Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovë, Jakup Krasniqi, ka shkruar rreth deklaratës së avokatit Geoffrey Nice. I cili deklaroi se, Gjykatës Speciale është rezultat i vullnetit politik nga akterë jashtë Kosovës, përcjell “Bota sot”.
Ai ka shkruar se, kjo që e thotë ish- Prokurori i Tribunalit të Hagës për ish Jugosllavinë, me shtyri që ta shkëpus nga Libri im "Arti i bisedimeve” ketë shkrim, të cilin do ta keni në vazhdim.
"Ajo që duhet të dihet nga të gjithë ata që i thanë po Gjykatës Speciale, e sidomos atyre që edhe i detyruan të tjerët të votojnë për të, Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj për disa vite në vazhdim ua kanë bërë shërbimin më të keq të mundshëm. Do të duhej shumë ujë të kalojë nën urë që të pastrohet vendi ynë nga kjo njollë që ia imputuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa dyshim shumë padrejtësisht", ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë:
Geoffrey Nice, avokat dhe ish-prokuror në Trubunalin e Hagës, deklaroi se krijimi i Gjykatës Speciale është rezultat i vullnetit politik nga akterë jashtë Kosovës.Nice në një intervistë në Zona e Debatit theksoi se Specialja e ka origjinën në raportin e Dick Martit.“Gjykata edhe pse është krijuar të jetë teknikisht pjesë e sistemit ligjor të Kosovës, është imponuar nga forcat politike në sistemin tuaj dhe udhëhiqet plotësisht nga jokosovarët. Kjo gjykatë ka rrënjët dhe origjinën në diçka që quhet ‘Rporti i Dick Martit’ nën dyshimet mbi marrjen me forcë të organeve nga serbët, për të cilët thuhet se janë vrarë me qëllim për t’ju marrë organet”.
Kjo që e thotë ish- Prokurori i Tribunalit të Hagës për ish Jugosllavinë, me shtyri që ta shkëpus nga Libri im "Arti i bisedimeve” ketë shkrim, të cilin do ta keni në vazhdim:
MOSNDËSHKIMI I GJENOCIDIT SERB
NË KOSOVË FYERJE PËR VLERAT EUROATLANTIKE
S’ka se si të mos e kujtoj një fjalë të popullit që thotë: “Mos na lashtë zoti pa njerëz të drejtë e të pa sherr, se toka do të na lëshonte.” Kjo, për faktin se ndërmend një njeri, që reflektoi drejt, qartë e saktë: Schëarz-Schilling. Ky Schëarz-Schilling do të tho-shte se për mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës me-njëherë pas Luftës Çlirimtare në vitin 1999, përgjegjësi kanë OKB-ja dhe sidomos BE-ja. Ai shkakun e sheh te “Evropa, e cila nuk është në gjendje që të bëjë një politikë të qartë kundrejt Serbisë dhe Kosovës. Dhe ky është turp!” Tek e thotë këtë ai dhe vazhdon të reflektojë, sidomos për vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës: “Ato vende s’e kanë njohur (pavarësinë e Kosovës, - J.K.) për shkak të problemeve të brendshme. Ky është egoizëm i këtyre shteteve. Kështu BE-ja nuk do të fitojë kurrë ndonjë luftë për demokracinë”. Sipas mendimit të tij të avancuar, Pavarësia e Kosovës do të duhej të njihej që në vitin 1999. Ai thotë se, mosnjohja “ishte dobësi e OKB-së dhe e BE-së që nuk e bëri ketë”. http://zeri.info/…/1788…/christian-schëarz-schilling-kosova- eshtedashur-te-njihet-shtet-me-1999/
Në këtë rast, nuk do ta implikoja OKB-në, e cila është një amalgamë e 196 shteteve me sisteme, kultura e tradita prej më të ndryshmeve, të cilat në Kartën e OKB-së kanë vendosur standarde që nuk mund t’i mbrojnë në asnjë mënyrë. Mua më vjen keq për vendet e Demokracisë Perëndimore, që për të drejtat dhe liritë e njeriut kanë vendosur standarde të larta civilizuese dhe nuk janë në gjendje që t’i mbrojnë ato standarde, por, përkundrazi në vend që ta dënonin gjenocidin serb të përsëritur më se një herë në Kosovë, ato vende janë përqendruar për ta vënë në gijotinën e dënimit Kosovën dhe e gjithë kjo po bëhet për hatrin e Serbisë! Dhe se askush që ka luftuar kundër saj të mos ndihet mirë!
Shqiptarët si popull, politikave shfarosëse e shkombëtarizuese të Serbisë e të Jugosllavisë i janë nënshtruar që nga luftërat e viteve 1876/78, luftërave Ballkanike, politikave të Jugosllavisë së Versajës e të AVNOJ-it e deri te politikat serbe të gjenocidit të viteve 1990-1999. Të gjitha këto politika që fillojnë nga Kongresi i Ber-linit (1878), Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) e deri te Konferenca e Rambujesë (1999) dhe Bisedimet e Vjenës (2005-2007), komunitetit ndër-kombëtar i janë të njohura mirë. Pse i heshtin ato politika tani, për ne është e panjohur! Nuk e mohoj faktin se për këto politika, përgjegjësi të madhe kanë të gjithë liderët politikë të pas Luftës Çlirimtare në Kosovë e veçmas këta që e pranuan themelimin e Gjykatës Speciale. Këta, po të kishin vetëm pak moral njerëzor e kombëtar, pas tentimit qyqar të natës për ta shpërberë Gjykatën Speciale, që s’e bënë dot, do të duheshin të tërhiqeshin nga skena politike e Kosovës. Është e qartë, këta që e kanë sjellë këtë gjendje, nuk mund ta ndryhojnë në asnjë mënyrë!
Ajo që duhet të dihet nga të gjithë ata që i thanë po Gjykatës Speciale, e sidomos atyre që edhe i detyruan të tjerët të votojnë për të, Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj për disa vite në vazhdim ua kanë bërë shërbimin më të keq të mundshëm. Do të duhej shumë ujë të kalojë nën urë që të pastrohet vendi ynë nga kjo njollë që ia imputuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa dyshim shumë padrejtësisht.
Nuk po me vjen keq vetëm pse po vazhdon padrejtësia ndaj Kosovës e qytetarëve të saj, por po me vjen keq për vlerat euroatlantike, të cilat nuk po mbrohen nga ata që kanë obligim dhe forcë veprimi për ta dënuar gjenocidin serb në Kontinentin e Vjetër! Popujt e qytetëruar të vendeve euroatlantike duhet ta ngrisin zërin kundër kësaj padrejtësie të madhe historike dhe tolerimit që i bëhet gjenocidit serb të fundshekullit XX në Evropë. Natyrisht se kjo është një fyerje edhe për vlerat evropiane dhe humanitare, kudo ku ato janë instaluar.
Gjithë çfarë desha të them si më sipër do të doja ta përmblidhja si përfundim: Si do të shkonin punët pas Luftës së Dytë Botërore, po qe se do të formoheshin Gjykata Speciale (të tipit të Nyrembergut) për vendet që e luftuan nazifashizmin? Ndaj duhet profecia e popullit si ftesë për reflektim kombëtar e ndërkombëtar: “Mos na lashtë zoti pa njerëz të drejtë e të pa sherr, se toka do të na lëshojë.”
P. S.
.
Është me interes për çdo të interesuar që të lexohet libri im: "Arti i bisedimeve", Botim i “BUZUKUT”, Prishtinë , 2018.