Haradinaj: Kyçja e temës së Trepçës në dialog - ftesë për destabilizim

Aktuale

Haradinaj: Kyçja e temës së Trepçës në dialog - ftesë për destabilizim

Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 16:41
Trepça

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk sheh tendenca për destabilizim në veri dhe se deklarimet që shkaktojnë frikë e panik i cilëson të panevojshme.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, dje paralajmëroi se në rast të ndarjes së Mitrovicës do të ketë luftë që nuk është parë asnjëherë.

Por, kreu i Ekzekutivit vendor deklarimet e tilla i quajti të ekzagjeruar, duke thënë  se i vetmi rrezik që i kanoset vendit tonë janë planet për shkëmbim territoresh.

Haradinaj:  Nuk shoh tendenca për destabilizim në veri

“Zotëri Bahtiri, si kryetar i Mitrovicës, jep shpesh deklarata mendoj që tash jemi mësuar me deklaratat e tij. Nuk është mirë që askush të ekzagjerojë me ato deklarata, as ne, as serbët e veriut, as në Beograd. E ka ai një mënyrë të veten të shprehjes, dhe nuk shoh tendenca të destabilizimit në veri, as nga ne në Kosovë, as nga shqiptarët e jugut, as serbët e veriut. Të vetmin rrezik që e shoh për destabilizim janë planet për tregti me territore, me kufij, po ajo është rrezik. Bëjmë apel që të përmbahen të gjithë, mos të flasim, ndërsa tek akterët e brendshëm nuk shohim rreziqe, mendojmë që është zotëri Bahtiri edhe zotëri Rakiq janë të interesuar që jeta të vazhdojë e të normalizohet si në Mitrovicën e veriut si të jugut”, tha ai.

Haradinaj ka komentuar edhe deklaratën e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, dhënë për mediat serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut. Ai me këtë rast ka thënë se ky është një qëndrim i papranueshëm.

Haradinaj: Kyçja e temës së Trepçës në dialog është për destabilizim

“Sa i përket Trepçës, ligji është i Kosovës, ligji mbi Trepçën, Trepça është në Kosovë në juridiksion të Kosovës, pastaj statuti buron nga ligji, është e paprecedent dikush me komentuar një vendim të tillë të Parlamentit të Kosovës, dy të tretat e votës, pra është shembulli më domethënës që Brukselit i ka humb rruga në oborr, pra ata nuk dinë më përgjegjësinë e vet. Sa i përket Ballkanit, kyçja e kësaj teme në dialog është për destabilizim, është ftesë për destabilizim, çon kah destabilizimi. Më vjen mirë që ia kemi heq këtë temë, këtë shqetësim Brukselit, Kosova ka kryer punët vet, punët e shtëpisë sa i përket Trepçës dhe më vjen mirë që nuk e kanë këtë dert, nuk duhet ta kenë këtë dert”, tha ai.

Kreu i Ekzekutivit porositi se Trepça është e të gjithëve që jetojnë aty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat