Limaj: Platforma për dialogun deri në fund të javës në Kuvend

Aktuale

Limaj: Platforma për dialogun deri në fund të javës në Kuvend

Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 12:12

(E plotësuar) - Pas takimit për rreth dy orësh të ekipit negociator, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, njëherësh bashkë kryesues i ekipit për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se delegacioni shtetëror ka punë të përditshme për platformën e dialogut.

Ai tha se po punohet në vazhdimësi derisa të plotësohet dokumenti për platformën e dialogut, i cili është mjaft i rëndësishëm dhe i ndjeshëm.

Limaj u shpreh i sigurt se brenda kësaj jave do të finalizohet platforma dhe do t’i dërgohet Kuvendit për debat parlamentar.

Limaj: Deri në fund të javës platforma do t’i dërgohet parlamentit

“Ajo që ne po bëjmë, është për ta kryer punën tonë. Sot kemi punuar shumë dhe në ditët e kaluara. Nesër përsëri do të punojmë, janë edhe disa detaje për të cilat duhet punuar. Jemi duke folur për një dokument shumë të rëndësishëm, shumë të ndeshëm dhe duhet të jemi të kujdesshëm për çdo fjalë që futet në platformë. Nesër edhe paradite, dhe pasdite do të punohet. Se a do ta arrijmë nesër ta përmbyllim tërësisht, nuk mund t’ju themi sonte, por një është e sigurt se deri në fund të javës, kjo platformë do t’i drejtohet parlamentit”, ka thënë Limaj. 

Finalizimi i platformës brenda tri ditëve të ardhshme (Drejtpërdrejt)

Ekipi negociator sot pasdite ka mbajtur një takim në ambientet e Kuvendit të Kosovës për harmonizimin dhe finalizimin e platformës për dialogun me Serbinë.

Bashkëkryesuesi i ekipit, Fatmir Limaj, tha pas takimit se janë duke punuar për finalizimin e platformës dhe beson se në tri ditët e ardhshme do ta përmbyllin dhe deri në fund të javës t’i prezantohet Kuvendit të Kosovës në një seancë për diskutim.

Krerët shtetërorë diskutuan për platformën e dialogut

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim të përbashkët presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, bashkëkryesuesin e delegacionit shtetëror për dialog, Fatmir Limajn, si dhe anëtarët e delegacionit, Enver Hoxhaj dhe Visar Ymerin.

Sipas një njoftimi të Kuvendit, në këtë takim është diskutuar për procesin e fazës finale të dialogut, me theks të veçantë për platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.

“Pjesëmarrësit në takim u pajtuan që të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nga pozita dhe opozita, duhet të bëhen bashkë në mbështetje të platformës së dialogut, ndërkaq u theksua se uniteti i skenës politike kosovare e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës në procesin e dialogut”, thuhet në komunikatë.

Image

Përfundon takimi i krerëve, nesër platforma për dialogun në Kuvend

Para pak minutash ka përfunduar takimi mes presidentit të vendit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj, kryekuvendarit Kadri Veseli si dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj

Ky takim është iniciuar nga kryekuvendari Kadri Veseli dhe u mbajt në kabinetin e tij.

Temë diskutimi në këtë takim ishte platforma për dialog me Serbinë, e cila pritet nëse të dorëzohet në Kuvend.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, më 21 nëntor të vitit të kaluar, ka vendosur taksën doganore prej 100% mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Autoritetet e Serbisë kanë thënë se nuk do të vazhdojnë dialogun me Kosovën, në rast se taksa për produktet e Serbisë nuk hiqet nga Qeveria e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta pezullojnë këtë vendim.

Nis takimi urgjent Thaçi-Veseli-Haradinaj-Limaj

Para pak minutash ka nisur takimi mes presidentit të vendit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj, kryekuvendarit Kadri Veseli si dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Ky takim është inicuar nga kryekuvendari Kadri Veseli dhe po mbahet në kabinetin e tij.

Mësohet se në këtë takim do të diskutohet për platformën e dialogut si dhe taksën prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ekipi negociator i Kosovës pritet që nesër ta prezantojë në Kuvendin e Kosovës platformën për dialogun me Serbinë.

***

Kryeparlamentari Kadri Veseli i ka ftuar në një takim në zyrën e tij presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj.

Merret vesh se takimi pritet të mbahet sot në orën 12:00, ndërsa arsyeja e këtij takimi është taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës si dhe dialogu.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, më 21 nëntor të vitit të kaluar, ka vendosur taksën doganore prej 100% mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. 

Autoritetet e Serbisë kanë thënë se nuk do të vazhdojnë dialogun me Kosovën, në rast se taksa për produktet e Serbisë nuk hiqet nga Qeveria e Kosovës. 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta pezullojnë këtë vendim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat