Gashi: Deri tani Specialja ka dërguar mbi 25 ftesa, shumica e të ftuarve në cilësinë e të dyshuarve

Aktuale

Gashi: Deri tani Specialja ka dërguar mbi 25 ftesa, shumica e të ftuarve në cilësinë e të dyshuarve

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 22:49
Selia e Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale nga fundi i vitit të kaluar, ka filluar të dërgoj ftesa për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deri më tani, në Hagë kanë dhënë dëshmitë e tyre Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa, derisa disa prej të ftuarve janë intervistuar në Prishtinë.

Në mesin e të intervistuar në Prishtinë, është edhe Sylejman Selimi, i cili u mor në pyetje, pak ditë pasi u lirua nga burgu i Dubravës.

Detaje për ftesat e Speciales, ka dhënë njëri ndër avokatët që po mbron disa prej të ftuarve, Tomë Gashi.

Ai në një prononcim ka thënë se deri më tani janë mbi 25 ftesa të konfirmuara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që janë të ftuar nga Gjykata Speciale dhe shumica prej tyre janë të dyshuar.

“Tani po vërtetohet se persona të caktuar kanë marr ftesa edhe para dy muajsh  e me tepër dhe ka qene në diskrecionin e tyre që të vendosin se a do ti bëjnë publike apo jo, dhe një pjese e atyre që janë intervistuar i kanë bërë publike ftesat vetëm në ditët që janë intervistuar dhe jo më herët, kjo është e drejtë diskercionale e secilit që të bëj publike apo jo ftesat për tu intervistuar nga Gjykata Speciale”, ka theksuar Gashi.

Sipas tij, që prej tre muajsh, Specialja pothuajse çdo ditë po e fton nga një person nga Kosova që të intervistohet për luftën e UÇK-së.

“Që nga dhjetori i vitit të kaluar 2018 thuajse çdo ditë dikush ftohet nga Gjykata Speciale dhe ka edhe të tillë që janë intervistuar në shtete tjera, si psh, para disa ditëve u bë publike se është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale edhe Pjetër Shala, i njohur si Komandant Ujku, në Bruksel të Belgjikës. Gjykata Speciale ka të drejtë të intervistoj secilin të dyshuar apo dëshmitar në secilin shtet të botës  me kusht që ai shtet të lejoj apo të mos kundërshtoj intervistimin. Deri më tani Gjykata Speciale ka intervistuar të dyshuar thuajse nga secila zonë e UÇK-së”, ka thënë tutje Gashi.

Ai ka vlerësuar se Prokurori special që vepron në kuadër të kompetencave të Gjykatës Speciale në Hagë ka të drejtë të marr në pyetje secilin të dyshuar dhe dëshmitarë në çfarëdo faze që është lënda, mund t’i marr në pyetje në fillim të hetimeve, gjatë apo para se t’i përfundoj hetimet dhe pastaj në kohën e përshtatshme të vendos a do të ngris aktakuzë apo do të pushoj hetimet për secilin ish-pjesëtar të UÇK-së që ka qenë apo është nën hetime për vepra penale në kompetencë të Speciales.

“Pa u trajtuar pretendimet e Dick Martyt, Gjykata Speciale nuk do të mbyllet dhe kjo gjykatë do të ketë jetëgjatësi mbi 10 apo deri në 15 vitet e ardhshme.  Sa i përket raportit të Martyt, ajo pretendime monstruoze kanë qenë të keqpërdorura vetëm sa për t’i hapur rrugë formimit të Gjykatës Speciale, sepse ato pretendime për heqje dhe trafikim të organeve njerëzore kinse nga pjesëtarë të UÇK-së janë hetuar së paku katër herë”, ka potencuar Gashi.

Sipas tij, një herë nga ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte dhe nuk ka gjetur asnjë provë për të akuzuar ndonjë pjesëtarë të UÇK-së.

“Pastaj, hetimi i dytë nga UNMIK-u deh nuk është gjet asnjë incidente që kjo mund të ketë ndodhur, pastaj herën e tretë nga EULEX-i dhe prapë nuk është gjet asnjë dëshmi e trafikimit të organeve njerëzore gjatë luftës së UÇK-së, dhe përfundimisht nga prokurori Clint Ëiliamson i cili në raportin e tij që rrjedh nga raporti i  Martyt ka deklaruar më 2014 se pretendimet për trafikim nuk janë vërtetuar ashtu siç ka raportuar senatori Dick Marty. Raporti i Dick Martyt është përdorë vetëm për të hapur derën e së keqes për Kosovën kur është votuar si dokument i obliguar për tu hetuar nga Këshilli i Evropës më 2011”, ka thënë ndër tjerash Gashi.

Prandaj, siç ka theksuar Gashi, të keqen më të madhe Kosovës ia kanë bërë deputetët e saj më 2015 duke e votuar një Gjykatë  Speciale kundër vetvetës, vetëm kundër shqiptarëve, kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së si dhe në një mënyrë duke i amnistruar krimet serbe në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat