Skepticizëm për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

Aktuale

Skepticizëm për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 15:43
Pamje nga konferenca

Zbatimi i pjesshëm i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë i zbeh mundësitë e arritjes së një marrëveshje finale, ndërsa në rast të ndarjes fizike të veriut, serbët në anën e jugut do të humbin më së shumti.

Këto konstatime  u thanë  në një debat publik në Qendrën Mediale në Çagllavicë, ku u diskutua mbi mundësitë e arritjes së një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, duke pasur parasysh që marrëveshja e parë nuk është zbatuar.

Analisti Behlul Beqaj është shprehur se pa u zbatuar marrëveshjet e para të dialogut teknik, nuk mund të ketë marrëveshje të dytë.

Sipas tij, arsye që marrëveshja finale është shumë e vështirë janë deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku thotë se në çfarëdo marrëveshje duhet të pyetet populli. Për këtë ai thotë se marrëveshjet e  supozuara  ndërmjet dy shteteve janë shumë larg vullnetit politik të qytetarëve të dy shteteve.

Beqaj, mes tjerash, konsideron se hapja e korrigjimit të kufirit ka zhvlerësuar të gjitha përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve paraprake. Sipas tij, politika e korrigjimit të kufirit në esencë është politikë e atyre që kanë dështuar shumë në politikë-bërjen e tyre brenda kufirit

Beqaj: Ky popull nuk është përgatitur për marrëveshje, por për ndarje

“Politika e korrigjimit të kufirit është në esencë politik e atyre që kanë dështuar shumë në politikëbërjen e tyre brenda kufirit. Marrëveshjet që i kanë bërë liderët mes veti ndoshta dhe me mbështetje të ndërkombëtarëve janë shumë larg vullnetit politik të qytetarëve që jetojnë në Kosovë dhe Serbi. Nuk e përjashtoj mundësinë që të nënshkruhet marrëveshja, por po paralajmëroj një situatë shumë destabilizuese për faktin se ky popull dhe këta liderë nuk është përgatitur për një marrëveshje, por është përgatitur për ndarje”, tha analisti Beqaj.

Drejtori i organizatës  joqeveritare serbe “Aktiv”,  Miodrag Miliçeviq, ka thënë se edhe pse disa prej marrëveshjeve nuk janë zbatuar plotësisht, ato kanë kontribuar në uljen e tensioneve mes qytetarëve serbë dhe shqiptarë.

Miliçeviq: Ka pasur zbutje të tensioneve ndër etnike

“Nga ajo që ka qenë e dukshme në atë kohë duke tërhequr një paralele në pesë vitet e fundit deri më sot është karakteristikë themelore zbutja e tensioneve ndër etnike ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Nuk flas për politikanët, por flas për popullatën banorët që jetojnë në veri të Mitrovicës, përkatësisht një pjesë e shqiptarëve që janë të vendosur në disa vendbanime në veri dhe pjesën e jugut. Kjo është një karakteristikë e raporteve ndër njerëzore dhe zbutjen e tensioneve. E dobishme ka qenë që ka pasur lëvizje të njerëzve dhe të mallrave që në një mënyrë ka dalë nga ngjarjet politike. Ky është një hap tjetër që është dashur të shërbejë drejt normalizimit të raporteve të serbëve dhe shqiptarëve”, tha Miliçeviq.

Ai paralajmëroi në rast të ndarjes së Kosovës, serbët në jug do të jenë në një pozitë të pa lakmueshme, pasi do t’i humbin drejtat e tyre.

Miliçeviq: Serbët në jug do t’i humbin të drejtat institucionale

“Nëse do të ketë ndarje fizike të veriut nga pjesa tjetër e Kosovës, me siguri në anën e jugut të ne Serbët që jetojmë në Kosovën qendrore nuk mund të jemi në një pozitë të lakmueshme. Serbët që do të jetojnë në pjesën e jugut do t’i humbin të gjitha të drejtat institucionale që u garantohen me kushtetutë është fjala për vendet e garantuara në parlament. Flasim për gjuhën serbe si gjuha e dytë zyrtare në Kosovë dhe flasim për procesin e kthimit të serbëve në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa, për njohësin  e çështjeve politike, Ramush Tahiri fillimisht duhet të përcaktohen disa parime se në çfarë niveli duhet të realizohet dialogu dhe arritjen e marrëveshjes finale.

Sipas tij, marrëveshja për të qenë e qëndrueshme  duhet të pranohet  në bazë të kushtetuetshmërisë, pasi nuk mund të imponohet asnjë çështje.

Tahiri: Bisedimet me linja te kuqe nuk mund të zbatohen

“Sipas meje bisedimet me linja të kuqe nuk mund të zbatohet dhe nuk është dukuri normale në marrëdhëniet ndërkombëtare, për faktin se palët duhet të jenë të lira dhe të bisedojnë për të gjitha çështjet që i mundojnë këto vende. Marrëveshja për të qenë valide, do të duhej të pranohej dhe do të duhej të ruante kushtetutshmërinë e njërës apo vendit tjetër dhe të kalojë në kuvend me dy të tretën që të bëhen ratifikimi i marrëveshjeve ndërshtetërore ose me referendum. Këtë e përcakton vetvetiu secili vend. Por, duhet të jetë ekuivalente, nëse njëri vend shkon me referendum atëherë duhet dhe vendi tjetër dhe anasjelltas. Por, me kusht që çfarëdo bisedime dhe negociata që janë vullnetare nuk mund të imponohen rreth asnjë çështje dhe nëse janë vullnetare atëherë dhe ka mundësi të zbatohen”, tha Tahiri.

Ndërsa, gazetari serb  Zhivojin Rakoçeviq tha se nuk mund të arrihet marrëveshje finale kur problemet jetësore të qytetarëve janë të pranishme në  çdo qytet ku jetojnë serbët.

Rakoçeviq: Nuk ka raporte demokratike në terren

“Nuk ka demokraci, nuk ka raporte demokratike në terren dhe nuk ka një vendosje të kontakteve më të thella në mes enklavave, përkatësisht bashkësive në geto dhe të mjediseve në shumicë shqiptare ku nuk jetojnë më Serbët. Pra, kusht i normalizimit ka qenë termi kyq  që është harruar dhe nuk ekziston tash e sa kohë, nuk është moti në jetën publike dhe kjo quhet kthim. Pra nuk ka  pasuar kthimi i serbëve dhe normalizimi i marrëdhënieve”, tha ai.

Kosova tashmë gjendet në fazën finale të dialogut me Serbinë ku është raportuar se gjatë muajve të parë të pranverës pritet të gjendet një zgjidhje ndërmjet dy vendeve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat