Ambasadori Kallaba i dorëzon Letrat Kredenciale presidentit të Hungarisë

Aktuale

Ambasadori Kallaba i dorëzon Letrat Kredenciale presidentit të Hungarisë

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 12:37
Shpend Kallaba

Ambasadori Kosovës në Hungari, Shpend Kallaba, me rastin e dorëzimit të Letrave Kredenciale presidentit hungarez János Áder, kërkoi që Hungaria të mbetet përkrahëse e vendit tonë në procesin e liberalizimit të vizave në raport me BE-në, dhe përvojave hungareze në investimet e huaja direkte në Kosovë.

Duke falënderuar shtetin hungarez për ndihmën e dhënë në shtet-ndërtimin e Kosovës, diplomati kosovar e njoftoi presidentin Áder lidhur me përpjekjet e  vendit tonë në avancimin e agjendës euro-atlantike, me theks të veçantë mbi përkushtimin që Kosova të jetë faktor stabiliteti dhe kontribuues i paqes në rajon.

Ai kërkoi gjithashtu mbështetjen e Hungarisë në procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, e me theks të veçantë në organizatat nga fusha e sigurisë, siç është ajo e Interpol-it, gjë që do të kontribuonte në parandalimin e dukurive negative.

Në këtë kontekst, u theksua se fokusi duhet të mbetet te bashkëpunimi në sferën ekonomike-tregtare dhe në shfrytëzimin e nismave dhe ngjarjeve ndërkombëtare, që do të ndodhin në Budapest, si mundësi për t’u shfrytëzuar në të mirë të Kosovës.

Pas prezantimit të Letrave Kredenciale në Pallatin Sándor, ambasadori Kallaba me një ceremoni formale të Gardës së Nderit, vendosi kurora lulesh te Monumenti i Dëshmorëve në Sheshin e Heronjve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat