Konjufca: Dhunën në protestën e 10 shkurtit e shkaktuan policët e UNMIK-ut

Aktuale

Konjufca: Dhunën në protestën e 10 shkurtit e shkaktuan policët e UNMIK-ut

Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 13:39
Glauk Konjufca

Lëvizja Vetëvendosje ka përkujtuar aktivistët Mon Balaj dhe Arben Xheladini, të cilët u vranë para 12 vitesh në demonstratat e 10 shkurtit të vitit 2007.

Me këtë rast u shfaq edhe dokumentari "10 shkurti" me anë të të cilit u përkujtuan dy të ndjerët dhe ngjarja e asaj dite.

Glauk Konjufca tha se dhuna e shkaktuar në protestën e 10 shkurtit erdhi si pasojë e ndërhyrjes së policëve të UNMIK-ut.

Konjufca tha se sipas dëshmisë së një polici shqiptar, policia e UNMIK-ut u kishte thënë atyre se protestuesit po planifikojnë t'i marrin institucionet, e sipas tij, i kishe urdhëruar edhe të gjuanin protestuesit, raporton KosovaPress.

"Ajo protestë nuk ka pasur kurrfarë qëllimi tjetër përveçse lëvizjen e protestuesve nëpër pika të caktuara të qytetit të Prishtinës dhe me u ndalë disa minuta para secilit institucion të rëndësishëm të vendit tonë duke dhënë mesazhe të ndryshme në secilin prej këtyre vendeve", ka deklaruar Konjufca.

Ai tha se themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2005 kishte për qëllim ndërhyrjen në rrjedhat politike të asaj kohe.

"Ishim një grup i aktivistëve që menduam se është e rëndësishme të ndërhynim në këto rrjedha sepse fati i vendit tonë po vendosej", ka thënë Konjufca.

Përndryshe, më 10 shkurt të vitit 2007 qytetarë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje protestuan para qeverisë kundër negociatave me Serbinë dhe kundër pakos së Ahtisarit.

Nga kjo protestë u vranë dy persona, u plagosën dhjetëra të tjerë si dhe u arrestuan aktivistë të Vetëvendosjes, në mesin e tyre edhe lideri i VV-së, Albin Kurti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat