Hamilton: Merkel është tërhequr, SHBA-së i intereson vetëm Kosova

Aktuale

Hamilton: Merkel është tërhequr, SHBA-së i intereson vetëm Kosova

Nga: F.B Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 10:03
Angela Merkel dhe Donald Trump

Administrata e Donald Trump nuk ka shumë kohë për Ballkanin, mendon Daniel Hamilton, ekspert i Shkollës për studime të avancuar ndërkombëtare në Universitetin “Xhon Hopkins” thotë “Zëri i Amerikës”, transmeton “Bota Sot”.

Si shprehet njohësi i mire i politikës evropiane, ai nuk është i bindur se Uashingtoni por as vendet evropiane po bëjnë sa munden në përshpejtimin procesin e integrimeve euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Hamilton, i cili me vlerësimet e tij të ashpra dallon nga ballkanologët tjerë thotë se ShBA me presidentin Trump nuk ka kohë të merret me Ballkanin dhe regjionin. 

“Administrata po përpiqet që çështjen e Ballkanit Perëndimor ta bart tek Evropa, ndërkohë që evropianët nuk i kushtojnë shumë kohë këtij regjioni. Zyrtarë të rëndësishëm amerikan që njohin terrenin janë të larguar nga postet. Thjesht nuk ka asnjë në nivelin e lartë, që merret kryesisht me çështje të Ballkanit. As prania amerikane në atë regjion nuk është e madhe dhe kufizohet vetëm në Kosovë, që është me rëndësi kyçe nga qëndrimi i pranisë ndërkombëtare atje, por e pamjaftueshme që Amerika të mund të ndryshoj diçka”, ka thënë Hamilton. 

Sipas tij gjërat nuk qëndrojnë aspak më mirë as në bllokun evropian. 

“Kancelarja Merkel në disa vite është përpjekur që të merret më shumë me atë regjion, por ka hequr dorë para ca kohe. Britanikët vendi i dytë me rëndësi që është marr me atë regjion së shpejti nuk do të jetë anëtar i asnjë institucioni të Bashkimit Evropian. Franca asnjëherë nuk ka luajtur ndonjë rol me rëndësi. E ndikuar nga rrethanat Austria është angazhuar por ndikimi i saj është i mangët që të realizoj diçka”, shton Hamilton. 

Në ndërkohë ndikimi i vendeve jo evropiane është rritur thotë bashkëbiseduesi i “Zërit të Amerikës”. 

“Jo vetëm ndikimi rus, duke përfshirë ndikimin shtetëror, por edhe kriminalitetit të organizuar. Kinezët po ashtu janë jashtëzakonisht të interesuar për investime. Shtetet islame kanë bërë ndikim në Bosnje dhe pjesë tjera të regjionit. Turqia është angazhuar nga shkaqet e veta jo gjithnjë në përputhje me qasjen perëndimore. Krahas kësaj krerët në shumicën e vendeve mbahen në pushtet duke vjedhur nga popullata dhe shfrytëzojnë shtyllat shtetërore të ruajnë pozitat”, thotë ai. 

Qytetarët e Ballkanit perëndimor janë bërë cinik në premtimet afatgjata se në të ardhmen e afërme do të bëhen pjesë e Evropës. 

“Pas përfundimit të konflikteve të viteve 90-ta, pas tragjedisë në Bosnje dhe luftës në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare ka ndërmarr disa projekte të pajtimit dhe rindërtimit të këtyre vendeve pas luftës. Prej atëherë kanë kaluar shumë kohë”, ka thënë Hamilton. 

Ai mendon se Ballkanit perëndimor i duhet angazhimi i përbashkët i të dy anëve të Atlantikut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat