Analistët tregojnë alternativat që Haradinaj mund t’i ndjek pas presionit për pezullim të taksës 100%

Aktuale

Analistët tregojnë alternativat që Haradinaj mund t’i ndjek pas presionit për pezullim të taksës 100%

Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 21:33
Veseli, Kossnet dhe Haradinaj

Vendosja e taksës 100% ndaj produkteve me origjinë serbe dhe boshnjake po shihet si një akt politik i Qeverisë së Kosovës. Madje, një vendim i tillë sipas analistëve, ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj agresivitetit serb në drejtim të rrënimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës.

Analisti politik dhe njohësi i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu në një prononcim ka thënë se për këtë, Qeveria e Kosovës është dashur ta ketë një analizë më të thellë e gjithëpërfshirëse e cila nënkupton reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.

“Mbase qeveria është dashur të ketë një analizë më të gjatë me të holluar me gjithëpërfshirëse, e që nënkupton vendosjen e barrierave jo tarifore siç do ishte reciprociteti plotë ku çdo mall serb që nuk respekton denominimin kushtetutës të Kosovës, pra emrin e saj Republika e Kosovës të mos jetë pjesë e tregut tonë“, tha ai.

Duke parë presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vende të Bashkimit Evropian për heqjen e taksës si dhe përplasjet e partnerëve të koalicionit, ai tha se vendi tashmë gjendet përballë dy alternativave.

“Ajo që po shohim është se faktori ndërkombëtar po bën presion në heqjen e taksës dhe ne kemi parë lëkundjet e para nga partneri i koalicionit Partia Demokratike. Alternativat janë këto: ose do të pezullohet taksa dhe dialogu duhet të vazhdojë ose taksa do të mbetet dhe po shkohet drejt zgjedhjeve. Këto janë dy alternativa që unë i shoh në drejtim të këtij procesi” tha ai.

Se ka një mos pajtueshmëri mes partnerëve të koalicionit lidhur me pezullimin e taksës 100%, ka thënë edhe analisti i çështjeve politike, Ramush Tahiri.

“Deklarata e kryeministrit është shumë e qartë. Nuk pajtohet me propozimin e Kadri Veselit”, tha ai.

Tahiri, duke komentuar deklaratat e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj se taksa nuk mund të pezullohet, ka shpjeguar edhe mënyrën sesi ky vendim mund të shfuqizohet edhe pa një vendim të tij.

“Kadri Veseli po bën presion mediatik, por duket që nuk e ka proceduar zyrtarisht propozimin në Qeveri, sepse po të procedohet zyrtarisht në Qeveri, siç e ka bërë ministri Shala ose Enver Hoxhaj, përfaqësues i PDK-së, atëherë votohet dhe shihet se cili fiton. Varësisht prej propozimit a fiton p.sh. propozimi i tij për pezullim, atëherë kryeministri vendosë a t’i nënshtrohet shumicës, siç është në demokraci apo do të jap dorëheqje. Nëse shkon propozimi zyrtarisht, që edhe duhet të shkojë, atëherë Qeveria duhet që me votim të deklarohet, nëse ma shumë janë anëtarë për pezullim, atëherë taksa pezullohet dhe ai vendim hyn menjëherë në fuqi, varësisht nëse kryeministri dorë-hiqet apo jo” tha ai.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kohë që është duke u përballur me presione si të nga ana e vendeve mike të Kosovës si nga një pjesë e spektrit politik të vendit për pezullim të taksës për 120 ditë.

Deri më tani, bazuar në deklaratat e të parit të ekzekutivit, taksa nuk do të pezullohet deri në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat