Duhet të mësohemi me sanksione nga SHBA'ja e BE'ja, thotë deputeti i Nismës

Aktuale

Duhet të mësohemi me sanksione nga SHBA'ja e BE'ja, thotë deputeti i Nismës

Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 00:06
Haxhi Shala

Haxhi Shala, deputet i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se Kosova duhet të mësohet me sanksione dhe presione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Në Interaktiv të KTV-së, Shala ka folur lidhur me presionin ndërkombëtar që taksa ndaj mallrave serbe të hiqet dhe hapave të parë sanksionues të SHBA-së, pas refuzimit për heqjen e taksës. 

Së fundmi, u njoftua se komandanti i Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneralmajor Timothy Orr nuk do të vijë në Kosovë në vizitën e paralajmëruar. Po ashtu, kryeministrit Ramush Haradinaj i është refuzuar viza për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit në SHBA.

Për të gjitha këto, Shala ka thënë se Kosova duhet të mësohet me sanksione dhe presione. Ai ka përsëritur qëndrimin e Nismës se qëndrojnë prapa kryeministrit Haradinaj.

“Ka sanksione dhe duhet të mësohemi pak me to edhe nga BE-ja edhe nga SHBA-ja. Por kërkesat e SHBA-së duhet të merren seriozisht nga spektri politik i yni. Duhet të diskutohet a e ka arritur taksa efektin apo jo, nëse jo duhet të vazhdohet e nëse po të ndërpritet. Nëse s’e ka arritur taksa efektin duhet të kemi garancë të fuqishme se pezullimi bëhet, por çka arrihet për periudhën e pezullimit. Nëse s’arrihet asgjë pse të pezullohet. S’duhet të lejojmë Serbinë të luajë si të dojë”, ka thënë ai duke shtuar se nëse Haradinaj s’ka shkuar në Lutjet e Mëngjesit “është kursyer buxheti”.

Shala ka shtuar se edhe Amerika humb nga presioni i Serbisë ndaj Kosovës.

“Është problem edhe i amerikanëve sepse presioni është edhe mbi ta. Është humbje edhe e tyre nëse ne pësojmë nga elementet e përditshme të Serbisë si në Interpol e në luftën tonë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Por besoj se taksa duhet të qëndrojë pavarësisht presionit ndërkombëtar. Duhet të mësohemi pak me sanksione”, ka shtuar ai duke vlerësuar se “marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë më të fuqishme se veç raportet qeveri-qeveri”.

Duke komentuar deklaratën e presidentit Hashim Thaçi se është pro “korrigjimit të lehtë” të kufijve me Serbinë, Shala ka thënë se “tash Thaçi ka zgjeruar idenë që e ka shprehur më herët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat