Miratohet platforma e dialogut, do të ketë edhe “vija të kuqe”

Aktuale

Miratohet platforma e dialogut, do të ketë edhe “vija të kuqe”

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 16:35

(E plotësuar) - Ekipi negociator i Kosovës ka miratuar platformën për dialogun me Serbinë, dhe nesër do ta dërgojë në Kuvend. Kjo platformë do të vendosë parimet mbi të cilat Kosova do të negociojë me Serbinë, dhe po ashtu temat të cilat do të diskutohen.

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Fatmir Limaj, ka thënë se për platformën janë konsultuar me të gjitha institucionet dhe ekspertët përkatës. Ai shtoi se kjo platformë pas votimit nga Kuvendi, do ta paraqesë qëndrimin e vetëm zyrtar të Kosovës në raport me dialogun me Serbinë.

Limaj: Platforma u miratua me konsensus

“Kemi marrë edhe sugjerimet e krerëve të shtetit dhe përfundimisht ne e miratuam platformën me konsensus, që do t’ia paraqesim Kuvendit të Kosovës, që deputetët e Kuvendit të Kosovës të kenë mundësi përmes debatit të vijmë deri te votimi i platformës, që do të paraqesë qëndrimin zyrtar e të vetëm të Republikës së Kosovës në dialogun për njohjen që mund të ndodhë me Serbinë”, ka thënë Limaj.

I pyetur se a janë të përfshira në këtë platformë veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës, Limaj nuk ka dhënë një përgjigje konkrete, por ka thënë se do të shkojnë në dialog me parime afirmative.

Limaj: Në platformë parashihet reciprocitet i plotë edhe për të drejtat e komuniteteve

“Jemi bazuar në dokumentet tona në të cilat është i bazuar shteti i Kosovës, Kushtetutën e Kosovës, Deklaratën e Pavarësisë, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare dhe tani e tutje, gjithashtu, njëri nga paragrafët parasheh reciprocitet të plotë me të drejtat e komuniteteve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi në raport me minoritetet në këtë rast”, ka thënë Limaj.

Bashkëkryesuesi tjetër i ekipit negociator, Shpend Ahmeti ka njoftuar se me këtë platformë në dialog do të ngrihen tema që nuk janë përmendur më parë.

Ahmeti: Do të flasim edhe për krimet e luftës dhe dëmshpërblimet

“Përveç çështjeve të krimeve të luftës, të cilat ne mendojmë se trajtimi është i pabarabartë, kemi mbi 13 mijë viktima, shumica e tyre as nuk e dinë se çka ka ndodhur, por në të njëjtën kohë as ata që i kanë kryer këto krime para drejtësisë. Të flasim për dëmshpërblime, qofshin ato kolektive ose individuale, ne si shtet edhe sot i vuajmë pasojat e dëmeve, të cilat na i ka shkaktuar Serbia në luftë, qoftë përmes shkatërrimit të aseteve ekonomike e mos të flasim për dëmet individuale që ua ka bërë viktimave të ndryshe, pra në mbi 100 mijë shtëpi të djegura. Po ashtu, e kemi ngritur çështjen e viktimave seksuale”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se në platformë janë përcaktuar ndër të tjerash edhe vijat e kuqe. I pyetur se a nënkuptojnë vijat e kuqe shkëmbim të territoreve, Ahmeti ka thënë se platforma bazohet në Kushtetutën e Kosovës, sipas të cilës integriteti territorial i Kosovës është i garantuar.

Po ashtu, ai u ka bërë thirrje partive opozitare LDK-së dhe Vetëvendosjes, të cilat kanë refuzuar të jenë pjesë e ekipit negociator, që ta lexojnë platformën para se të vendosin për votimin e saj apo jo.

Ndryshe, platforma do t’i paraqitet Kuvendit të Kosovës nesër në ora 10:00. Kryenegociatorët kanë njoftuar se pas takimit me deputetët, platforma do të jetë publike për mediat dhe publikun e gjerë.

Votohet platforma për dialogun, nesër do të dorëzohet zyrtarisht në Kuvend

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator Fatmir Limaj ka deklaruar sot se platforma e delegacionit shtetëror të Kosovës do të paraqesë qëndrimin e vetëm zyrtar karshi dialogut me Serbinë.

I pyetur se a janë të përfshira në platformë veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës, Limaj ka thënë se kjo do të bëhet e ditur nesër kur edhe do t’i dërgohet Kuvendit në ora 10.00.

Ndërsa, bashkëkryesuesi tjetër i ekipit negociator Shpend Ahmeti ka njoftuar që pas dërgimit të platformës në Kuvend ajo do të bëhet publike.

"Aty janë të përcaktuara parimet, vijat e kuqe dhe të gjitha temat që duhet të diskutohen", ka pohuar ai.

Image
Fatmir Limaj

***

Sot ekipi negociator i Kosovës ka votuar platformen për dialogun me Serbinë.

Pas votimit për media kanë folur krerët e ekipit negociator, Famir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Limaj është shprehur se delegacioni i Kosovës nga sot zyrtarisht e ka platformen, pas një pune të jashtëzakonshme, që ka bërë ky delegacion.

“Sot zyrtarisht delegacioni i kosovës e ka platformën, pas një pune të jashtëzakonshme që ka bërë delegacioni që nga zgjedhja nga parlamenti jemi konsultuar me të gjithë institucionet dhe shumë ekspert…. dhe sot kemi marrë edhe sugjerimet e krerëve të shteit ne e miratuam platformën që do t’ia paraqesim nesër kryetarit të Kuvendit të Kosovës… dhe nesër përmes debatit deputetët do të kenë mundësi që ta votojnë”, është shprehur Limaj.

Ndërkohë, Shpend Ahmeti ka treguar se nesër në ora 10 platforma do të dorëzohet zyrtarisht në kuvend.

“Besoj se nesër në ora 10 do ta dorëzojmë zyrtarisht platformën dhe po ashtu sot pas një takimi që kemi pas dhe e njëjta do t’i përcillet edhe deputetëve. Nesër pas takimit do ta pëublikojmë platformën…. në platformë në hyrje thuhet se ky është qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës dhe në fakt është i vetmi qëndrim zyrtar që ka Koosva karshi dialogut”, është shprehur Ahmeti në fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat