Abdixhiku i përgjigjet Hazirit: Politikën e shoh më ndryshe se ti

Aktuale

Abdixhiku i përgjigjet Hazirit: Politikën e shoh më ndryshe se ti

Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 12:04
Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku

Edhe një përplasje ndërmjet gjeneratës së vjetër të LDK-së dhe të resë ndodhi mbrëmë. E dyta me radhë, ndërmjet nënkryetarit Lutfi Haziri e deputetit Lumir Abdixhiku. Haziri doli kundër Abdixhikut për deklaratat e tij ndaj BE-së për çështjen e Trepçës duke thënë se janë deklarata me inate. Në një përgjigje Lumir Abdixhiku këtë herë nuk u kursye ndaj Hazirit, duke i thënë se politikën e sheh ndryshe nga ai dhe askush nuk duhet të frikësohet që mendimet t’ia përcjellë BE-së, kur ata janë të njëanshëm

Të mërkurën mbrëma nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri në një paraqitje televizive ka komentuar statusin e deputetit Lumir Abdixhiku kur për zyrtarët e BE-së tha se tillët s’mund të jenë ndërmjetësues në dialog dhe se janë në një linjë me Serbinë.

“Të njëanshëm e pa kredibilitet, të njëjtit nuk përfaqësojnë as qëndrimet individuale të shteteve në BE”, tha Abdixhiku ndër të tjera.

Për këtë deklaratë Abdixhiku u kritikua nga Haziti, tha se janë deklarata me inate nga çdo deputet dhe çdo grup që vjen.

“Nuk guxojmë në asnjë mënyrë të këcënojmë marrëdhëniet me partnerët. Raportet e tensionuara duhet t'i shtensinojmë me kompromise tonë në politikë”, tha Haziri ndër të tjera.

Mirëpo, Abdixhiku as pas kritikave të bashkëpartiakut të tij nuk është zmbrapsur nga deklaratat për BE-në. Duke theksuar se mbi këtë temë ka dallime substanciale me Hazirin.

“Unë politikën e shoh shumë më ndryshe”, tha Abdixhiku të enjten për Express.

Ai shtoi se askush nuk duhet të ketë frikë që mendimet t’i përcjellë te zyrtarët e BE-së, sidomos atyre që mbajnë pozicione të njëanshme.

“Sa herë që ndonjë zyrtarë i BE-së shpërfaqë qëndrime në kundershti me të drejtën ndërkombëtare dhe interesin nacional të Kosovës, secili zyrtar kosovar duhet ta këtë për obligim të ngre zërin kundër një qëndrimi të tillë. Heshtja jonë është aprovim. Qartësimi i temës së Trepçës është domosdoshmëri; në të kundërten përben precedan të rrezikshëm dialogues. E përderisa jemi në të drejtën tonë, s’duhet të kemi frikë që mendimet tona tua përcjellim përfaqësuesve ndërkombëtare - sidomos atyre që mbajnë pozicione të njëanshme”, tha Abdixhiku.

Këtë herë Abdixhiku nuk u kursye në deklarata ndaj kolegut të tij, edhe pse dikur thoshte se në me bashkëpartiakët komunikon vetëm brenda partisë. Tha se ka dallime substanciale me Hazirin dhe politikën e sheh ndryshe.

“Natyrisht, mbi këtë temë dhe mbi këtë qasje, kemi dallime substanciale me z.Haziri. Unë politikën e shoh shumë më ndryshe”, përfundoi ai.

Ndryshe, në LDK historikisht ka pasur kundërshtime ndërmjet anëtarëve të partisë. Këto kundërshti kanë marrë më shumë hov kur në LDK u anëtarësua një strukturë e re që aktualisht janë deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Përplasje mes gjenaratave ka pas ndërmjet Isa Musfaës e Vjosa Osmanit, Lumir Abdixhikut e Lutfi Hazirit. Agim Veliut e Driton Selmanajt etj.

Pikërisht për këtë temë javën e kaluar në një intervistë deputeti Anton Quni tha se shprehja e mendimeve është tregues i demokracisë së brendshme të partisë.

“Në LDK bashkëveprojnë të gjitha gjeneratat, dhe kjo çmohet si pasuri. Po ashtu, kultura e komunikimit dhe shprehjes së qëndrimeve është tregues i demokracisë së brendshme para arritjes së qëndrimit të përbashkët. Ne fund LDK-ja flet vetëm me një zë”, u shpreh Quni.

Ky është statusi i Lumir Abdixhikut për të cilin reagoi Lutfi Haziri:

Zyrtarët e BE-së,

- Kur e bëmë ushtrinë thanë është provokim. Duhet marrë pëlqimin e Serbisë. Merreni me mend.

- Kur vendosëm për Trepçën, thanë është nguti. Vendoseni pasurinë në tavolinë me Serbinë.

Të tillët s’mund të jenë ndërmjetësues në dialog. Të tillët, me mendje kështu, janë palë me Serbinë. Të njëanshëm e pa kredibilitet, të njëjtit nuk përfaqësojnë as qëndrimet individuale të shteteve në BE. Ndërmjetësimi i tyre është i komprometuar; si të tillë, këtë ndërmjetësim - deri në qartësim - Kosova duhet ta refuzojë menjëherë..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat