Rrëfen profesori ndërkombëtar: Kështu m`u hakmorr Hashim Thaçi pasi kundërshtova idenë e ndarjës së Kosovës

Aktuale

Rrëfen profesori ndërkombëtar: Kështu m`u hakmorr Hashim Thaçi pasi kundërshtova idenë e ndarjës së Kosovës

Nga: N.H Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 11:32
Hashim Thaçi

Profesori dhe publicist ndërkombëtar, Enver Bytyçi, ka rrëfyer për herë të parë hakmarrjen që i është bërë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, përcjell "Bota sot".

Bytyçi përmes një shkrimi të gjatë, ka treguar në detaje hakmarrjen e Thaçit ndaj tij, dhe krejt kjo, pasi që profesori ndërkombëtar kishte filluar kundërshtimet e tija publike kundër idesë së ‘çmendur’ të Hashim Thaçit për ndryshimin e kufijve.

Image
Enver Bytyçi

“Që kur kam nisur kundërshtitë e mia publike kundër idesë së çmendur të Hashim Thaçit për ndryshimin e kufijve, lufta politike e tij dhe e zagarëve që ai i ka lëshuar anë e mbanë Kosovës, është shumëfishuar. Hakmarrja e Hashim Thaçit i ngjan hakmarrjes doktrinale të diktatorëve si Stalini dhe Enver Hoxha”, ka deklaruar Bytyçi.

Ja rrëfimi i plotë:

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dha edhe një dëshmi për hakmarrjen e tij politike. Në qershor të vitit të kaluar dërgoi Inspektoriatin e Punës në Universitetin "Ukshin Hoti" të Prizrenit për të kontrolluar dosjen time të punësimit. Bashkëpunëtorët e Thaçit e kishin zhdukur këtë dosje, me qëllim që të vihej para përgjegjësisë ai që kishte hedhur firmën për angazhimin tim si profesor i jashtëm pranë këtij universiteti. M'u desh që brenda disa orëve ta plotësoj dosjen, me qëllim që ta mbroja nga një akt i padrejtë personin, të cilin inspektoriati po e vinte para përgjegjësisë ligjore me pyetjen: Si e keni marrë ju në punë një person, për të cilin as që e dini se kush është, pasi ju nuk keni dosjen e tij ketu?! Po të gërmohej në protokollin e universitetit gjendej data e depozitimit të dokumenteve të mia në Universitetin "Ukshin Hoti".

Por kjo nuk i interesonte këtij inspektoriati, të urdhëruar për reprezalje. Para një muaji Universiteti "Ukshin Hoti" shpalli njoftimin për rekrutimin e ligjëruesve në lëndët përkatëse. Dërgova kërkesën për të vijuar angazhimin tim, i cili kishte nisur që në vitin akademik 2015-2016. Kisha tri vite që jepja ligjërata në Fakultetin e Shkencave Juridike dhe lëndët e mia ishin të lira për mësimdhënie. Por Hashim Thaçi kishte dhënë urdhërin e tij politik që "Enver Bytyçit t'i ndalohej punësimi me kohë të pjesshme në këtë universitet"?! Përfundimisht në mënyrë paradoksale m'u dha përgjigja "Profesor, na fal nuk kemi çfarë të bëjmë"! Sa për të sqaruar publikun: Unë kam ligjëruar shumë pak orë një ditë në javë në Universitetin "Ukshin Hoti", sa nga pikëpamja financiare nuk ia vlen të marrësh rrugën nga Tirana në Prizren. Por e mbaja këtë pozicion për arsye të lidhjeve të mia të gjithanshme e sidomos studimore me Kosovën e Prizrenin.

Madje i jam mirënjohës Prof. Dr. Hajredin Kuçi, i cili në pranverë të vitit 2014 në një takim të rastësishëm më pyeti nëse jepja ligjërata në universitetet e Kosovës dhe kur i thashë se "JO", ma ktheu: "Po nëse nuk jep ti, kush jepka atëherë ligjërata tek ne"? Por që kur kam nisur kundërshtitë e mia publike kundër idesë së çmendur të Hashim Thaçit për ndryshimin e kufijve, lufta politike e tij dhe e zagarëve që ai i ka lëshuar anë e mbanë Kosovës, është shumëfishuar. Hakmarrja e Hashim Thaçit i ngjan hakmarrjes doktrinale të diktatorëve si Stalini dhe Enver Hoxha. Ndërsa idhulli i tij duket se është Edi Rama, të cilin ka filluar ta imitojë, si në rastin e largimit të simbolit të Rugovës nga presidenca, vizatimet në mbledhjet e takimet me politikanë etj. Megjithatë është e mbetet kopje e keqe e Edi Ramës, ndonëse mjeshtër në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe krimin politik në Kosovë?!

Vetëm në shtetet shqiptare ka ndodh dhe vijon të ndodh që në vend të bëhen kurbanë tradhëtarët, bëhen kurbanë atdhetarët!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat