Flet Kujtim Shala, tregon nëse ka ambicie të jetë kandidat për kryeministër

Aktuale

Flet Kujtim Shala, tregon nëse ka ambicie të jetë kandidat për kryeministër

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 22:20
Kujtim Shala

Ish-ministri i Kulturës dhe aktualisht deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kujtim Shala, në një deklaratë ka mohuar lajmet që ai do të jetë kandidat i radhës për kryeministër të Kosovës nga LDK. Shala madje ka thënë se nuk ka asnjë ambicie për të qenë kandidat për kryeministër e as kryetar të LDK-së.

“Unë s’kam ambicie për asnjërën prej këtyre dy pozicioneve dhe përveç kësaj LDK-ja nuk është fare në këto procese. Domethënë ne s’po bisedojmë as për kandidatët për kryetar të partisë e as për kandidatë të mundshëm për kryeministër”, ka thënë Shala.

Ai sot ka shpërndarë një sondazh ku pyetja ishte “Nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën kënd do ta votonit për kryeministër?”. Shala ka dalë si i dyti më i votuar pas Albin Kurtit, dhe ky lajm u shpërnda në faqen e tij në Facebook. Dhe kjo u interpretua si një dëshirë e Shalës për t’u bërë kryeministër. Mirëpo në deklaratën e dhënë ai ka sqaruar që thjeshtë ka shpërndarë një sondazh të zakonshëm. E jo më tepër.

“Është një prej sondazheve që bëjnë faqe të ndryshme e portale të ndryshme nuk e di me saktësi se cili është, por dalin çdo katër a pesë ditë dhe në këtë jam përfshi edhe unë. Por meqë nuk jam kontaktuar, domethënë pa vullnetin e atyre që përmenden nga ata që bëjnë sondazhet”, ka thënë Shala.

Ai po ashtu ka sqaruar se sondazhi nuk është shpërndarë nga vetë në faqen e tij në Facebook, por nga administratori që e mirëmba atë.

LDK këtë vit do të mbajë zgjedhjet e brendshme të saj. Ende nuk dihet se a do të ketë kandidatë të tjerë për kryetar të kësaj partie, përveç Isa Mustafës që dihet tashmë që është në gjendje shëndetësore të dobët.

I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të marrë përgjegjësinë e kandidatet për kryetar por edhe kryeministër të Koso0vës nëse LDK ia kërkon, Shala ka përsëritur se partia e tij nuk mund të kërkojë diçka të tillë nga dikush që nuk ka ambicie.

“S’mund të i kërkohet dikujt që s’ka ambicie”, ka thënë Kujtim Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat