Opozita e përçarë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Aktuale

Opozita e përçarë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 20:19
Qeveria Haradinaj

Tri partitë opozitare në vend, nuk po mund që t’i bëjnë numrat për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Edhe pse që nga viti i kaluar të tria partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, janë deklaruar së kjo qeveri nuk e meriton jetëgjatësinë, as sot ata nuk po arrijnë që të bëhen bashkë për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Për kundër faktit se LDK-ja ka deklaruar se do ta rrëzoj Qeverinë Haradinaj edhe me votat e Listës Serbe, këtë gjë nuk po e pranojnë dy partitë e tjera në opozitë, LVV-ja dhe PSD-ja.

Lidhja Demokratike e Kosovës pohon se është gati për zgjedhje, madje aktualisht edhe votat e Listës Serbe do të pranohen për ta rrëzuar Qeverinë.

Kështu kishte deklaruar gjatë ditës së djeshme, deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri.

Mirëpo ndryshe, mendojnë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në PSD.

Deputeti i kësaj partie, Ismajl Kurteshi, në një përgjigje ka deklaruar se Vetëvendosje në asnjë mënyrë nuk bënë marrëveshje me Listën Serbe.

Kurteshi ka thënë se Lista Serbe i mbron interesat e një shteti që është armik për Kosovën dhe sipas tij LVV-ja asnjëherë nuk do të bashkëpunoj më ta.

“Vetëvendosje për këtë çështje është deklaruar shumë herë, asnjë bashkëpunim më Listën Serbe, në asnjë mënyrë nuk bashkëpunojmë më Listën Serbe. Është e drejtë e tyre, ata janë deputetë kur të duan hin votojnë, çka të duan, por ne të  shkojmë që t’ju themi ejani bëhemi bashkë ta rrëzojmë këtë ose atë, jo. Lista Serbe i mbron interesat e një shteti që është armik për Kosovën dhe ne nuk do të bashkëpunojmë”, ka thënë Kurteshi.

E të njëjtin mendim me ish bashkëpariakët duket se po e ndajnë edhe në PSD.

Në një përgjigje nga kjo parti kanë thënë se nuk do ta votojnë rrëzimin e Qeverisë nëse për këtë janë përcaktuese votat e Listës Serbe.

Sipas tyre PSD është partia e vetme opozitare që ka dhënë nënshkrimet e saj për rrëzimin e Qeverisë.

“PSD është partia e vetme opozitare që ka dhënë nënshkrimet e saj për rrëzimin e qeverisë. Këtë nuk e kanë bërë as LDK e as Vetëvendosje, sado që vazhdimisht kanë folur për këtë çështje. Megjithatë, ne e kemi qartësuar po ashtu se nuk votojmë rrëzimin e qeverisë nëse për këtë janë përcaktuese votat e Listës Srpska”, ka deklaruar Shkodran Hoti, zyrtar për media i PSD-së.

Kujtojmë se disa herë është bërë thirrje që të iniciohet mocionin për rrëzimin e Qeverisë, por që deri me sot asnjëra prej partive në opozitë nuk kanë arritur që t’i bëjë numrat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat