Thaçi për “Associated Press”: S’ka ftohje të SHBA-së me popullin e Kosovës

Aktuale

Thaçi për “Associated Press”: S’ka ftohje të SHBA-së me popullin e Kosovës

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 20:27
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës ka thënë të enjten për AP s’e mendon që është një “momentum i mirë”, këtë vit, për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Kosova feston çdo vit përvjetorin e pavarësisë së saj, të shpallur më 17 shkurt 2018.

Kosova është e njohur nga 116 vende, shkruan AP, por jo edhe nga vendi prej të cilit e ka shpallur pavarësinë në mënyrë të njëanshme, Serbia.

Kosova është një tregim suksesi, thotë presidenti Hashim Thaçi në një intervistë dhënë “Associated Press”.

“Pavarësia e Kosovës ka sjellë më shumë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.
Thaçi përmendi përkrahjen e fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, si dhe zotimin e Rusisë për të pranuar një marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Kemi shumë sfida përpara, të cilat duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut me Serbinë, që filloi në vitin 2011, i ndërmjetësuar nga BE-ja, tha ai.

Sidoqoftë, bisedimet kanë ngecur.

Vitin e kaluar, Kosova vendosi një taksë prej 100% për produktet e Serbisë, derisa Beogradi t’ia njohë asaj sovranitetin dhe derisa Beogradi të mos e pengojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Serbia ka thënë se kjo tarifë po i kushton shumë bizneseve të saj dhe se nuk do të marrë pjesë në dialog deri kur të hiqet kjo masë.

Thaçi ka inkurajuar qeverinë e tij që ta suspendojë përkohësisht këtë tarifë, duke thënë po ashtu se Serbia nuk duhet ta kushtëzojë me të dialogun.

Uashingtoni dhe Brukseli kanë bërë thirrje për heqjen e tarifës. Prishtina, deri më tash, nuk i është përgjigjur kësaj thirrjeje.

Kryeneçësia e Kosovës duket se ka zemëruar Uashingtonin, partnerin më të madh strategjik të Kosovës.

Një gjeneral i ushtrisë, i cili pritej ta vizitonte Kosovën për nder të përvjetorit të 11 të pavarësisë, e anuloi udhëtimin e tij.

“Megjithatë, nuk ka ftohje (nga SHBA) ndaj Kosovës si një vend ose ndaj popullatës së saj”, ka thënë Thaçi.

Këtë ai e ka thënë duke e kanalizuar pakënaqësinë amerikane vetëm ndaj vendimeve qeveritare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat