Haradinaj kërkon ndërprerjen e menjëhershme të punimeve në Lumbardh

Aktuale

Haradinaj kërkon ndërprerjen e menjëhershme të punimeve në Lumbardh

Nga: N.Sh Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 12:59
Ramush Haradinaj

Pas protestës së komunitetit të banorëve të Rugovës në sheshin e Pejës për të kundërshtuar projektin e hidrocentraleve në Lumbardh ka reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ka kërkuar nga Ministri ndërprerjen e menjëhershme të procedurave të mëtejme.

Banorët sot kanë nënshkruar edhe një peticion me anë të të cilët shprehin kundërshtimin për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve.

Ndërsa, Haradinaj, thotë se, projektet që bien ndesh me interesat e banorëve të Rugovës nuk kalojnë asnjëherë.

“Pas protestës së qytetarëve në Pejë dhe shqetësimeve legjitime të ngritura në takim nga përfaqësuesit e komunitetit rugovas rreth projektit të ndërtimit të hidrocentraleve në Lumbardh, nga Ministria e linjës kam kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të procedurave të mëtejme deri në krijimin e një pasqyre të qartë dhe të gjithanshme për shkallën e impaktit të këtij projekti në mjedis. Projektet, të cilat bien ndesh me interesat e banorëve të zonës së Rugovës, asnjëherë nuk do të kalojnë”, thotë Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat