Qalaj kërkon më tepër angazhim në luftimin e krimit dhe kontrabandës

Aktuale

Qalaj kërkon më tepër angazhim në luftimin e krimit dhe kontrabandës

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 17:00
Pamje nga vizita

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, gjatë një vizite pune në Drejtorinë Rajonale në Veri të Mitrovicës, ka kërkuar që të punohet më shumë për krijimin e një klime të qetë dhe më të sigurt për qytetarët, e që kontribuon edhe në sigurinë e përgjithshme të vendit.

Qëllimi i kësaj vizite të drejtorit Qalaj ishte ngritja e performancës dhe integritetit policor në punë, ndërmarrja e masave policore në aspektin reagues dhe parandalues  të veprave të ndryshme kriminale.

Drejtori Qalaj ndër të tjera ngriti edhe çështjet kyçe që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarit, bashkëpunimin dhe takimet me komunitetin, sigurinë në trafik, parandalimin e veprave kriminale, si grabitjet, vjedhjet, drogat etj.

“Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri të luftojë kundër krimit të organizuar, kontrabandës si dhe të parandalojë rastet kriminale, andaj kërkohet angazhim nga të gjithë punonjësit pa dallime”, tha ai.

Takimi rezultoi me zotimin për angazhime shtesë drejt përmbushjes së detyrave dhe obligimeve policore karshi qytetarëve të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat