Kosova do të jetë përherë mirënjohëse për ndihmën e SHBA-së

Aktuale

Kosova do të jetë përherë mirënjohëse për ndihmën e SHBA-së

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 17:34
Karen Sessions dhe Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj e ka quajtur shumë inkurajues vlerësimin e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për progresin substancial të Kosovës në sundim të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale.

Ai gjatë takimit me një delegacion të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), kryesuar nga zëvendëspresidentja, Karen Sessions, tha se populli i Kosovës është mirënjohës për ndihmën që SHBA ka dhënë për Kosovën, veçanërisht  përmes programit të MCC-së që mbështet përpjekjet për reforma në fusha të ndryshme.

Haradinaj përmendi rëndësinë e madhe që ka për vendin ndihma e drejtpërdrejtë e MCC-s përmes programit Thresholds dhe tani përmes programit Compact, të cilin e ka fituar Kosova, duke thënë se institucionet e vendit dhe Qeveria do ta ketë përkushtimin e pakursyer në implementimin e këtij programi dhe këtij fondi.

“Përkrahja e sektorit të energjisë dhe ekonomisë dhe e sektorëve të tjerë përmes këtij programi të MCC është tejet e nevojshme për Kosovën dhe ne do të qëndrojmë të përkushtuar që kjo të shënojë rezultat”, tha Haradinaj. 

Ndërsa, Sessions shprehu gatishmërinë që bashkëpunimet mes MCC-së dhe Qeverisë së Kosovës të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat