Haradinaj nga Gllogjani i dërgon mesazh të fortë Vuçiqit

Aktuale

Haradinaj nga Gllogjani i dërgon mesazh të fortë Vuçiqit

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 15:52
Ramush Haradinaj dhe Vuçiq

I pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj, nga vendlindja e tij Gllogjani, i është kundërpërgjigjur presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili deklaroi në Munih se nuk dihet se ku janë kufijtë e Kosovës, duke i thënë se e gjithë bota e di ku i ka Kosova kufijtë, duke shtuar se ato ruhen edhe nga NATO.

Sipas Haradinaj, kufiri është në Çakorr e në Kullë, ndërkaq me Serbinë do të njihen vetëm në kufijtë ekzistues.

“Kufiri është në Çakorr edhe në Kullë, me Serbinë ne duhet të njihemi në kufijtë ekzistues”, tha ai, duke shtuar se këto kufij ruhen nga NATO dhe te të njëjtat patrullojnë policitë kufitare të të dy vendeve.

“Qëndrimi i presidentit Vuçiq në Munih se nuk e di se ku janë kufijtë, nuk është ashtu, krejt bota e dinë ku janë kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë, NATO e di, NATO i run ata kufij, ne i ruajmë ata kufij, policitë kufitare tonat e të atyne patrullojnë e shihet nëpër ata kufij, nuk do të ketë tjerë në mes të Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Haradinaj.

I pari i ekzekutivit, tutje shtoi se nuk janë kundër të drejtave të komuniteteve, por nuk do të lejojnë që të krijohet një republikë brenda republikës.

“Askush nuk është kundër të drejtave të komuniteteve, ne kurrë s'kishim pas qef me pa dikë në vështirësi t'u jetu në vendin tonë, në këtë rast edhe serbët, por, kërkush ma në botë nuk lejon brenda një shteti mu kriju një shtet brenda një shteti, ata që ka bo Republika Serbe në Bosnje, as Kosova s'mundet me leju një republikë brenda Republikës, është e pamundur kjo me ndodh, nuk ndodh kjo”, shtoi ai.

Haradinaj ka thënë se këtë fjalim po e mban për të sqaruar popullin e Kosovës dhe miqtë ndërkombëtarë, ndërkaq ka shtuar se pranojnë njohjen e Serbisë, vetëm në kufijtë ekzistues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat