Ministri i Shëndetësisë pranon se në rastin e të miturës nga Drenasi janë bërë shkelje ligjore e etike

Aktuale

Ministri i Shëndetësisë pranon se në rastin e të miturës nga Drenasi janë bërë shkelje ligjore e etike

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 13:07
Uran Ismaili

Se ordinanca ku ka kryer abortin 16 vjeçarja nga Drenasi, nuk ka plotësuar kushtet, ka thënë edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili. Sipas këtij të fundit, në këtë rast përveç që janë bërë shkelje etike, janë bërë edhe shkelje ligjore. E ky rast, sipas anëtarëve të komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka prekur ndërgjegjen institucionale. Ismaili mes tjerash, fajin për mos lincencim të ordinancës së Fehmi Ahmetit, ia ka lënë këtij të fundit, sepse sipas tij, barra nuk është e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kryetarja e komisionit, Besa Baftiu tha se mbledhje e komisionit është urgjente, si shkak i rastit të yë miturës nga Drenasi. Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë ka përgjegjësi për këtë rast.

Baftiu: Ministria e Shëndetësisë ka përgjegjësi për mos licencimin e ordinancës ku ka kryer abortin 16 vjeçarja

“Përgjegjësia e Ministrisë së Shëndetësisë tek rasti  i abortit, është mos licencimi i këtij institucioni, gjegjësisht ordinancës private, në këtë rast ku është kryer aborti. E dijmë, se abortet do të duhej të kryhen në institucione publike, ashtu siç e përcakton ligji si dhe institucionet private, në të cilat kanë marrëveshje me transfuzionin e gjakut. Ky rast na ka prekur të gjithëve, prandaj kjo është arsyeja që ne sot do ta diskutojmë këtë çështje”, tha ajo.

Për sa i përket licencimit të institucioneve private shëndetësore, Baftiu tha se ka pasur ngecje edhe në qeverisjet e kaluara të Ministrisë së Shëndetësisë. Ajo ka kërkuar nga ministri Uran Ismaili sqarim sa i përket monitorimit të këtyre institucioneve.

Se ky rast ka prekur ndërgjegjen  e institucioneve, tha edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili sipas të cilit, përveç dhembjes për këtë rast, ai tha se do të hartojnë politika, se si të mos përjetojnë të njëjtën gjë, të miturat tjera.

Ismaili: Obligimi për rilicencim nuk bie mbi Ministrinë e Shëndetësisë

“ Obligimi për rilicencim  nuk bie mbi Ministrinë e Shëndetësisë, pra nuk bie mbi institucionet e Republikës së Kosovës, por bie mbi atë që e ka kërkuar licencën. Pra, duhet të kemi një interpretim të drejtë dhe bile çka është e rëndësishme, sepse këtu kemi pasur një rast me një ambulantë e cila nuk ka qenë e licencuar dhe afati bile është që, obligimi bie që secila ambulantë, institucion privat shëndetësorë, i cili është i licencuar dhe që ka nevojë për licencim ta ketë aplikimin për licencim, dy muaj para skadimit të afatit. Pra, kjo është ajo që e obligon ligji”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka pohuar se në rastin e 16 vjeçares janë bërë shkelje ligjore e etike.

Ismaili: Ordinanca nuk ka plotësuar kushtet në rastin e të miturës nga Drenasi

“Ambulantes “Kestrina”, të gjinekologut Fehmi Ahmeti që është bërë veç e ditur, i cili ka qenë i dyshuar për kryerjen e aborti, i ka skadu licenca në korrik të vitit 2018. Pra, vet gjinekologu  ka pasur licencë si profesionistë shëndetësorë, mirëpo licenca për intervenime të gjinekologjisë nuk ipet te profesionisti por tek institucioni privat. Andaj, kjo ka qenë që ata nuk kanë pasur licencë. Për abort po ashtu kërkohen disa kushte, që janë të përshkruara në ligjin për abort, edhe ato kushte ambulanta “Kestrina”, nuk i ka plotësu. Pra, si e tillë e ka kryer me 15 janar të këtij viti, pra vajza e ka kryer abortin, në kohën kur ambulanta nuk ka pasur licencë të punës dhe si e tillë ka rrezikuar edhe shëndetin e pacientes, por në anën tjetër ka bërë edhe shkelje të legjislacionit në fuqi”, ka vazhduar Ismaili.

Ismaili po ashtu ka thënë se momentalisht janë duke punuar 10 inspektorë shëndetësorë, por që në vitin e ardhshëm është planifikuar që ky numër të dyfishohet.

E sa i përket kësaj, ka pasur mospajtime nga deputetët.

Haxhi Avdyli nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se Ligji për Pagat  ka defavorizuar inspektorët shëndetësorë.

Avdyli: Me ligjin për paga janë defavorizuar inspektorët shëndetësorë

“ Ky ligj i pagave i ka defavorizuar, duke i lënë në një kuotë shumë të ultë me 3,5 edhe në të njëjtën kohë ne po presim që ata t’i shtojnë kapacitetet e punës apo ta shtojnë vëllimin e punës dhe shpesh herë të punojnë edhe pasdite. Mendoj që në këtë drejtim nuk ka shpresa shumë nëse si institucione, duke filluar edhe ju si ministri por edhe Parlamenti i Kosovës, nëse këtë institucion, do të presim që këta do ta mbajnë ligjshmërinë në institucionet shëndetësore do të jenë të degraduara në këtë drejtim. Dhe ky ligj i pagave e ka bërë një degradim të tillë dhe shpresojë që në rrugë e sipër, ju si ministër do të gjeni mënyra për të përmirësuar këtë padrejtësi që i është bërë inspektorëve shëndetësorë dhe farmaceutikë, me gjet mënyra q ë këta të stimulohen”, ka shtuar Avdyli.

Me këtë u pajtua edhe Fatmire Kollqaku, e cila tha se edhe nëse dyfishohen pagat, do të vie koha që nuk do të ketë as aplikues për inspektorë shëndetësorë, duke pasur parasysh rrezikun për ikjen e mjekëve nga Kosova.

Naser Rugova, tha se rasti i 16 vjeçares ka prekur ndërgjegjen institucionale, dhe se tashmë është koha që të kthehen reflektorët e shtetit tek institucionet publike, sepse sipas tij edhe këtu ka ngecje të mëdha.

Ndryshe, për rastin e vajzës së mitur nga Drenasi aktualisht profesori Sh.Xh. dhe zyrtari policor V.V. që dyshohen se kanë keqtrajtuar seksualisht janë në paraburgim për një muaj, ndërsa mjeku që ka kryer abortin është në arrest shtëpiak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat