Këshilltari i Haradinajt: Taksa do të qëndrojë

Aktuale

Këshilltari i Haradinajt: Taksa do të qëndrojë

Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 16:10
Foto

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka bërë thirrje për heqje të taksës dhe vazhdim të dialogut, gjë që nuk ka ndodhur.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas thirrjeve të për pezullim të taksës dhe për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, dje, nëpërmjet dy ambasadorëve të saj, atij Scott në Serbi dhe Kosnett në Kosovë bënë thirrjen e radhës për një marrëveshje mes dy shteteve që të ndodhë këtë vit.

Por, a mund të ketë marrëveshje gjatë këtij viti?

Në lidhje me këtë, me Shefi i Kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi, është shprehur se kjo varet ekskluzivisht nga Serbia dhe se Kosova është e gatshme për marrëveshje.

“Kjo varet ekskluzivisht nga Serbia, nëse dojnë marrëveshje ne jemi të gatshem, kemi qenë kaherë, një marrëveshje për njohje reciproke është në shërbim të të dy vendeve, Kosova është e gatshme”, është shprehur Arifi.

I pyetur nëse vendimi për taksën 100 për qind për mallrat serbe do të qëndroj në fuqi ende, Arifi ka dhënë një përgjigje interesante.

“Edhe Messi do të jetë lojtari më i mirë në botë nëse ka lidhshmëri, dialogu që në fillim ka qenë i pakushtëzuar”, është shprehur Arifi.

Ai më tej ka vazhduar duke thënë se këto janë kompetenca të ndara dhe nuk janë të lidhura.

“Messi do të jetë lojtari më i mirë në botë, Prishtina do të jetë kryeqytet i Kosovës, taksa do të ekzistoj derisa t’na njeh Serbia, këto janë kompetenca të ndara, nuk janë të lidhura”, ka përfunduar Arifi.

Mirëpo, në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Avni Mazreku situatën e sheh pak më ndryshe.

Mazreku është shprehur se tema e marrëveshjes po shihet si diçka super-urgjente, por edhe si diçka që është e përgatitur, duke theksuar faktin sa e vështirë është të arrihet një marrëveshje mes shteteve.

“Mirëpo një problem që është i hapur dhe i pazgjidhur për dekada të tëra dhe në qoftë se i referohemi kohës së fundit, kohës së pas luftës ose pas intervenimit të NATO-s në territorin e ish-Jugosllavisë, shpalljes së pavarësisë së Kosovës, këto probleme kanë qenë të hapura dhe gjithë këto vite nuk është arritur një kompromis që në fakt i hapë rrugë zgjidhjes së këtyre problemeve”, është shprehur Mazreku.

Mazreku gjithashtu ka thënë se ka mungesë të transparencës sa i përket kësaj çështje.

“Dhe në fakt kur thuhet dhe kur shtrohet çështja se një marrëveshje e shpejtë mund të arrihet në çështje javësh apo muajsh, kjo duket sikur të jetë e përgatitur nga dikush tjetër dhe ka mungesë të transparencës në lidhje me këtë çështje”, ka shtuar Mazreku.

Ai gjithashtu është shprehur skeptik se një marrëveshje midis shteteve mund të arrihet kaq shpejtë, duke mos komentuar deklaratat e ambasadorëve të SHBA-ve në Kosovë dhe Serbi.

“Unë nuk mund të komentoj deklaratat e ambasadorëve sepse sigurisht ata janë të informuar, por unë jam skeptik në kontekstin e një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë që mund të arrihet kaq shpejtë”, ka përfunduar Mazreku.

Kujtojmë se Serbia zyrtare vazhdimisht ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës nga Qeveria e Kosovës, gjë që kjo e fundit po refuzon ta bëjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat