Selmanaj: Koha po e dëshmon se Specialja, ishte ndër vendimet më të gabuara të Kosovës

Aktuale

Selmanaj: Koha po e dëshmon se Specialja, ishte ndër vendimet më të gabuara të Kosovës

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 23:07
Rasim Selmanaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rasim Selmanaj, ka thënë vendimi i Kuvendit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale ishte  ndër vendimet më të dëmshme për Kosovën.

Selmanaj, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, duke komentuar ftesën që Gjykata Speciale i ka bërë bashkë partiakut të tij Blerim Kuçi, ka thënë se kjo gjykatë po ndjek vetëm shqiptarët për krime të supozuara për momentin.

“Ky vendim i Parlamentit nuk është dashur të ndodh, jo pse jemi kundër kësaj Gjykate, por sepse kemi votuar një gjykatë një etnike, dhe që ndjek vetëm ushtarët e UÇK-së për krime tash për tash të supozuara”, tha ai.

Ish-kryetari i Deçanit ka thënë se si në rastin e tanishëm të taksës, edhe me rastin e Gjykatës Speciale,  ka pasur presione nga ndërkombëtarët.

“Kosova e themeloi Gjykatën Speciale, por koha po e dëshmon dhe do ta dëshmojë edhe në të ardhmen, se ky ishte një prej vendimeve më të gabuara që Kosova ka marrë”.

Deputeti i AAK-së ka thënë se Kosova tani do të përballet me pasojat e një vendimi të gabuar që është marrë në atë kohë me themelimin e Gjykatës Speciale.

“Do të kemi lajme të tilla edhe më tej, do të ketë të ftuar tjerë nga Gjykata Speciale. Por, e keqja është se mediat botërore do të raportojnë se sa shqiptarët po akuzohen kinse për krime. E vërteta është se Serbia ka bërë krime e ne luftë çlirimtare”, tha ndër të tjera Rasim Selmanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat