PSD: Një shtet sovran duhet ta kompletojë njohjen e jashtme

Aktuale

PSD: Një shtet sovran duhet ta kompletojë njohjen e jashtme

Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 11:49
PSD

Partia Socialdemokrate përmes një komunikate për media ka uruar të gjithë qytetarëve përvjetorin e 11 të pavarësisë, duke thënë se një shtet sovran përveç shpalljes së brendshme duhet ta ketë të kompletuar edhe njohjen e jashtme.

Sipas PSD-së,  11 vjetori i Pavarësisë na gjen pranë një tjetër sfide të rëndësishme, përmbylljen e procesit ‘të gjatë e shpeshherë të pakuptimtë dhe të dëmshëm të procesit të dialogut me Serbinë’.

“Është e domosdoshme që ky proces të përmbyllet me njohje nga Serbia, në mënyrë që të hapet rrugë e të sigurohet njohja nga vendet e tjera, me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe themelimin e marrëdhënies së plotë kontraktuale të Kosovës me BE-në”, theksohet në komunikatën për media të PSD-së.

“Republika demokratike siguron trajtim të barabartë e pjesëmarrje të barabartë të të gjithëve në të mirat e shërbimet publike. Kjo në anën tjetër siguron një qytetari aktive me kapacitet të prodhimit të demokracisë autentike. Ekonomia jonë duhet zhvilluar për të krijuar vende cilësore, me kualifikim e qëndrueshmëri në punë, zhvillim të barabartë rajonal, arsim e shëndetësi funksionale, por edhe qëndrueshmëri mjedisore”, thekson tutje PSD. 

Sipas kësaj partie, Republika jonë duhet të ndërtojë mekanizma funksional të shpërndarjes më të barabartë të pasurisë që ia rrisin mirëqenien e zhvillojnë shoqërinë.

“Një shoqëri më e zhvilluar e më e arsimuar do të jetë ajo në të cilën nuk do të shohim e përjetojmë tutje shtypjen e dhunën ndaj grave, shfrytëzimin e punëtorëve, nëpërkëmbjen e të varfërve, hendekun e madh në pasuri dhe në të drejta”, theksohet ndër të tjerash në komunikatën e PSD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat