Anton Quni: Ushtarët e mi rrezikuan shumë për informata, SHIK-u nuk na ofroi asgjë për forcat serbe

Aktuale

Anton Quni: Ushtarët e mi rrezikuan shumë për informata, SHIK-u nuk na ofroi asgjë për forcat serbe

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 23:58
Anton Quni

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini ka folur edhe për SHIK-un.

Quni ka thënë se është normale që kur je në luftë të kesh një shërbim inteligjent që do të kryente shërbime profesionale.

“Pas luftës mendimi im për këtë shërbim ka evoluar. Përderisa institucionet tjera që kanë ekzistua, para e gjatë luftës janë shuar, ky shërbim ka vazhduar deri në vitin 2008, së paku kështu është deklaruar nga udhëheqësi i këtij shërbimi”.

“Nuk kam përshtypje të mira e as mendime të mira për SHIK-un, sepse misioni i shërbimeve të këtij lloji është mbledhje e informatave dhe mbrojtja e informatave. Unë gjatë kohës sa kam qenë në luftë asnjë informatë për forcat serbe nuk e kam marrë nga kreu i këtij shërbimi. Të gjitha informatat për forcat serbe i kemi marrë vet”.

Ish-komandanti i batalionit diversanto-vëzhgues ka thënë se ushtarët që ai ka drejtuar nuk kanë përfituar asnjë informatë për SHIK-un.

“Ne si njësi nuk kemi përfituar asnjë informatë nga ky shërbim. Kam dëgjuar që kanë thënë se kanë siguruar informata me thasë nga forcat serbe. Por unë me ushtarët e mi kemi rrezikuar shumë për të siguruar informata nga terreni për forcat serbe”, tha ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se autoritetet e larta të SHIK-ut janë ato që duhet të kenë informata për vrasjet e pasluftës para çdo institucioni.

“Nëse dikush duhet të dijë për vrasjet e pasluftës, atëherë ato duhet të jenë autoritetet më të larta të SHIK-ut”, tha ndër të tjera Anton Quni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat