AFP për Kosovën: Në “kafazin” e vizave të BE-së

Aktuale

AFP për Kosovën: Në “kafazin” e vizave të BE-së

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 13:23
Prishtina

Qytetarët e Kosovës gjithnjë e më shumë shpenzojnë kohë, para’ dhe dokumenta për të siguruar një vizë për në Bashkimin Evropian, një proces që nuk i nënshtrohet tashmë asnjë prej fqinjëve të tyre ballkanikë.

“Edhe pse ti e di që ke të gjithë dokumentat në rregull dhe dikush të ka ftuar të luash diku, kur ulesh atje dhe pret ndjehesh si një kriminel”, tha Visar Kuci, violinist.

Prej vitesh, kosovarët kanë mbrujtur shpresën se BE shpejt do ti heqë vizat për në zonën Shengen. Por, ajo ditë duket se nuk do të vijë kurrë.

“Ti pret atje në radhë, ata thërrasin emrin dhe të thonë; prit atje, hajde këtu, kalo këndej, dhe më pas të bëjnë pyetjet më të çuditshme si përse nuk je i martuar, mendon të martohesh atje…kjo të bën të ndjehesh i ofenduar”, tha Aulone Mehmeti, eksperte arsimi.

“Ata duan të të poshtërojnë. Duan që ti të dekurajohesh dhe të mos aplikosh më. Qëllimet e tyre janë që të të pengojnë, njërin pas tjetrin. Kjo është ajo që ne e quajmë fashizëm i zbutur”, thotë Jeton Neziraj, skenarist.

Në 2017, nga rreth 80 mijë aplikime për viza udhëtimi në zonën shengen, afro 18 mijë u refuzuan. Aplikimet, të suksesshme ose jo, kushtojnë afro 100 euro, ose një e treta e pagës mesatare mujore në Kosovë.

“Nëse dikush ka mbushur 18 vjeç dhe do të udhëtojë për të parën herë, shkon në Stamboll. Përse e bëni këtë. Përse i largoni qytetarët tuaj, njerëzit tuaj. 2 milionë kosovarë, janë gjeografikisht në mes të Evropës. Kjo është e çuditshme”, tha Ramush Haradinaj, kryeministër.

Shtatorin e kaluar, parlamenti evropian këshilloi heqjen e regjimit të vizave duke thënë se Prishtina i ka plotësuar të gjitha kushtet. Por, vendet anëtare të bllokut, që duhet të heqin kufizimet një nga një, duket se nuk e kanë me nxitim. Në dhjetor, kryediplomatja e BE, Federika Mogerini, mori rreth 20 mijë mesazhe nga kosovarë të zemëruar në murin e saj në Facebook, transmeton tch.

“Jemi të izoluar prej vitesh”, shkruante një komentues. “T`ju vijë turp”, shkruante një tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat