Bardhyl Mahmuti reagon pas kërkim faljes së Thaçit për komunikatën nr. 59: Hedhja e gurit, fshehja e dorës dhe drejtimi i gishtit!

Aktuale

Bardhyl Mahmuti reagon pas kërkim faljes së Thaçit për komunikatën nr. 59: Hedhja e gurit, fshehja e dorës dhe drejtimi i gishtit!

Nga: A.M. Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 13:28
Bardhyl Mahmuti

Deklarata shfajësuese e Presidentit të vendit Hashim Thaçi, ndaj Gani Gecit dhe familjes së tij, për komunikatën nr. 59 ka nxitur reagime të shumta.

Reagimi i radhës për këtë deklaratë vjen nga ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Bardhyl Mahmuti.

Mahmuti, i cili reagimin e tij e ka dërguar në adresë të gazetës “Bota sot”, thotë se çështjen e komunikatës nr. 59 ku është përmendur më pas edhe emri i tij si shkrues i saj,  ia ka shpjeguar edhe Gani Gecit.

“Unë kurrë nuk do të shkruaja një komunikatë që bazohet në të pavërteta dhe shpifë për të tjerët! Edhe në rastin më të pamundshëm, nëse do ta kisha shkruar komunikatën numër 59 me të gjithë ato të pavërteta që përmban kjo komunikatë, unë nuk do të prisja 20 vjet për të kërkuar falje”, shkruan Bardhyl Mahmuti, përcjell “Bota sot”.

Reagimi i plotë i Mahmutit:

Të dashur miq,

Para dy ditësh Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi deklaroi se “gjatë luftës dhe pas saj kanë ndodhur abuzime të individëve të caktuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me emrat e individëve të caktuar, janë shkruar komunikata dhe deklarata edhe nga banhofa jashtë vendit pa dijeninë dhe aprovimin nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , të cilat kanë qenë në kundërshtim me vullnetin dhe vendimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë kontekst ai përmendi komunikatën numër 59, si komunikatë abuzuese që ka lënduar luftëtarin e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuptimin moral dhe kombëtar Gani Gecin dhe familja e tij dhe i shprehu ndjesë dhe keqardhje pse kjo gjë nuk është sqaruar deri tani”.

Mbrëmë përmes messengerit të Facebookut më thirri Gani Geci. Sipas pohimeve të tij, dikush nga njerëz kompetent i paskan thënë se komunikatën numër 59 e paskam shkruar unë!

Nëse pohimi i tij është i vërtetë atëherë kemi të bëjmë me një praktikë shumë të ulët dhe tejet të ndyrë. Në këtë rast kemi të bëjmë jo vetëm me praktikën e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës, por edhe drejtimin e gishtit për nxitje konflikti.

Siç i sqarova edhe Gani Gecit, pa marrë parasysh e cilës natyrë ka qenë dhe çfarë përmbajtje ka pasur, asnjë komunikatë nuk është shkruar nga ana ime. Këtë e dinë fare mirë të gjithë ata që kanë shkruar komunikata dhe deklarata politike.

Në bisedë me Ganiun nuk ishte vendi që ta potencoj atë që e kam thënë publikisht që në vitin 2010, me rastin e vdekjes së Ambasadorit të SHBA-ve për Ballkan, Richard Holbrooke. Atëherë sqarova se në selinë e NATO-s në Bruksel u përpilua komunikata përmes të cilës Ushtria Çlirimtare e Kosovës shpallte në mënyrë të njëanshme armëpushim për t’i dhënë mundësi zgjidhjes së Çështjes së Kosovës përmes dialogut.

Atë komunikatë nga Selia e NATO-s ia kam diktuar përmes telefonit anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, z. Kadri Veseli, i cili gjatë asaj dite, me modifikimet e caktuara, e ka bërë publike. Edhe pse z. Veseli, pasi e dëgjoi në tërësi komunikatën, më porositi që ta publikoja unë refuzova për të vetmen arsye se nuk doja që komunikatat dhe deklaratat e UÇK-së të shpërndaheshin nga vendet jashtë Kosovës, për arsye se teknika e identifikimit se prej nga vijnë informatat mund të na nxirrte jo serioz.

Me një fjalë, as edhe në rastet kur më është thënë të shkruaj komunikatë nuk e kam bërë., madje edhe në rastet kur nuk bëhej fjalë për të njollosur dikë.

Po e përsëris atë që i thash Gani Gecit. Nëse do ta kisha shkruar atë komunikatë dhe nëse do të isha i bindur se ajo komunikatë bazohet në fakte kurrë nuk do të pendohesha dhe kurrë nuk do të kërkoja falje, edhe sikur krejt arsenalin e armatimit të botës ta kishe në duart tua.

Unë kurrë nuk do të shkruaja një komunikatë që bazohet në të pavërteta dhe shpifë për të tjerët! Edhe në rastin më të pamundshëm, nëse do ta kisha shkruar komunikatën numër 59 me të gjithë ato të pavërteta që përmban kjo komunikatë, unë nuk do të prisja 20 vjet për të kërkuar falje. Do ta bëja menjëherë dhe do t’i merrja përgjegjësitë që do të më binin për shpërndarje të dezinformatave që kanë lënduar luftëtarin e orëve të para, Gani Gecin dhe familjen e tij.

Është koha që secili të merr përgjegjësitë edhe për gabimet që janë bërë. Kur është fjala për komunikatën 59 nëse dikush mendon se do ta çesh në haresë ndriçimin e plotë, familja Gecve të Llaushës nuk do ta lë kurrë: Ashhtu siç më tha edhe vet Ganiu, ata do ta ndjekin këtë punë brez pas brezi deri sa të dalë e vërteta në dritë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat