Hasmëria Elshani-Kelmendi në Pejë, biseda private zbulon se u dërguan njerëz të kryejnë vrasje me pagesë

Aktuale

Hasmëria Elshani-Kelmendi në Pejë, biseda private zbulon se u dërguan njerëz të kryejnë vrasje me pagesë

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 15:47
Elvis Kelmendi

Hasmëria 20-vjeçare në mes të Elshanëve dhe Kelmendëve në Pejë, e ka përfshirë edhe djalin e Naser Kelmendit, Elvisin. Në disa video, Elvis Kelmendi ka kërcënuar dhe ka fyer rëndë familjen Elshani, por specifikisht emrin e Dem Elshanit. Përmes një bisede, thuhet se janë dërguar edhe njerëz, që gjatë natës të eliminohen njerëzit e familjes Elshani. Këto akuza Elvis Kelmendi i mohon, por kërkon që të lihet një takim mes të dyve dhe “të qërohen hesapet”.

Konflikti që nisi nga viti 2000 në mes të dy familjeve Elshani dhe Kelmendi, ka lënë të vrarë deri tani 23 persona dhe 38 të plagosur. Hasmërisë së tyre, siç duket nuk po i vjen fundi, derisa tani është përfshirë edhe djali i Naser Kelmendit, Elvisi.

Elvis Kelmendi ka një javë që ka publikuar disa video dhe shkrime fyese ndaj familjes Elshani, duke iu thënë se ata nuk guxojnë të dalin lirshëm.

Naser Kelmendi, u ballafaqua gjatë me drejtësinë, pasi ishte dyshuar se ishte pjesë e rrjetit të krimit të organizuar dhe i përfshirë në trafikim ndërkombëtar të drogës. Të gjithë fëmijët e Naser Kelmendit, por edhe vetë ai, janë në listën e zezë si trafikantë të drogës, të shpallur nga ish-presidenti Barack Obama.

Një video e publikuar para 4 ditëve, në faqe të Elvis Kelmendit, dëgjohet teksa ky i fundit i çon selam Dem Elshanit, dhe kërkon të dijë vendndodhjen e tij, shkruan Express.

“Ju s’keni b** me dalë, unë dal në 5 në sabah, në 6 në sabah, dal veç vet.. Ju jeni mshef... Me jau dhanë Pejën nuk guxoni me dalë qeshtu qysh dal une.. O ti Demë Elshani, kap bone ni video e kallxom ku je...”, thotë Elvisi në video të publikuar 8 orë më parë.

Menjëherë pas këtyre mesazheve, Elvisi publikoi edhe një bisedë private, që pretendon se fliste me Dem Elshanin.

Këto mesazhe, Elvis Kelmendi i publikoi për disa ditë dhe më pas u fshinë nga faqja e tij në Facebook. Mesazhet përmbajnë kërcënime të rënda, akuza të rënda të tentimvrasjeve dhe madje përmendet edhe një vrasje me porosi.

Llogaria me emrin “Elshani”, ka shkruar se Elvis Kelmendi dhe babai i tij, Naser Kelmendi, kanë dhënë para që të vriteshin familjarët e familjes Elshani. Por, sipas kësaj bisede, Elvis Kelmendi nuk i pranon këto akuza, ku i shkruan se askush nuk ka dhënë para për këtë punë.

Më 10 nëntor, në orën 22:52, personi me emrin “Elshani”, që Elvis Kelmendi i drejtohet si “Demë Elshani”, ia ka dërguar këtij të fundit këtë mesazh privat: “o bir qeni mos kujto ti se tkom harru une ty qe ke organizu per me na vra edhe qe ke mar pjes në vrasje mos meno qe ki me pshtu kom me ta lon qat buz kuqe vejushk skom me ta lon edhe qat qiken e vogël puthe sa te munesh se pak ki me puth po mos harro qe edhe gjdo levozje ta di edhe tka rujt zoti ty njo dy a tri her e din ti veq kush mem ik ska as mem jet borgj ski me mujt mem jet borgj as ti as ata tut”.

Nga kjo bisedë më pas shpërthyen edhe kërcënimet e tjera në mes të personit që fshihet prapa emrit në Facebook “Elshani” dhe Elvis Kelmendit.

Para 4 ditëve, më 15 shkurt, Elvis Kelmendi, që është mjaft aktiv në rrjet social, ka shkruar një shkrim ku ka përmendur të gjithë emrat e Kelmendëve dhe të tjerëve të vrarëve në këtë konflikt në mes të dy familjeve.

“Ismet Kelmendi me të fejuarën e tij; Ilir Kelmendi me gruan e vëllait të tij, e cila ishte shtatzënë; Bujar Lajqi, Shkelzen Nikqi dhe dy engjuj të vogël dhe një kalimtar i rastit i plagosur; Valon Kelmendi i mitur, Dem Kelmendi – djali i axhës së Xhek Kelmendit; tentim vrasje ndaj Lar Kelmendit; Shefqet Kelmendit; Xhek Kelmendin me një djalë; Kastriot Kukën; kalimtarë të rastit të plagosur; tentim vrasje ndaj Xhevdet Kelmendit; plagosje...”, shkruan Elvis Kelmendi.

Elvis Kelmendi, gjithashtu, është i dënuar në Kosovë me 4 vjet për një krim të kryer në Sarajevë. Ai ka qenë madje i kërkuar edhe nga INTERPOL-i.

Kelmendi kishte provuar ta vriste Elvis Hoxhiqin në nëntor të 2010 në Sarajevë duke shtënë në të, të paktën gjashtë herë. Krejt kjo ngjarje ndodhi në klubin “Bad”, e cila gjendej në periferi të Sarajevës.

Për konfliktin e dy familjeve Elshani nga Ozdrimi i Pejës dhe familjes Kelmendi, tashmë po mbahet një proces gjyqësor, ku Granit Elshani po akuzohet për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje të rënda, shkatërrim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Për të tri akuzat, prokuroria e ngarkon Granit Elshanin, dhe thotë se kanë ndodhur në natën e 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë.

Aktakuza e prokurorisë thotë se për shkak të gjakmarrjes së këtyre dy familjeve, kanë ndodhur 29 sulme, 23 të vrarë, ku 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi janë vrarë dhe tre të familjes Elshani. Në konfliktin e tyre, janë përfshirë edhe 10 viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Gjatë incidenteve, prokuroria thotë se janë plagosur 38 persona, prej të cilëve pesëmbëdhjetë nga familja  Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit. 

Lexo bisedat KËTU

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat