Koçijançiq ndërron fjalët për Trepçën: Nuk ndërhyjmë në temat që i sillni në tryezë

Aktuale

Koçijançiq ndërron fjalët për Trepçën: Nuk ndërhyjmë në temat që i sillni në tryezë

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 10:30
Maja Kocijançiq

“Sa i përket çështjes se a është "Trepça" pjesë e dialogut, Bashkimi Evropian, si ndihmës i procesit ka qenë gjithmonë i qartë që rendi i ditës në dialog përcaktohet nga Beogradi dhe Prishtina. Ne nuk komentojmë për pikat për të cilat nuk dëshirojnë të bisedojnë. Ata i sjellin në tavolinë çështjet që i konsiderojnë të hapura dhe më pas duhet të merren vesh për atë se a duan të flasin për secilën çështje, në mënyrë që të arrihet marrëveshja juridikisht e obligueshme për të gjitha çështjet e hapura”, ka thënë Kocijançiq.

Ajo ka shtuar se dialogu ka për qëllim zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pa një normalizim të plotfuqishëm dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës përmes dialogut, të cilin e ndihmon BE-ja, nuk mund të arrihet deri te stabiliteti afatgjatë në rajon. Marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese për normalizimin është emergjente dhe vendimtare që Serbia dhe Kosova të mund të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, ka porositur zëdhënësja Kocijançiq.

Ky sqarim i saj vjen pas reagimeve të ashpra që janë shënuar në Prishtinë pas publikimit të lajmit që Bashkimi Evropian konsideron që “çështja e "Trepçës" duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar të papranueshëm qëndrimin e BE-së lidhur me "Trepçën".

“Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, dhënë medieve serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj, të martën në Facebook.

Mjaft politikanë të Kosovës dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, të martën kanë bërë thirrje për ndërprerjen e të gjitha kontakteve me BE-në për dialogun, përderisa të mos sqarohet qëndrimi i Brukselit rreth "Trepçës".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat