Jakup Krasniqi e godet Thaçin për rastin e Gani Gecit: Komunikata numër 59 u shkrua në Kosovë

Aktuale

Jakup Krasniqi e godet Thaçin për rastin e Gani Gecit: Komunikata numër 59 u shkrua në Kosovë

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 10:20
Jakup Krasniqi

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi i ka reaguar Presidentit Thaçi, lidhur me deklarimet e tij për komunikatën numër 59 të UÇK’së për ekzekutimin e Gani Gecit. Krasniqi ka deklariar se të gjitha komunikatat që nga 98'ta janë shkruar në Kosovë, derisa ka thënë se ai dhe shumica e komandantëve të Zonës Operative të Drenicës e kanë kundërshtuar këtë komunikatë.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se që nga viti 1998, të gjitha komunikatat janë shkruar në Kosovë dhe se asnjë komunikatë e UÇK-së nuk është lëshuar “nga banhofat me qëllim që të përçajë UÇK-në”, siç ishte shprehur Thaçi.

"Hashim Thaçi e di se që nga viti 1998 të gjitha komunikatat janë shkruar në Kosovë dhe nëse duhet të kërkohet falje për Komunikatën 59 atëherë ajo duhet të jetë e sinqertë e jo “të gjuhet guri e të fshihet dora”, siç thotë një shprehje popullore", ka shkruar Krasniqi. 

Ish-zëdhënësi i UÇK’së i ka kujtuar Presidentin Thaçi se si dhe ai dhe shumica e komandantëve të Zonës Operative të Drenicës kanë kundërshtuar për Komunikatën numër 59, për ekzekutimin e Gani Gecit, sepse siç ka thënë “është mbështetur në gjëra të pa vërteta dhe denigruese”.

Ndryshe, Thaçi i ka kërkuar falje ish-bashkëluftëtarit të tij, Gani Geci, për komunikatën numër 59 të UÇK'së, për ekzekutimin e tij.

“Mund të them se komunikata numër 59, që përmendet në opinion, siç e ka theksuar Shtabi i Zonës Operative të Drenicës, i udhëhequr nga Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku, është një komunikatë abuzuese, që nuk i takon UÇK’së”, ka deklaruar Thaçi në RTK.

Ky është reagimi i plotë i Krasniqit:

Në intervistën e datës 13 shkurt 2019 për RTK-në Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi falje Gani Gecit për komunikatën numër 59 të UÇK-së.

Meqenëse gjatë intervistës së tij ai përmendi edhe zëdhënësit e UÇK-së, e shoh të domosdoshme të deklarohem publikisht për shkak se tha shumë gjëra që nuk përputhen me realitetin.

- Hashim Thaçi si udhëheqës politik i UÇK-së e di shumë mirë se asnjë komunikatë e UÇK-së nuk është lëshuar “nga banhofat me qëllim që të përçajë UÇK-në”. Sikur të kishte ndodhur një gjë e tillë ne do të kishim reaguar që në atë kohë kundër çfarëdo tendence të tillë;

- Hashim Thaçi e di fare mirë se asnjë komunikatë që përmban lista me emrat e Ibrahim Rugovës dhe veprimtarëve të tjerë politik shqiptarë nuk është lëshuar në emër të SHP të UÇK-së, sepse do të kishim reaguar që në atë kohë, pasi lufta kishte adresë të vetëm pushtuesin;

- Hashim Thaçi e di fare mirë kundërshtimin tim dhe të shumicës së komandantëve të Zonës Operative të Drenicës për Komunikatën numër 59, sepse është mbështetur në gjëra të pa vërteta dhe denigruese për zotin Geci;

- Kundërshtimin tim do ta kisha shprehur në rast se e njëjta gjë do të ishte bërë kundër cilësdo familje shqiptare qoftë;

- Hashim Thaçi e di se që nga viti 1998 të gjitha komunikatat janë shkruar në Kosovë dhe nëse duhet të kërkohet falje për Komunikatën 59 atëherë ajo duhet të jetë e sinqertë e jo “të gjuhet guri e të fshihet dora”, siç thotë një shprehje popullore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat