Detaje nga zbulimi i datës së marrëveshjes Kosovë-Serbi, reagon edhe Rada Trajkoviq

Aktuale

Detaje nga zbulimi i datës së marrëveshjes Kosovë-Serbi, reagon edhe Rada Trajkoviq

Nga: K.M Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 18:21
Foto ilustrim

Gazeta gjermane, “Frankfurter Rundschau” shkruan se ndarja mes Kosovës dhe Serbisë në vija etnike është  marrëveshje e përkrahur nga Shtetet e Bashkruara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, megjithatë thuhet se implementimi i këtij plani mund të jetë një rrezik i madh.

Gazeta gjermane citon një dokument që paraqet skicën se si do të duket marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, për çka palët janë akoma në bisedime, transmeton gazeta "Bota sot".

Lidhur me publikimin e detajeve së marrëveshjes, ka reaguar edhe Rada Trajkoviq

Shkrimi i plotë i gazetës gjermane, “Frankfurter Rundschau”:

Çështjet rreth përcaktimit të kufirit të Kosovës me Serbinë Se a duhet të bëhet definimi i kufirit Kosovë-Serbi mbi baza etnike, është plan i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, por që zbatimi I këtij plani, realisht do të ishte shumë i rrezikshëm. Në konferencën e Sigurisë në Mynih, “komisionari i BE-së Johannes Hahn ka thënë se është koha e duhur që mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet një marrëveshje”, por ka rrezik real që ashtu siç parashihet, me ndryshim kufijsh, të hapen plagë të reja në Ballkan.

Në këtë konferencë, Presidenti serb ka kërkuar që çështja e demarkacionit të lihet si e hapur në tavolinë.

Ideja për ndarjen e Kosovës, është ide e vjetër, ku tentohet që pjesa veriore e vendit e banuar me serb, t’i bashkohet Serbisë. Nacionalistët serb, gjithmonë kanë pretenduar që me anë të këtyre metodave, ta realizojnë Serbinë e madhe. Megjithatë, kjo deri sot është konsideruar si antikushtetuese për Kosovën, pasi që do të vinte në kundërshtim edhe me planin e të dërguarit special të OKB-së, Martti Ahtisarin, plan ky në të cilin sot e ka bazën edhe vetë Kushtetuta e Kosovës.

Ndonjë ndryshim të mundshëm të kufirit, e ka kundërshtuar edhe në vitin 2006 grupi i Kontaktit, duke mos lënë asnjë hapësirë që diçka e tillë të ndodhë. Deri sot, rreth 50 organizata të shoqërisë civile si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia i kanë shkruar shefen përgjegjëse të BE për politika të jashtme Frederica Mogherini, ku kanë shprehur hapur kundërshtimin e tyre për ndonjë shkëmbim të mundshëm apo ndryshim të kufirit mbi baza etnike.

E gjitha kjo që është thënë deri së fundi, më nuk duket të jetë problem as në Bruksel po as në SHBA, pasi që nga gushti I vitit 2018, Hahn dhe Mogherini kanë filluar t’i mbështesin kufijtë mbi baza etnike, duke e përfshirë këtu edhe administratën amerikane që prej ardhjes së Presidentit Trump, kur edhe rreth kësaj çështje kemi ndryshim 180 shkallë.

Së fundi, ka dalë në opinion një dokument që përmban në vetë planin për ndarjen e Kosovës, ky plan parasheh një vij të re kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, ndërsa Kosovës t’i bashkëngjiten disa fshatra shqiptare me Serbinë.

Aty parashihet edhe një status special për qytetin e Mitrovicës, ndërsa liqeni i Ujmanit të marrë një status special, duke e privatizuar për 99 vjet, ku do të ndahej mes përfaqësuesve të Këshillit të Sigurimit pranë OKB-së (SHBA, Britani e Madhe, Rusi, Kinë dhe Francë).

Në këtë ide apo plan parashihet që në Shqipëri, në Kuçovë të ndërtohet një bazë ushtarake për NATO-n, ndërkohë që edhe korridori 10, autostradë kjo në Serbi, të vendoset nën mbrojtje ndërkombëtare. Kjo marrëveshje është paraparë që të nënshkruhet në Uashington më 12 qershor të këtij viti, ndërkohë që në fuqi do të hynte gjashtë muaj më vonë.

Pas zbulimit të detajeve të këtij plani, kemi parë shqetësime të serbëve në jug, me ç’rast ka reaguar politikania e pavarur serbe Rada Trajkoviq e cila ka shprehur shqetësimin e saj se Brukseli është duke e mbështetur një plan të tmerrshëm, duke thënë se ndër përgjegjësit për këtë çështje është edhe Johannes Hahn. Trajkoviq ka thënë se “me anë të këtij plani do të nxitet largimi i serbëve nga enklavat serbe në Kosovë, çka do ta ulte motivin e shqiptarëve për të respektuar ligjin. Me anë të këtij plani Manastiret serbe në Kosovë do të kthehen në muze, popullsia e krishterë në Kosovë nuk do të mund të ekzistonte më. Ka shqetësime reale, se në Graqanicë njerëzit kanë filluar të interesohen t’i shesin shtëpitë e tyre. Kjo dhe shumë arsye tjera, janë pse unë po kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare që ky plan të ndalet”.

Trajkoviç tutje ka thënë se Thaçi dhe Vuçiq bëjnë përpjekje që këto bisedime ti kryejnë prapa dyerve të mbyllura, por siç thotë politikania serbe, kjo nuk ka qenë krejt e mundur, pasi që në Kosovë, mediat janë të lira. Për Vuçiqin sipas Trajkoviç, e rëndësishme të arrihet një marrëveshje e tillë me Kosovën për shkak se me këto veprime mund ta fitojë mbështetjen ndërkombëtare, dhe ai mund të vazhdojë të mbetet në pushtet. Ajo tutje e ka përmendur edhe Listën Serbe të cilën e ka quajtur si mafioze të instaluar në veri të Kosovë, po të kontrolluar nga Beogradi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat