“Vlora Çitaku foli më bindshëm se disa burreca të Drenicës që po lobojnë për copëtimin e Kosovës”

Aktuale

“Vlora Çitaku foli më bindshëm se disa burreca të Drenicës që po lobojnë për copëtimin e Kosovës”

Nga: A.ZH Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 23:48
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Vlora Çitaku

Opinionisti Binak Maxharraj, ka lavdëruar ambasadoren e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Vlora Çitakun, për paraqitjen e saj në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit.

Ai në një postim në Facebook, ka thënë se Çitaku, ia ka zbardhur fytyrën jo vetëm Drenicës, por gjithë Kosovës me fjalimin e saj kundër Serbisë, përcjell Bota sot.

Maxharraj ka theksuar se ambasadorja Çitaku, dy net më parë, ka folur më trimërisht dhe më bindshëm se “disa burreca që po lobojnë për copëtimin e Kosovës”.

“Kështu foli në  KS "Shota Galica" e Drenicës, foli trimërisht pa u tremb nga askush. Foli më bindshëm se sa burrat, se sa do burreca të Drenicës, të cilët me kokë ulur shkojnë skutave të botës dhe lobojnë për copëtimin e Kosovës”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Reagimi i plotë:

Të lumtë Vlora Çitaku, të paçtë nëna

Vlora Çitaku në KS ishte ylli i vetëm që shnëdriti tërë botën, rrezet e saj depërtuan çdo kund dhe në çdo vend. Vlora Çitaku ishte më shumë se Krenaria e Kosovës.

Dy net më parë Vlora Çitaku, drenicakja që ia zbardhi fytyrën jo vetëm Drenicës, por krejt Kosovës, ua mbylli gojën të  gjithë atyre grave dhe burrave që ishin me të, i la pa gojë, i bëri memecë.

Vlora Çitaku i mbajti leksikon çetnikut të Serbisë Ivica Daçiqit, e mbështeti për muri, i gjori veç zihej ne vete.

Vlora Çitaku e la pa fjalë edhe tërë KS me argumentet e saj për Kosovën, ia qiti për ledinë të gjitha masakrat dhe krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë dhe abuzimet që Serbia tani po i bën me Kosovën, ia qiti për ledinë të gjitha rrenat për Kosovën dhe rreth saj. I tregoi Daçiqit, se Kosova nuk është lodër që Serbia mund të luajë me të. Ka kaluar ajo kohë.

Fortë guximshëm u tregoi anëtarëve të KS, Serbisë dhe Ivica Daçiqit, se Trepça dhe Ujmani janë tonat, kanë qenë tonat dhe do të mbesin tonat. Ato historikisht kurrë nuk kanë qenë të Serbisë dhe as që do të jenë ndonjëherë.

Vlora Çitaku në KS ia bëri me dije Serbisë dhe të gjithë anëtarëve të KS se shteti dhe pavarësia e Kosovës, nuk mund të negocohet dhe askush nuk ka të drejtë të prekë territorin dhe pavarësinë e saj.

Kështu foli në  KS "Shota Galica" e Drenicës, foli trimërisht pa u tremb nga askush. Foli më bindshëm se sa burrat, se sa do burreca të Drenicës, të cilët me kokë ulur shkojnë skutave të botës dhe lobojnë për copëtimin e Kosovës.

Vlora Çitaku në KS ia zbardhi fytyrën Kosovës. Ti ishe krenaria e Kosovës.

Të paçtë nëna moj bija e Kosovës. E lumja ajo nënë që të lindi dhe të rriti për me i dalë zot Kosovës, për me i dalë zot atdheut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat