Pasuria e Thaçit ka pësuar lëvizje të shumta qëkur është bërë president

Aktuale

Pasuria e Thaçit ka pësuar lëvizje të shumta qëkur është bërë president

Më: 24 shkurt 2019 Në ora: 20:21
Shtëpia e Thaçit

Presidenti i Kosovës, nga viti në vit, po varfërohet.

Që nga viti 2016, pasuria e Hashim Thaçit – kryesisht paratë e gatshme – ka shënuar rënie, derisa nuk ka raportuar nëse i ka falur apo i ka investuar, gjë që do ta arsyetonte humbjen e qindra-mijëra eurove.

Në 2016, biznesmeni Rrahim Pacolli tha se ia bleu shtëpinë për 360 mijë euro, të cilën Thaçi kishte nisur ta ndërtonte në Hajvali.

Por, bazuar në të dhënat e publikuara në Agjencinë Kundër-korrupsion, presidenti Thaçi nuk i mori të gjitha këto të holla.

Në deklarimin e atij viti, si pasuri të palujtshme presidenti deklaroi një tokë për ndërtimin e shtëpisë me sipërfaqe prej 15.75 ari, vlerën e të cilë e kishte deklaruar 157 mijë euro, por prejardhja e asaj pasurie u deklarua si 260 mijë euro, nga ku specifikohej se paratë u morën nga shitja e shtëpisë, raporton KTV.

Në të njëjtin vit, 2016, Thaçi deklaroi edhe një shtëpi në ndërtim me sipërfaqe 700 metra katrorë, së cilës vlerën ia kishte caktuar 280 mijë euro, e prej të cilave 100 mijë thoshte sa i ka marrë kredi.

Para të gatshme, atë vit, tha se i kishte vetëm 1250 euro të tijat, e 5 mijë të gruas.

Por, një vit më vonë, gjithçka ndërroi në deklarimin e tij.

Toka për ndërtimin e shtëpisë dhe shtëpia në ndërtim u zhdukën.

Derisa, paratë e gatshme u shumëfishuan.

290 mijë euro nga shitja e shtëpisë, presidenti i deklaroi në një nga bankat e Kosovës, e kursimet e tij kishin arritur në 16 mijë euro.

Një vit më vonë, në deklarimin e 2018-s, kjo shumë ka zbritur në 136 mijë euro.

As më 2018, presidenti nuk ka treguar fare se ka pasur në pronësi tokën ose shtëpinë e tij të re, e cila ka qenë e ndërtuar në fund të 2017-s.

Në Çagllavicë të Komunës së Graçanicës, Thaçi ka nisur të jetojë muajt e fundit.

Zyra e tij nuk ka dashur të flasë për këto mospërputhje, vetëm shkurt ka thënë se përgjigjet duhet të kërkohen në Agjencinë Kundër-korrupsionit, pasi, sipas saj, atje janë dhënë të gjitha sqarimet.

Por, kjo e fundit ka mohuar t’i ketë këto të dhëna për presidentin.

Kjo Agjenci ka thënë se do ta presë afatin e rregullt të deklarimit vjetor, që është 31 marsi i këtij viti, për të parë se cili do të jetë deklarimi i presidentit.

“Zyrtarët e lartë publikë janë të obliguar të deklarojnë pasurinë tyre, si dhe ndryshimet eventuale të pasurisë për vitin paraprak, në pajtim me nenin 5, 6, dhe 8 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë”, thuhet në një përgjigje të AKK-së.

Këto nene specifikojnë se zyrtari publik është i obliguar të tregojë për çdo shpenzim, i cili kalon shumën 5 mijë euro, përfshirë huadhënien ose kredinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat