Isa Mustafa: Serbia s’është e interesuar të normalizojë marrëdhëniet – aq më pak ta njoh Kosovën

Aktuale

Isa Mustafa: Serbia s’është e interesuar të normalizojë marrëdhëniet – aq më pak ta njoh Kosovën

Nga: N.H Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 14:06
Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Serbia nuk është e interesuar të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, e aq më pak ta njoh si shtet.

“Serbia po krenohet me dëmet që po na i shkakton në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Ja shkrimi i plotë:

Veprimet e Serbisë, sidomos fushata për ç‘njohjen e pavarësisë së Kosovës nga disa vende, sikurse edhe fushata kundër Kosovës për anëtarësim në Interpol, flet se ky shtet fqinj nuk është i interesuar të normalizojë marrëdhëniet me vendin tonë e aq më pak ta njoh shtetin e Kosovës.

Serbia po krenohet me dëmet që po na i shkakton në arenën ndërkombëtare.

Politikat e fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit, për të cilat janë zotuar vendet e Ballkanit Perëndimor bien ndeshë me një sjellje të tillë. Kjo sjellje nuk ka asgjë të përbashkët edhe me kërkesën e BE-së dhe SHBA-ve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohje reciproke.

Prandaj do të ishte mirë të lihet anash mentaliteti i trashëguar armiqësor dhe të punohet për të kultivuar një mjedis në të cilin punojmë për prosperitet të qytetarëve tanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat