjekësore dhe i radioterapisë ka arritur të ofrojë mbi 160 mijë shërbime të ndryshe onkologjike dhe radio-terapive. Çfarë janë synimet e klinikës sonë në vitet në vazhdim? Hapi i parë i cili duhet të realizohet brenda këtij viti është hapja e shërbimit për brahiterapisë, shërbim ky i cili do të na mundësojë që të kemi një trajtim edhe më adekuat të këtyre të sëmurëve si dhe do të ulë koston e mjekimit të pacientëve tanë jashtë vendit. Me kalimin e ligjit të buxhetit, është amandamentuar edhe pranimi ose instalimi i një linaku të ri me të cilin ne do të bëjmë trajtime edhe më të avancuar me rreze IMRT, adekuat me vendet e rajonit”, tha Kurtishi.     

Arbër Bislimi, kryetar i Shoqatës së Onkologëve, ka kërkuar të krijohen kushte dhe shërbime edhe më të mira në Klinikën e Onkologjisë.

Bislimi: Të ketë trajtim më efikas

“Qëllimi është që të fokusohen politikat qeveritare për nxitje të organeve vendimmarrëse për një trajtim më efikas më meritor të sëmurave onkologjikë në përgjithësi”, tha Bislimi.

Ndryshe për Ditën Botërore të Kancerit, në tërë globin mbahen aktivitete ndërgjegjësimi dhe për parandalim. Po ashtu kjo ditë shënohet në Kosovë tash e katër vjet me aktivitete të ndryshme si dhe shpërndahen fletëpalosje në sheshet e Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat