Haradinaj thotë se nuk i bashkohet atyre që e dërgojnë Kosovën në ndarje

Aktuale

Haradinaj thotë se nuk i bashkohet atyre që e dërgojnë Kosovën në ndarje

Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 14:38

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se qëndrimi i tij është i pa kompromis ndaj çështjeve që lidhen me territorin dhe se nuk i bashkohet askujt që e çon Kosovën drejt ndarjes.

Këto deklarata shefi i qeverisë i ka bërë sot para gazetarëve, pas mbledhjes së qeverisë, ku ka përsëritur edhe një herë qëndrimin për taksën ndaj Serbisë.

Haradinaj ka thënë se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe do të mbetet në fuqi derisa Serbia të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Ai ka thënë se nuk dëshiron të jetojë me një shije të keqe nga marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj: Cila do të jetë shija e marrëveshjes finale me Serbinë

“Unë kam vetëm një problem, cila do të jetë shija e marrëveshjes finale me Serbinë për të gjithë ne, për ne që jetojmë në Kosovë, a do të ketë shije, a do të mund të jetojmë me atë shije, për këtë jam i pa kompromis ndaj kujtdo qoftë, a është në koalicion apo opozitë, a do jetë partnerë sot, apo nesër, apo kundërshtar politik”, tha Haradinaj.

Ai ka thënë se kushdo nga kolegët e tij mund të ndjekë cilin drejtim që dëshiron, por që Haradinaj e di rrugën e tij në çdo etapë të këtij procesi.

Haradinaj: Nuk do t’i bashkohem askujt që e çon Kosovën në ndarje

“Pra, asnjë aspekt, a është qeveri, a post, a detyrë a çka do qoftë, nuk do të më pengojë që të mos e di se cili është drejtimi im. Nuk do t’i bashkohem askujt që e çon Kosovën kah ndarja, e ka lëvizja me kufij e territore. E kam bërë të qartë, kush do të shkojë kah do, unë e di që nuk jam me të, ose me ta, kush do qofshin ata, të brendshëm apo të jashtëm, kush e çon vendin tim nga ndarja, luajtja me kufij, territore , të merr përgjegjësinë, por unë nuk do të jem me ta”, tha ai. 

Duke përsëritur qëndrimin e tij për taksën ndaj Serbisë, kryeministri tha se është e papranueshme që Serbia të vendosë kushte të tilla për dialog.

Haradinaj: Beogradi nuk do dialog, po bënë shantazh

“Mendoj që Beogradi nuk do dialog në këtë rast, nuk ka lidhje taksa, e heq taksën e vendosë taksën, nuk po do dialog, Beogradi nuk po do dialog dhe vendos kushte. Edhe ne mundemi me vendos kushte, mos ta dëshirojmë dialogun, dhe kemi çka me vendos kushte. Pra, për ne është e papranueshme të kushtëzohet dialogu me kushte nga Serbia. E keqja e kësaj është pranimi i shantazheve të Serbisë. Serbia po bën shantazh, po thotë nuk vij në dialog, janë shantazhe, nuk duhet me ia pranuar Serbisë, pra është shantazh i pastër, nuk vij në dialog pa e heq këtë, mundemi me thënë pra nuk vij në dialog pa hy në Interpol, por ku shkojmë kështu. Është e habitshme pranimi i shantazheve që i bën Serbia për dialog”, tha ai.

Haradinaj ka thënë se ajo çka është qëllim i Amerikës, është edhe i Kosovës - kthimi i dialogut. Ai përsëriti që Kosova është e interesuar të kthejë dialogun me Serbinë, por nuk e kupton kushtëzimin që po i bëhet.

Haradinaj këmbëngul pavarësisht kërkesës së Veselit: Taksa nuk hiqet deri në njohje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ka bërë me dije Serbisë se nuk do ta heqë taksën për mallrat serbe pa e njohur vendin tonë.

Ai pas mbledhjes së Qeverisë akuzoi Beogradin zyrtar se është duke i bërë shantazh Kosovës duke e kushtëzuar vazhdimin e dialogut në Bruksel me heqjen e taksës.   

"I kemi treguar argumentet për taksën. Është e papranueshme të kushtëzohet dialogu, dialogu duhet me u kthyer, nuk humb vetëm Kosova pa dialog, por edhe rajoni. Taksa do të mbetet deri në njohje, besoj për këtë nuk keni dilema më. Serbia po bën shantazh të pastër. Thotë se nuk vjen në dialog pa e hequr taksën. Nuk kthehemi në dialog me shantazhe, ato nuk janë as kushte, po shantazhe, Serbia po bënë shantazhe", tha Haradinaj. 

***

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë sot se taksa për produktet serbe nuk do të hiqet deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Sa i përket kërkesës së partnerit të koalicionit – PDK-së dhe kryetarit të saj, Kadri Veseli që kjo tarifë të pezullohet për një periudhë, Haradinaj mbetet i paepur, njofton Klan Kosova.

“Vendosja e taksës është vendim i Kosovës, argumentet i kemi treguar. Kushtëzimi i dialogut është i papranueshëm, Me kushtëzime, do ta bënim një listë prej kërkim faljes për të vrarët. Dialogu duhet të kthehet. Nuk humb veç Kosova nëse s’ndodh dialogu, humb rajoni dhe gjerë. Taksa mbetet këtu deri në njohje”, ka thënë Haradinaj.

“Në koalicion jam me PDK, Nisma, AKR dhe ju siguroj se neve na ka lidh kualiteti i zgjidhjes finale. Mund të kemi dallim në hapa por të gjithëve na preokupon shija e marrëveshjes me Serbinë. Kur vendoset një marrëveshje finale shijen e saj do ta kemi gjithë jetën. Kam vetëm një problem çfarë shije do të ketë marrëveshja finale Kosovë-Serbi. A do të mund të jetojmë me atë shije? Jam i pakompromis në këtë çështje kushdo qoftë”.

“Nuk dua të jetoj me një shije të keqe në vendin tim pjesën tjetër të jetës. Kush e prish këtë shije, le të shkojë ka të dojë, por unë e di rrugën time. Nuk i bashkohem askujt që e çon Kosovën ka ndarja dhe lëvizja e kufirit. Nuk do të ketë Republikë të Dodikut ose ‘minirusi’ në Kosovë”.

Drejtpërdrejt nga konferenca pas mbledhjes së Qeverisë

Është duke u mbajtur debati publik "A mundemi të arrijmë deri tek marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, nëse marrëveshja e parë nuk është zbatuar?".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat