Polici Jeton Menxhiqi kapet në korrupsion, ende s’ka aktakuzë, vazhdon punën si polic

Aktuale

Polici Jeton Menxhiqi kapet në korrupsion, ende s’ka aktakuzë, vazhdon punën si polic

Më: 24 shkurt 2019 Në ora: 11:34
Pamje nga videoja

Polici hetues i Departamentit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Jeton Menxhiqi, është kapur me “pelë për dore” duke u korruptuar në një proces të prokurimit për tenderin e rrobave elegante të Policisë së Kosovës.

Në një hulumtim të emisionit “Betimi për Drejtësi”, janë transmetuar pamje të cilat dëshmojnë se polici Jeton Menxhiqi kishte ndërruar mostrat e një kompanie për t’ia mundësuar asaj plotësimin e kritereve sipas tenderit. 

Bëhet fjalë për një tender të policisë, vlera e të cilit ishte parashikuar të jetë rreth 730 mijë euro. 

Por, edhepse asnjë kompani nuk i kishte plotësuar kriteret sipas tenderit, Jeton Menxhiqi një nga tre anëtarët e Komisionit për vlerësimin e ofertave, gjatë pauzës, i vetmuar, kishte ndërruar mostrat e një kompanie, duke ia mundësuar plotësimin e kriterit të kërkuar sipas tenderit. 

Polici Menxhiqi ishte denoncuar nga kolegu i tij Naim Lahu. Denoncimi ishte bërë në gusht të vitit 2017, ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës e kishte zvarritur hetimin dhe përkundër provave materiale dhe dëshmive konkrete, tek në tetor 2018 kishte deponuar kallëzimin penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. 

Sipas emisionit gjatë marrjes në pyetje në Inspektoratin Policor, Jeton Menxhiqi, nuk kishte pranuar se kishte bërë ndërrimin e mostrave, ndërsa kur ishte ballafaquar me provën e incizimit të kamerave, kishte deklaruar se nuk i kujtohet. 

Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, ka thënë se nuk e kupton se pse Inspektorati Policor e ka zvarritur hetimin ndaj Jeton Menxhiqit, për të cilin Policia ka ofruar prova me bollëk për përfshirjen e tij në keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

 

Në emisionin thuhet se polici Jeton Menxhiqi ka punuar si hetues në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë. Ai njihet se së bashku me hetuesin tjetër Avni Namani nën urdhërat e prokurorit Kujtim Munishi, kanë hetuar dosjen e manipuluar të provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat