Haradinaj i mëshon tavolinës: Taksa nuk hiqet deri në njohje, mbajeni mend këtë

Aktuale

Haradinaj i mëshon tavolinës: Taksa nuk hiqet deri në njohje, mbajeni mend këtë

Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 17:18
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur qëndrimin e tij kundër heqjes së taksës ndaj mallrave serbe, ndërsa është shprehur kundër ndryshimit të kufijve, duke thënë se hapja e çështjes së kufirit i shkon për shtati vetëm presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me familjet e dëshmorëve të Komunës së Deçanit, me ç’rast ka ritheksuar se taksa ndaj shtetit serb nuk do të hiqet derisa Serbia të mos e njohë Kosovën dhe se kushdo që e hap çështjen e kufijve është armik i kombit shqiptar.     

Kreu i qeverisë u shpreh se vendosja e taksës nuk e pengon marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Haradinaj: Taksa ka me e ngutë Serbinë për të ardhur te marrëveshja

“Taksa nuk e pengon marrëveshjen, taksa ka me ngut me ardhur te marrëveshja Serbinë. Deri tash, koha i ka konvenuar Serbisë, ka fituar në kohë, na ka mbajtur në tavolinë. Tregun tonë e ka pas, na ka dobësuar gradualisht, pse mos të vazhdojë ashtu. Por ka ndryshuar, nuk është Kosova më ashtu siç kanë menduar që është gjithë... Taksa rri deri në njohje, mbani mend këtë, për me mos tepruar më shumë, taksa është me rëndësi për neve si Kosovë, si shqiptarë kudo qe jemi”, porositi ai.

Kreu i qeverisë, tutje bëri të ditur se në dy çështje nuk pajtohet me miqtë e tij, si nga Kosova ashtu dhe nga Shqipëria. Sipas tij, ato janë çështja e territorit dhe taksa.

Haradinaj: Në dy tema nuk pajtohem me askënd

“Unë sillna mirë, urtë butë, i respektoj të gjithë si në Prishtinë, ashtu dhe më Tiranë. Por në dy tema, nuk pajtohem me askënd: me ata që e prekin këtë Kosovë të 17 shkurtit. I kam rrugët e ndara me ta, nuk e qes asnjë hap më tutje edhe e kanë gabim, nëse mundohen me mashtruar në tentimin e bashkimit të Preshevës, se e di çfarë mashtrimi është ai, me i hap këta kufij. Po ashtu, dhe me ata që bëjnë ‘ndërskamca’ me heq taksën nuk jam me ta, taksa ka me u heq me njohje”, deklaroi Haradinaj.

Mes tjerash, Haradinaj tha se kushdo që e cenon Kosovën e 17 shkurtit është armik i kombit.

Haradinaj: Kushdo që e cenon Kosovën e 17 shkurtit është armik i kombit

“Kushdo tjetër që e cenon Kosovën e 17 shkurtit, a ke djalë dëshmori, mbani në mendje këtë që po flas, a ke luftëtar i dalluar, a ke udhëheqës i sotshëm, është armik i kombit tonë dhe i Kosovës. Nëse ne e hapim 17 shkurtin dhe e hapim këtë Kosovë, ne i hapim varret e atyre që kemi ardhur me i kujtuar sot. Ne i hapim plagët e atyre, vuajtjet e atyre, ne dhe një here e çelim rrugën për me i kaluar bjeshkët. Pra askush nuk e ka këtë të drejt”, tha ai.

I ashpër Haradinaj ishte dhe ndaj të gjithë atyre shteteve mike të Kosovës që e përkrahin korrigjimin e kufirit. Sipas tij, asnjë shtet mik nuk ka të drejtë të flasë për tokën e Kosovës dhe siç konsideron ai nuk është mik ai shtet që hap çështjen e kufirit.

Haradinaj: Hapja e çështjes së kufirit i shkon për shtati vetëm Putinit

“Kush është ai mik që ka të drejt me fol për tokën e vendit tim. Jo, nuk është mik, ai që të hapë çështjen e kufirit, nuk është mik më. Ka qenë mik deri atë ditë, kush ta hapë kufirin nuk e ke mik. Çështja e hapjes së kufirit i shkon për shtati vetëm Vladimir Putinit, agjendave të tij dhe lobeve të tij”, deklaroi Haradinaj.

Ndërsa, përfaqësuesi i OVL të UÇK-së në Dukagjin, Abdyl Mushkolaj, tha se Kosova asnjëherë nuk ka qenë më të fortë se sot, pasi siç konsideron ai, kryeministër është një person që po i prin proceseve përpara.

Mushkolaj: Vendosja e taksës na bëri krenarë

“Vendosja e taksës ndaj produkteve serbe na bëri krenarë, e fjala e juaj taksa nuk hiqet, nuk e ka mallin e dikujt që ka vrarë anëtarin e familjes, na përloti të gjithëve”, tha ai.

Ai mes tjerash tha se kryeministri Haradinaj është shpresa e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

***

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme ka vizituar familjet e dëshmorëve në Deçan.

Gjatë vizitës, Haradinaj ka marrë fjalën ku ka folur për taksën dhe presionin që qeveria ka nga SHBA-të.

“Serbia në Kosovë nuk ka pasur asgjë, do të thotë nëse kanë dashur të vijnë në Kosovë, kanë pritur në kufi si në çdo shtet tjetër. E vetmja gjë që Serbinë e ka lidhur me Kosovën ka qenë tregtia, pra Serbia ka përfituar nga ne. Tash, Serbia fiton disa milionë më pak në ditë nga importi në Kosovë, shkaku i taksës”, ka thënë Haradinaj.

Tutje, Haradinaj ka folur edhe rreth kërkesave të SHBA-së për pezullimin e taksës ku duke goditur tavolinën, me ngulm ka thënë se taksa do të qëndrojë në fuqi deri në njohje nga Serbia.

“Amerika mund të na bërtasë, mundet të na kritikojë dhe e ka me të drejtë, pasi e kemi familje. Por, shteti fqinj na e ka ‘plasur barkun’ dhe asnjëherë nuk ka kërkuar falje për asgjë, ndërsa tani na vendosin kushte për dialog. Andaj, taksa do të qëndrojë në fuqi deri në njohje nga Serbia, mbani mend këto fjalë”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri në fund të fjalës së tij, ka theksuar se kushdo që i prek interesat e vendit të tij, i ka rrugët e ndara me të. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat