Reagim i ashpër nga Isa Mustafa kundër Veselit, Haradinajt, Ismailit...

Aktuale

Reagim i ashpër nga Isa Mustafa kundër Veselit, Haradinajt, Ismailit...

Nga: N.Sh Më: 10 shkurt 2019 Në ora: 12:09
Isa Mustafa

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh edhe i pari i LDK-së, ka reaguar ashpër sa i përket Ligjit të Pagave, e cila i ka kushtuar buxhetit të Kosovës një kosto prej 120 milionë eurove.

Ai ka reaguar ndaj kreut të Kuvendit, Kryeministrit, Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Ministrit të Shëndetësisë etj., pasi kanë deklaruar pagat janë më të lartat në regjion.

Mirëpo, Mustafa thotë se, asnjëri prej tyre nuk po flet se Kosova është vendi më i varfër në Evropë dhe regjion.

“Standardi familjar i arsimtarëve, mjekëve, policëve, shërbyesve civil... dhe askujt nuk do të rritet vetëm duke ua rritur atyre pagat, por duke hapur vende të reja pune për të papunët, që janë edhe familjarë të tyre. Prandaj, asnjë mendje e shëndoshë nuk arsyeton se duhet të mburremi me veprime të tilla dhe me vendime të tilla. Përpos logjikës zhvatëse”, shkruan Mustafa, transmeton gazeta “Bota sot”.

Ja reagimi i Mustafës:

Të nderuar qytetarë,

Po trumbetohet se kjo qeveri u tregua e guximshme në rritjen e pagave përmes Ligjit për Pagat, me një kosto të re prej rreth 120 milion euro. Thuhet se arsimtarët tanë dhe mjekët do të marrin pagat më të larta në regjion, se shërbyesit civil mund të krahasohen me ata të vendeve evropiane sa u përket pagave. Për këtë flet Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Shefi i GP të PDK-së, zëdhënësi I Qeverisë, Ministri i Shëndetësisë… Flasin të gjithë ata që s’merren vesh me buxhetin dhe ekonominë. Flasin për vota.

Sipas kësaj bie se jemi më të zotët, më të diturit, më të mirët! Të tjerët në regjion, që janë më të zhvilluar sesa ne, nuk po dinë ti rrisin pagat.

Asnjëri prej tyre nuk flet për faktin se jemi vendi më i varfër në Evropë dhe në regjion, se mezi arrijmë të mbulojmë importin me 10 përqind eksport, se pagat në sektorin privat, ku kemi trefishin e të punësuarëve në krahasim me sektorin publik, janë shumë më të ulëta; jemi vendi me shkallën më të lartë të papunësisë prej rreth 30%, kurse nga rreth 2 miliard të hyra buxhetore mbi 1.4 miliard janë destinuar për paga dhe transfere sociale, duke ul kapacitetin për investime dhe zhvillim.

Standardi familjar i arsimtarëve, mjekëve, policëve, shërbyesve civil... dhe askujt nuk do të rritet vetëm duke ua rritur atyre pagat, por duke hapur vende të reja pune për të papunët, që janë edhe familjarë të tyre. Prandaj, asnjë mendje e shëndoshë nuk arsyeton se duhet të mburremi me veprime të tilla dhe me vendime të tilla. Përpos logjikës zhvatëse.

Këtij vendimi po i atribuohet se është jokushtetues. Për sa i përket kësaj, në këtë vend ka humbur kuptimi i asaj çfarë është kushtetuese e çfarë jo. Shtrohet pyetja se kush mund të pres që një Gjykatë, e kapur, Kushtetuese e cila lejoi rritjen 100% të pagave të Qeverisë, tani do të thotë që një Ligj për Pagat qenka jokushtetues. Më lehtë do të thonin se vet Gjykata është më shumë jokushtetuese sesa kushtetuese. IM

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat