Thaçi: E mirëseardhur nëse Putin mban fjalën

Aktuale

Thaçi: E mirëseardhur nëse Putin mban fjalën

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 09:26
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se mbështetësi tradicional i Serbisë, Rusia ka premtuar se do t’i japë mbështetje një pajtimi eventual në mes të Beogradit dhe Prishtinës, duke eliminuar pengesën potenciale në bisedimet e ndërprera.

Thaçi ka thënë se ka folur me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në nëntor të vitit të shkuar – në takimin e parë ndonjëherë në mes të dy palëve, me rastin e shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, shkruan Francë24.

“E kam pyetur direkt – cili do të ishte reagimi i Rusisë nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshjen? Përgjigja e tij ishte se do ta mbështesin”, ka thënë Thaçi në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme në Uashington.

“Përgjigja e tij ishte se ‘ne nuk mund të bëhemi më serbë sesa serbët. Nuk mund të them se jam mahnitur, por që do ta mirëprisja vërtetë nëse ai e mban fjalën”, ka theksuar Thaçi.

Mediumi francez citon që Thaçi të ketë thënë se shkëmbimi territorial “mund të jetë pjesë e marrëveshjes paqësore”  dhe ka këmbëngulur: “ Që nuk do të ketë kufij në baza etnike”.

“Jam i bindur se me këtë do t’i jepet fund një herë e përgjithmonë luftës në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe do të hapej rruga e sigurt për anëtarësim në NATO dhe BE për të dyja palët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat