Platforma në Kryesi pa pëlqimin e Komisionit për Punë të Jashtme

Aktuale

Platforma në Kryesi pa pëlqimin e Komisionit për Punë të Jashtme

Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 16:48
Platforma në Kryesi pa pëlqimin e Komisionit për Punë të Jashtme

Platforma për dialogun me Serbinë, në mungesë kuorumi, nuk ka kaluar sot në Komisionin për Punë të Jashtme dhe pa pëlqimin e këtij komisioni është dërguar në Kryesinë e Kuvendit për diskutim.

Ndërsa, me 5 vota pro dhe 4 vota kundër, projektligji për detyrat, përgjegjësit dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror në procesin e dialogut me shtetin fqinj ka kaluar për lexim të dytë në seancën e radhës të Kuvendit.

Platforma u kritikua ashpër nga anëtarët e partive opozitare, pasi sipas tyre ky dokument ka probleme të mëdha, pasi nuk e mbron pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, dhe se qeveria nuk pozicionohet qartë karshi qëndrimeve të presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit.

Deputetja nga radhët e LDK-së, Doruntinë Maloku, kishte një kërkesë që platforma për dialog të largohet nga rendi i ditës, pasi sipas saj, ligji ende nuk ka hyrë në fuqi dhe si i tillë nuk mund të diskutohet. 

Maloku: Nuk ka bazë ligjore për të sjellë platformën

“Rrjedhimisht, ligji ende nuk ka kaluar dhe si rrjedhojë ende nuk i ka marrë delegacioni shtetëror këto kompetenca. Gjithçka që ka ndodhur ndërmjet rezolutës së 15 dhjetorit dhe deri sot, gjithçka që këta kanë bërë, është jo ligjore, sepse nuk kanë bazë ligjore për të sjellë platformë. Edhe është e turpshme qysh kryetari i Kuvendit, mundohet të vë në lajthitje Komisionin për punë të jashtme të sjellë këtu një dokument, një platformë me kaq rëndësi jashtë ligjore”, tha ajo.

Këtë kërkesë, e mbështeti dhe kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani. Mirëpo, pavarësisht kësaj, kërkesa nuk u miratua dhe me pesë vota pro, anëtarët e vendosën që platforma për dialogun të diskutohet në komision.

Duke i theksuar të metat e kësaj platforme, Osmani tha se shtetësia e Kosovës nuk mbrohet me anë të saj, por vetëm rrezikohet, pasi në të thuhet se Kosova do t’i pranojë gjitha marrëveshjet e kaluara që  kanë ndodhur, përfshi atë të 2013 që nënkupton krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo  bëri të ditur se platforma për dialogun me Serbinë nuk e trajton rolin e institucioneve tjera shtetërore, pasi sipas saj, presidenti nuk ka të drejtë të krijojë pozicione, por vetëm t’i mbrojë pozicionet e qeverisë.

Osmani: Platforma nuk e mbron territorin e Kosovës

“Është paradoks me nxjerr dokumente, të cilat lejojnë hapur që të negociohet statusi dhe territori i Kosovës, ky është paradoks. Qysh në hyrje, ky ekip që po tenton të formohet, pozicionohet sa i përket marrëveshjes së parë mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Rrjedhimisht, delegacioni shtetëror pranon, jo vetëm marrëveshjen e prillit  2013, me të cilin është krijuar asociacioni i komunave serbe.  Delegacioni shtetëror përcaktohet që të mos aplikojë në këto organizata pa ndodhur marrëveshja me Serbinë, në njëfarë mënyre  dhe një pozicionim që e ka mbajtur dhe presidenti deri më tani i cili insiston, një gjuhë dhe më herët që e ka përmendur Serbia, se pa marrëveshje me Serbinë,  Kosova nuk mund të vazhdojë fuqizimin e saj ndërkombëtar dhe nuk mundet të aplikojë në agjencitë e OKB-së, siç është UNESCO, apo Organizata Botërore e Shëndetësisë dh e të tjera. Rezultati që e kemi para nesh është një dokument që as nuk e mbron territorin e Kosovë, rrjedhimisht nuk e mbron pavarësinë dhe shtetësinë e saj”, tha deputetja Osmani. 

Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, tha se platforma tregon për krizën që ekziston sa i përket legjitimitetit politik në dialogun me Serbinë. 

Ai pati kritika dhe për ish-bashkë partiakët e tij, siç tha, në zgjedhje të vitit 2017 kanë kërkuar vota për Kosovën me territorin e tanishëm, ndërsa tash negociojnë për korrigjim të kufirit.

Konjufca: Kush do ta destabilizojë rajonin?

“Delegacioni shtetëror duhet t’i adresohet presidentit dhe t’i tregojë që nuk ka mandat për të zhvilluar aktivitetin që e ka bërë deri më sot, çështjet konkrete kanë të bëjnë me dy tema. E para, deklarata e presidentit që kufiri mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë 430 kilometra dhe çështja e dytë, atë që në mënyrë eksplicite e shpjegoi dhe në këtë tryezën e fundit që ishin liderët e partive politike para pesë-gjashtë dite. Presidenti tha se nëse nuk arrihet marrëveshja me Serbinë shumë shpejt do të destabilizohet rajoni. Ky delegacion duhet t’i bëjë pyetje presidentit, se kush do ta destabilizojë rajonin nëse nuk arrihet marrëveshja me Serbinë, sepse unë mendoj që marrëveshja me Serbinë mund dhe mos të arrihet...delegacioni duhet të kërkoj sqarime se kush mendon ai që do ta destabilizojë rajonin nëse nuk arrihet marrëveshja me Serbinë, çfarë informata të sakta i ka për destabilizimin e rajonin dhe pse ka pretendime të tilla”, tha Konjufca.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Evgjeni Thaçi kishte akuza ndaj anëtarëve të këtij komisioni, pasi sipas saj, në asnjë moment nuk është thënë se do të ketë ndarje dhe shkëmbim territoresh.

Ajo kishte dhe një pyetje për anëtarët e këtij komisioni, pasi sipas saj askush nuk mund të jetë kundër marrjes së Presheves, Bujanovcit dhe Medvegjës brenda kufirit të Kosovës.

Thaçi: Kush është kundër Preshevës brenda kufirit të Kosovës?

“Një gjë nuk e kam të qartë qysh po mundeni me qitë vetën në pozicionin e Serbisë dhe menduar si ata, se çka keni me lyp ju në dialog me Kosovën. Kush nuk e ka përmend shkëmbimin e territoreve, ndarjen e Kosovës përveç juve...Kush nga ju këtu është kundër marrjes së Presheves, Bujanovcit dhe Medvegjës brenda kufirit të Kosovës? ”, tha ajo.

Nënkryetarja e komisionit, Time Kadrijaj tha se platforma dhe ligji për dialogun e siguron Kosovën e 17 shkurtit me kufijtë territorin dhe sovranitetin aktual.

Kadrijaj: Duhet ta mbrojmë Kosovën e 17 shkurtit

“Në platformë është përfshi decitidisht se do të respektohet kushtetuta e Kosovës, sovraniteti, integriteti. Për shembull në parimin e gjashtë theksohet se sovraniteti i Kosovës është i panegociueshëm...Kosova është e pavarur dhe duhet të pranojmë kushtetutën dhe ta mbrojmë Kosovën e 17 shkurtit”, tha Kadrijaj.

Ndryshe, në fillim të mbledhjes disa amendamente të deputetit të PSD-së, Dukagjin Gorani për projektligjin e detyrave dhe kompetencave të delegacionit shtetëror, u dërguan për shqyrtim në administratën e Kuvendit për të interpretuar, se a kanë kaluar apo jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat