Komisioni parlamentar s’pranon ta shqyrtojë peticionin për bashkimin e Mitrovicës

Aktuale

Komisioni parlamentar s’pranon ta shqyrtojë peticionin për bashkimin e Mitrovicës

Më: 10 shkurt 2019 Në ora: 19:30
Ura mbi lumin "Ibër"

Gati një muaj më parë, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, deponoi në Kuvend peticionin me rreth 17 mijë nënshkrime të qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës së Jugut me atë të veriut, por i njëjti ende nuk është trajtuar në Komisionin për Peticione në Kuvend.

Anëtarë të këtij komisioni thonë se kjo çështje tejkalon kapacitetet e komisionit, meqë është temë më serioze sesa kaq.

Lirie Kajtazi nga LDK-ja, ka thënë se, në shumicën e rasteve, peticionet kanë shërbyer si mjet i politikës ditore e nuk e kanë pasur qasjen e duhur.

Ajo tha se ata që i udhëheqin peticionet, pasi të arrijnë një efekt politik të subjektit, i lënë edhe vetë në harresë ato.

Ndërkohë, Teuta Haxhiu tha se është interesuar të dijë për fatin e këtij peticioni, derisa administrata i ka thënë se ka shkuar në qeveri për një mendim.

Ajo uron që ndjenja e brendshme për Mitrovicën e bashkuar të mos jetë eufori.

KTV-ja ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse peticioni është në qeveri për një mendim, por kanë thënë se kjo çështje i takon vetëm Kuvendit.

Kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri, është shprehur i sigurt që Mitrovica do të bashkohet brenda këtij viti.

Ai ka qenë edhe më i ashpër në deklarimet e fundit, duke thënë se, nëse preket Mitrovica, do të ketë luftë.

Për bashkimin e këtij qyteti, kryetari Bahtiri e gëzon mbështetjen e presidentit Hashim Thaçi e kryeparlamentarit Kadri Veseli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat