Kuvendi nxjerrë rekomandime për luftimin e dhunës seksuale ndaj të miturve

Aktuale

Kuvendi nxjerrë rekomandime për luftimin e dhunës seksuale ndaj të miturve

Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 09:36

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës në Drenas, ka vendosur që të gjitha rekomandimet të propozohen dhe më pas të harmonizohen që të parandalohen rastet e tilla.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, si inicuese e seancës tha se të gjitha rekomandimet të harmonizohen dhe të jepen propozime që do të parandalojnë rastet e tilla.

“Dua të falënderoj çdo deputet. Ne propozojmë që krejt këto qe ishin si kërkesa për orientim të harmonizohen për krejt këto përfaqësuesit e grupeve. Është mirë që të ofrojnë tekstin e harmonizuar”, ka thënë Kajtazi.

Ndërsa bashkëinicuesja e debatit parlamentar, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, tha se nga kjo seancë kanë dalë rekomandime të vlefshme gjersa kërkoi që nga grupet parlamentare të zgjidhen përfaqësues të cilët do të harmonizojnë rekomandimet.

“Ka pas rekomandime me vlerë që duhet të përfshihen dhe kërkojmë që këto rekomandime të jenë në harmonizim me konventën dhe mendojmë që secili grup parlamentar të propozoj një emër që të sjellin rekomandimet e harmonizuara në seancën tjetër. Mirëpo kam kërkesë që të gjitha rekomandimet të zbatohen”, tha Kollçaku.

Për të gjitha këto rekomandime u zgjodhën përfaqësuesit e grupeve parlamentare të cilët janë: Fatmire Kollçaku nga LVV-ja, Xhevahire Izmaku nga PDK-ja, Albulena Balaj nga Nisma, Driton Qaushi nga PSD-ja, Shkumbim Demalijaj nga AAK-ja, Lirije Kajtazi nga LDK-ja, Duda Balje nga 6+ dhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa.

Deputetja tregon ngacmimet seksuale që kishte pasur edhe një nxënëse në Prishtinë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina e ka dënuar ashpër rastin e keqpërdorimit seksual të së miturës në Drenas.

Këtë e ka bërë në seancën e Kuvendit e cila po mbahen për këtë çështje, seancë të cilën Brovina e ka konsideruar si të mirë menduar.

Sipas saj, tashmë institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa për dënim maksimal ndaj viktimave.

Po ashtu, Brovina ka përmendur edhe rastet e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, të cilët sot po kërkojnë drejtësi por në anën tjetër sot po ndodhin raste abuzimesh në Kosovë.

Fjalimi i Brovinës:

Ngrisë zërin e revoltës si mjeke e fëmijëve, si nënë e shprehi indinjatën time të thellë për abuzimin e vajzës së mitur, nga ata që duhet të ishin prind të dytë dhe ta mbronin.

Duhet të them që jam krenare për reagimin e opinionin  e cila reagoj me kohë dhe si i ka hije, më vjen mirë që u organizua ky takim dhe pres që institucionet gjegjëse të marrin masa për kryesit e krimit.

Veprime abuzuese nga ana e individëve e njollosin institucionet tona dhe e humbin besueshmërinë në këto institucione, e këta individ duhet të dënohen se nuk e kanë të drejtën të abuzojnë me të miturën fatkeqe, por nuk kanë të drejt as ti përdhosin këto institucione të ndërtuara me mund.

Këto krime ndodhin edhe në shtete demokratike, por jo të gjithë reagojnë si ne, për shkak se ne jemi të lënduar qysh më herët kur ndodhi abuzimi i grave dhe burrave, fëmijëve gjatë luftës. Në këtë moment jemi duke u përpjekur të dëshmojmë këto krime e tani na ndodhi këto krime të tilla.

Jemi të ndjeshëm edhe për shkak të sakrificës së madhe të ndërtimit të institucioneve dhe shtetit ndaj kemi të drejt ti ndëshkojmë ashpër këta njerëz, e jemi edhe më të ndjeshëm për shkak të rritjes së fëmijëve dhe zhvillimit të tyre.

E keqja e turpshme ndodhi, tani duhet viktimat të na drejtohen dhe të jemi të zëshëm në mbrojtjen e të drejtave të tyre.  Ata kanë nevojë për zërin ton, për mbrojtjen ton institucionale. 

***

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci u shpreh se rasti i viktimës së keqpërdorimit seksual nga Drenasi tregon se në çfarë niveli janë institucionet që i ka Kosova.

Se ngacmimet seksuale janë të pranishme shumë edhe në institucionet arsimore, Nagavci e forcon me një shembull të një nxënëse tjetër, e cila i kishte ndodhur sa ajo ishte në krye të arsimit në Prishtinë.

Ajo ka shtuar se për shkak të kriminaliteti që i kanë kapluar institucionet tona krimi mbi grat dhe vajzat është bërë i zakonshëm.

“Kur kemi pranuar ngacmimet, kam kuptuar ngacmimet që një mësimdhënës i ka bërë ndaj nxënëses po ashtu të shkollës fillore. Ne e kemi suspenduar menjëherë nuk e kemi bërë shumë publike këtë çështje sepse është obligim i joni që të kujdesemi për mirëqenien e vajzave dhe gjegjësisht viktimës dhe e kemi paraqitur rastin tek organet kompetente dhe në hetuesi, i kemi ndërprerë marrëdhënien e punës, kontratën e punës të rregullt këtij mësimdhënësi”.

 Haxhiu-ministrit të Brendshëm: Mos mendo, jep dorëheqjen

Deputeti i Partisë Social Demokrate, Fisnik Ismaili e ka quajtur shqetësuese gjendjen e fundit në vend rreth temës për abuzim dhe shantazhe seksuale.

Në seancën e sotme, deputeti përmendi disa raste kur personat zyrtar keqpërdorin detyrën.

“Dëgjoj raste që profesorë shkëmbejnë nota për favore seksuale. Dëgjoj për shantazhe përdhunime që abuzojnë me pushtetin e tyre që çdo herë janë shukatë.  20.000 gra na kanë përdhunu dhe shoqëria jonë s’flet se është ‘marre’. Ne i paragjykojmë viktimat dhe i legjitimojmë abuzuesit duke shukat. Burrni nuk është abuzim me femra, por ndaljen e kësaj dukurie”, është shprehur ai.

Haxhiu-ministrit të Brendshëm: Mos mendo, jep dorëheqjen

Albulena Haxhiu, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, tha se janë të obliguar të adresojnë çdo ditë çështjet gjinore, për secilën grua dhe vajzë që përballet me probleme të tilla.

Në fjalimin e saj në seancën e stome të jashtëzakonshme që po mbahet për rastin e vajzës nga Drenasi, e cila dyshohet të jetë abuzuar seksualisht nga një mësues dhe një polic.

Haxhiu tha se mund të ketë shumë raste të tilla të cilat nuk dihen publikisht dhe nuk do të dihen asnjëherë.

Haxhiu: Nuk e dimë pse prokurori ka mbyllur hetimin ndaj mësuesit

“Ministri i punëve të brendshme tha se që e ka menduar dorëheqjen, po mos mendo bëje dorëheqjen, ski nevojë me mendu se ka ndodh një rast jashtëzakonisht i rëndë. Ne ende po ashtu, nuk u njoftuam pse prokurori i rastit ka mbyllur hetimet kundrejt mësuesit, ose nuk u njoftuam se para se me i mbyll hetimet a ka kryer ndonjë ekzaminim mjekësor, ose ndonjë ekzamini të telefonit, apo mesazheve në rrjetet sociale, a ka bërë diçka prokurori i rastit kur e ka mbyllur lëndën për ngacmim seksual, e mësuesit. A e ka marrë në pyetje të dyshuarin, ose ndonjë dëshmitarë, apo vetëm e ka mbyllur rastin sepse vajza nuk ka ofruar prova. Sistemi ynë arsimor përveç që na lë të keq-arsimuar, shkollat tona janë bërë vende krimi, akuzat për ngacmim të nxënësve në shkolla po rriten e sa e sa kanë kaluar e po kalojnë në heshtje”, tha ajo.

Sipas Haxhiut, institucionet duhet të jenë vigjilente.

Ymeri: Kosova është një shtet që i dhunon vajzat dhe gratë

Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare për dhunimin seksual në Drenas, në emër të Grupit Parlamentar të PSD-së, Visar Ymeri, ka thënë se është hipokrizi të diskutohet sot në parlament për dhunimin, sepse tashmë është shumë vonë.

Ymeri ka thënë se në Kosovë nuk është ndërtuar shtet që i mbron vajzat dhe gratë, por një shtet që i dhunon.

Ai tha se për këtë rast të dhunimit në Drenas, institucionet e Kosovës kanë dështuar, sepse siç tha ai në këtë krim janë të përfshira tri instancat e autoritetit: mësuesi, polici dhe mjeku, të cilët si zinxhirë keqpërdoren pozitën zyrtare e autoritetin që ia m’vesh profesioni e sistemi për t’u angazhuar në përdhunim sistematik ndaj një të miture, duke përjashtuar tërësisht subjektivitetin e saj njerëzor e të drejtat e saja qytetare.

Po ashtu, ai tha se ajo që është parë këto ditë në formë të reagimit shoqërore është inkurajuese.

Ymeri: Kuvendi duhet ta nxjerr një rezolutë me propozime

“Një reagim i tillë shoqëror duhet domosdoshmërisht të reflektohet me reagimin e duhur institucional dhe kjo seancë mes tjerash e ka edhe këtë qëllim, ta prodhoj në fund një rezolutë propozimesh, masash konkrete të cilat domosdoshmërisht duhet të merren parasysh nga autoritetet veçanërisht nga ekzekutivi në mënyrë që sa do pak ta sanojmë gjendjen dhe t’i krijojmë disa prej masave parandaluese të krimeve të tilla”, tha Ymeri.

Ymeri ka thënë se duhet t’i kushtohet kujdes të veçantë masave rehabilituese e socializuese për viktimën nga Drenasi, duke fuqizuar dhe mirë financuar strehimoret të cilat ekzistojnë në Kosovë.

Reçica: Abuzimi në Drenas, akt i shëmtuar kriminal

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Elmi Reçica në seancën e jashtëzakonshme, shprehu indinjatën e thellë për ngjarjen e fundit që lidhet me rastin e abuzimit seksual ndaj një nxënëseje të mitur në Drenas.

Kjo vepër sipas Reçicës duhet dënuar ashpër ngaqë është akt kriminal. 

Reçica: Ngjarje fatkeqe që vërtet ka shkaktuar hidhërim dhe tronditje

“Ngjarje fat keqe që vërtet ka shkaktuar hidhërim dhe tronditje të madhe në opinionin e gjithmbarshëm të vendit tonë. Me këtë rast patjetër që duhet shprehim keqardhje të thellë për vajzën dhe familjen e saj për të gjitha ato dhimbje, vuajte, shpërdorim, mashtrim, kërcënim, keqpërdorim nëpër të cilat ka kaluar e mitura dhe familja e saj. Në çdo rast është e pa pranueshme dhe e dënojmë ashpër me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar kriminal”, ka thënë Reçica.  

Deputeti Reçica ka bërë thirrje të gjitha autoriteteve përgjegjëse, ligjzbatuese që të ndërmarrin të gjitha veprimet e domosdoshme dhe të duhura me qëllim të hetimit dhe trajtimit të këtij rasti, në mënyrë që drejtësia të zbardh rastin në tërësi.

Ai më tej ka kërkuar që projektligji për mbrojtjen e fëmijëve të sillet sa më shpejt në Kuvend që të votohet në leximin e dytë, që është një nga format e këtij parlamenti për parandalimin rastet abuzive.

Kajtazi: Drejtësia me plot padrejtësi ka mbytur kurajon qytetare për të raportuar

Në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetja Lirije Kajtazi tha se shumë raste të tilla nuk janë zgjidhur shkaku i papërgjegjësive institucionale.

Ajo ftoi deputetët që bashkërisht të nxjerrin rekomandimet përmes së cilave kërkojnë përgjegjësi.

Kajtazi: Drejtësia  është përplot padrejtësi ka mbyt kurajën qytetare për raportim

“Ky Kuvend shqyrton raportin vjetor të këshillit të mediave pa parë se çka rrëfen dhe çka në fakt prezantojnë mediat tona para fëmijëve dhe qytetarëve tanë, e shumë e shumë raportime të agjensioneve të ndryshme të pavarura e të varura. Ky Kuvend i lejon institucionet e pavarura që të bëhen vegël e politikës e mos të flasim për Qeverinë, e cila është e mbushur me sekserë dhe pazarxhinjë politik. E drejtësia përplot me padrejtësi ka mbytur kurajon qytetare për të raportuar atë në institucione që janë të thirrura për ta mbrojtur atë”, tha ajo.

Kajtazi tha se është gabuar rëndë në sistemin arsimor kur janë parë të panevojshëm pedagogët dhe psikologët në shkolla.

Kollçaku: Të merren masat ligjore për të parandaluar shfrytëzimin seksual

Ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga Vetëvendosje dhe LDK, ku po diskutohet për rastin e vajzës nga Drenasi, e cila dyshohet të jetë abuzuar seksualisht nga një profesor dhe nga një polic.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ftoi deputetët që të angazhohen për barazi ndaj ligjit.

Ajo tha se rasti ka të bëjë me një fëmijë, dhe duhet konsensus në Kuvendin e Kosovës.

Në fjalimin e saj, Kollçaku tha se abuzuesit ishin ata të cilët do të duhej të ishin autoritet tek të cilët fëmijët kanë besim.

Image
Fatmire Kollçaku

Kollçaku: Të shqetësuar jemi detyruar të thërrasim seancë 

“Jemi detyruar ta ftojmë këtë seancë të shqetësuar sepse nuk kishim përgjigje adekuate institucionale, të tre ministrat që janë përgjegjës, vartësit e tyre janë përfshirë, është dashur me urgjencë të ftohej mbledhja e Qeverisë dhe të dalin me qëndrime rreth ngjarjes. Mos të harrojmë, ky nuk është rast i izoluar, këtu bëhet fjalë vetëm për një vajzë e cila mori guximin, dhe përkundër një fenomeni që deri tani nuk është regjistruar në Kosovë, fenomeni i skllavërisë në aspektin e shfrytëzimit seksual sepse këtu kemi një kohëzgjatje prej 2 vjeçare të abuzimit me një të mitur, dhe ky është një fenomen që për herë të parë po ndodh në Kosovë, dhe po denoncohet, andaj duhet shtruar pyetja a jemi të gjithë të barabartë para ligjit”, tha ajo.

Kollçaku tha se duhet të merren masa të domosdoshme ligjore për të parandaluar forma të mundshme të shfrytëzimit seksual.

Kollçaku: Të merren masa ligjore për të parandaluar të gjitha format e shfrytëzimit seksual

“Duhet të merren masa të domosdoshme ligjore apo të llojit për të parandaluar të gjitha format e shfrytëzimit seksual, dhe abuzimit seksual të fëmijët dhe për të mbrojtur fëmijët. Secila palë duhet të merr masa të domosdoshme legjislative dhe masa të tjera për të inkurajuar rritjen e njohurive për mbrojtjen e drejtave të fëmijëve midis personave që kanë kontakte të rregullta me fëmijët, në arsim ,shëndetësi, mbrojtje sociale, sektorin gjyqësor, zbatimin e ligjit dhe fusha që lidhen me sportin kulturën, dhe pikat e argëtimit. Masa të tjera përfshijnë informimin e fëmijëve gjatë arsimit fillor dhe të mesëm për rreziqet e shfrytëzimit dhe abuzimit seksual dhe mjetet për të mbrojtur vetveten, kryerjen fushatave informuese dhe sensibilizuese drejtuar publikut”, tha ajo.

Seanca po vazhdon me deklarimin e shefave të frupeve parlamentare, për të vazhduar me debat.

Kollçaku: Abuzimi ndodhi në tri nivele ndaj një fëmije

Kuvendi i Kosovës ka nisur debatin parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale të Qeverisë së Kosovës.

Në emër të propozuesit, Fatmire Kollçaku, ka thënë se për shkak të dështimit të institucioneve, kanë kërkuar këtë debat.

Kollçaku tha se abuzuesit ishin ata që fëmija do të duhej të kishin më së shumti besim.

“Abuzimi filloi në shkollë dhe krimi vazhdoi në polici, duke vazhduar krimi dhe dhunini. Ndërsa, kur ndodhi abuzimi i tretë në një institucion provat që nuk kishte licencë dhe nuk kishte kushte për adaptim”, ka thënë ajo, duke shtuar se ka shkelje në të tri nivelet”, tha ajo.

Ajo tha se janë detyruar të thërrasin këtë seancë sepse nuk kishin informacione zyrtare nga Qeveria.

Seancë e jashtëzakonshme për të miturën e keqpërdorur në Drenas

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme lidhur me ngacmimin seksual, përdhunimin dhe kryerjen e abortit të paligjshëm ndaj të miturës nga Drenasi dhe përgjegjësinë institucionale.

Kjo seancë është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, LDK dhe Alternativa.

Seancë e jashtëzakonshme për të dhunuarën në Drenas

Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbaj seancë të jashtëzakonshme lidhur me ngacmimin seksual, përdhunimin dhe kryerjen e abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale.

Fillimisht do të mbahet mbledhja e kryesisë me grupet parlamentare. Dje Lëvizja Vetëvendosje së bashku me grupin parlamentar të LDK-së dhe Alternativa-s, kanë dorëzuar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme.

Partitë  kanë kërkuar që seanca të jetë në ora 12:00.

 

Te arsyetimi i kërkesës, mes tjerash thuhet se rasti në Komunën e Drenasit shpërfaq një sistem të brishtë të parandalimit, adresimit, mbrojtjes se viktimës dhe dënimit të abuzuesit me detyrë zyrtare në administratën publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat