Haki Abazi: Thaçi ka kapur shtetin dhe po vazhdon të veprojë me mentalitetin e një mafiozi politik!

Aktuale

Haki Abazi: Thaçi ka kapur shtetin dhe po vazhdon të veprojë me mentalitetin e një mafiozi politik!

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 06:02
Hashim Thaçi

Njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi ka analizuar punën e presidentit Hashim Thaçi për tri vite sa është shef i shtetit. Ai, tha që Thaçi ka degraduar shtetin e Kosovës, duke mos e menduar asnjëherë të mirën e vendit.

Sipas Abazit, Thaçi është President jo-kushtetues, për shkak të mos përfaqësimit të unitetit të shtetit.

“Pozita e Presidentit të Kosovës pas vdekjes së Rugovës ka qenë vendi i serialeve të lira në politikën kosovare. Fatmir Sejdiu u largua nga pozita me insistimin e Thaçit duke ia krijuar kurthin për ta poshtëruar, Pacolli ishte njeriu që mbeti në tentativë për t’u bërë shoku “Tito i Kosovës”, Atifetja kaloi pesë vite duke qenë në hibernim dhe herë pas here instrument i vlefshëm për të degraduar rendin kushtetues, dhe tani që tre vite ashtu siç është zgjedhur me tyta të pushkës dhe më shumë kundërshti, Thaçi po vazhdon avazin e vjetër të degradim të shtetit dhe rendit kushtetues”, tha ai.

Sipas tij, sigurisht që 3 vjet pas, LDK e ka kuptuar që përkrahja për Thaçin nuk ka qenë e menduar mirë dhe ka ndodhur e kundërta.

”Thaçi ka deinstitucinalizuar Kosovën, ka kapur shtetin dhe po vazhdon të veprojë me mentalitetin e një mafiozi politik. Që nga fillimi ai si president kishte deklaruar se po i priste partitë opozitare me pushkë të drejtuar nga ata, ishte krye protagonisti i rrëzuarjes së qeverisë së Isa Mustafës, lansoi idenë për kompromisin e dhimbshëm, ndarjen, korrigjimin, de-limitimin, tentoi të keqpërdorë veteranët për ta zhbërë Gjykatën Speciale që kishte miratuar vetë, u bë protagonisit i marrëveshjes Veseli- Haradinaj, nga pozita e presidentit tradhtoi të gjithë duke përdorur AKI dhe krijoi situatë për kidnapimin e qytetarëve turq, u njoftua për drekat e darkat marramendëse nëpër vende të ndryshme, verërat e rakite me çmime astronomike”, thotë Abazi.

Sipas tij, Thaçi në masën më serioze është i injoruar nga të gjitha shtetet. Ai thotë se ende nuk ka pasur pritje protokolare në nivel presidentësh as në Shqipëri.

”Që nga ardhja e tij në këtë pozitë, askush nuk ka ardhur në ceremonitë e festimit të përvjetorëve të Pavarësisë, Kosova ka mbetur pa liberalizim, edhe pse kryefjalë e secilës parti, në fushatë zgjedhore dhe pozitat e tij ka qenë liberalzimi i vizave. Kosova është lënë jashtë strategjisë së BE për Zgjerim, dhe vazhdon të mos këtë njohje të reja”, tha ai.

Në një përmbledhje, sipas tij, Thaçi është një president jo kushtetues, sepse nuk përfaqëson unitetin e shtetit ashtu siç është përshkruar në Kushtetutën e Republikës.

”Është duke punuar në kundërshtim të kushtetutës, sepse është i involvuar direkt në bisedimet me Serbinë, që po prekin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe këtë është duke bërë pa mandat kushtetues. Është jo-kushtetues sepse ai është i akuzuar nga dhjetëra njerëz të ndryshëm për involvim në kryerje të krimeve apo urdhërim të krimeve ndaj shqiptarëve. Tani kulmimin e tij të një përçarësi, idhnaku dhe një përfaqësues i një ideologjie djallëzuese e antiunitare, është gjysmë kërkim falje për komunikatën 59 për ekzekutimin e Gani Gecit, dhe heqjen e simboleve të Presidentit Rugova nga ambientet e Presidencës. Ky njeri do të mbahet mend si njeriu që ka tradhtuar secilin partner politik, ka humbur territor në demarkimin me Malin e Zi, që ka shkatërruar ekonomikisht Kosovën duke e mbajtur peng për interesa të njerëzve rreth tij, njeriu që ka ndërsyer bashkësinë ndërkombëtare, sidomos administratën Trump kundër Qeverisë së Kosovës, për të hequr taksën 100% të mallrave të importuara nga Serbia dhe gjithashtu për tentimin për ta ndarë Kosovën”, tha Abazi, duke shtuar se “për njerëzit si ky asnjëherë historia e shqiptareve nuk ka pas fjalë të mira.”

Kujtojmë që, Hashim Thaçi është zgjedhur president i Kosovës me 26 shkurt, ndërsa pozitën e shefit të shtetit e kishte marrë me datë 7 prill, një datë pasi  i kishte përfunduar mandati ish-presidentes  Atifete Jahjaga.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat